Prishtinë, 30 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha bën homazhe pranë pllakës përkujtimore të zyrtarit policor Triumf Riza, në 18-vjetorin e rënies së tij. Pas homazheve kryeministri Kurti, i shoqëruar nga familjarë të policit Riza, mori pjesë në vënien e gurthemelit të lapidarit kushtuar policit Triumf Riza.
“Triumf Riza para se të jetë polic i guximshëm ishte njeri i guximshëm. Menjëherë në vitin 1999 kur ishte vetëm 20 vjeçar, u inkuadrua në Policinë e Kosovës, atëherë Shërbimi Policor i Kosovës, për t’i shërbyer rendit publik dhe sundimit të ligjit. Ishte i përkushtuar dhe i pa kompromis”, tha kryeministri Kurti, teksa vlerësoi lartë punën e palodhshme të policit Riza në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të drejtësisë.
Duke qenë se për nëntë vjet ka banuar në këtë lagje, kryeministri Kurti tha se e ka njohur Triumf Rizën, derisa e ka përshkruar atë si një djalë fenomenal të kryeqytetit, i cili e ka dashur drejtësinë edhe nuk e ka kursyer vetën në asnjë çast për drejtësinë.
“E tash si Hero i Kosovës, si dikush që sakrifikoi jetën kundër bandave e grupeve kriminale, kundër njerëzve të cilët synojnë të jenë mbi shtetin e kundër qytetarit, është bërë inspirim për secilin zyrtarë shteti e jo vetëm për policinë e Kosovës”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se vënia e gurthemelit të lapidarit që i kushtohet atij, do të na e kujtojë përjetë e mot neve dhe brezave që do të vijnë, se t’i shërbesh Republikës së Kosovës është nder dhe përgjegjësi dhe për këtë i kemi modelet të cilët duhet t’i ndjekim të gjithë bashkë dhe secili prej nesh.
Prononcimi i kryeministrit Kurti:
Bashkë me prindërit e heroit të Kosovës, zyrtarit policor Triumf Riza, dhe me familjarë të tjerë të familjes Riza, me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, me eprorët e lartë të Policisë së Kosovës, jemi këtu për të bërë nderime për një zyrtar të jashtëzakonshëm policor, i cili para 18 viteve pikërisht në këtë vend, këtu në vendparkimin e lagjes Dardania në kryeqytet, u vra mizorisht nga mizorisht nga pusia me një breshëri plumbash.
Triumf Riza para se të jetë polic i guximshëm ishte njeri i guximshëm. Menjëherë në vitin 1999 kur ishte vetëm 20-vjeçar, u inkuadrua në Policinë e Kosovës, atëherë Shërbimi Policor i Kosovës, për t’i shërbyer rendit publik dhe sundimit të ligjit. Ishte i përkushtuar dhe i pa kompromis.
Unë kam banuar për afër nëntë vjet në këtë lagje dhe e kam njohur personalisht Triumf Rizën. Ka qenë djalë fenomenal i kryeqytetit, i cili e ka dashur drejtësinë edhe nuk e ka kursyer vetën në asnjë çast për drejtësinë. Dhe të gjithë qytetarët që e kanë njohur të gjithë shokët dhe shoqet që i ka pasur kanë veçse fjalët më të mira për të, sepse edhe në të gjallë ka qenë shembull për të gjithë.
E tash si Hero i Kosovës, si dikush që sakrifikoi jetën kundër bandave e grupeve kriminale, kundër njerëzve të cilët synojnë të jenë mbi shtetin e kundër qytetarit, është bërë inspirim për secilin zyrtar shteti e jo vetëm për Policinë e Kosovës. Andaj, ne vumë gurthemelin e lapidarit që i kushtohet atij, por do të na e kujtojë përjetë e mot neve dhe brezave që do të vijnë, se t’i shërbesh Republikës së Kosovës është nder dhe përgjegjësi dhe për këtë i kemi modelet të cilët duhet t’i ndjekim të gjithë bashkë dhe secili prej nesh.
Lavdi Triumf Rizës dhe të gjithë policëve të Republikës së Kosovës të rënë në krye të detyrës!





















