Lupç i Poshtëm, Podujevë, 1 shkurt 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe për nder të dëshmores së kombit Elfete Humolli, në 36-vjetorin e vrasjes së saj.
“Para 36-vjetëve kishte demonstrata anembanë Kosovës, jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e Kosovës. Një natë më herët më 31 janar 1990, ka pasur demonstrata të fuqishme në Podujevë, e të nesërmen kanë vazhduar edhe në Lupç të Poshtëm. Fjalët e fundit që thuhet kanë dalë nga goja e Elfetes janë: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?”. Sepse si 16 vjeçare në demonstratë, ajo brengën më të madhe e kishte në atë vend, vëllaun e vet 13 vjeçar.” u shpreh kryeministri Kurti në prononcimin për media pas homazheve.
Kryeministri shtoi se Elfetja kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit, kundër okupimit të Serbisë, e sikurse edhe shumë nxënës të tjerë ishte në ballë të qëndresës e të rezistencës, e cila i parapriu pastaj edhe kryengritjes së armatosur e luftës çlirimtare të bartur e udhëhequr nga UÇK-ja.
Vëllau i saj Mentori bie poashtu dëshmor në maj të vitit 1999-të, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Elfete dhe Mentor Humolli janë vëlla e motër, po janë edhe simbol i sakrificës, i flijimit, i njerëzve të këtij vendi, që me qëndrueshmërinë e tyre, ndodhen në rrënjët, në themelet e lirisë e të shtetit tonë, dhe të aspiratave tona për përparim shtetëror, por edhe kombëtar.”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti vizitoi edhe familjen Humolli, ndërsa në librin e përkujtimeve shkroi: “Motra pyet se ku është vëllau, se a ka shpëtuar ai. Këto janë fjalët e fundit të Elfete Humollit, dëshmore e kombit, e rënë heroikisht si nxënëse e shkollës së mesme ekonomike në demonstratë kundër okupimit të Serbisë në Lupç të Poshtëm me 1 shkurt 1990, kur ishte vetëm 16 vjeçare, për vëllaun e saj 13 vjeçar Mentorin, i cili bëhet dëshmor si luftëtar i UÇK-së më 21 maj 1999 në betejë me të njëjtën Serbi armike. Rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit i kemi te gjaku i derdhur i bijave e bijëve më të mirë të kombit. Lavdi!
Prononcimi i Kryeministrit Kurti:
Bashkë me familjen e gjerë Humolli, me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, me nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun, me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe me kolegë e aktivistë nga institucionet qendrore e lokale, dhe Lëvizja jonë, jemi këtu për të bërë nderime me rastin e 36-vjetorit të rënies heroike, të vrasjes së dëshmores së kombit Elfete Humolli, e cila dy javë pa i mbushur 17 vjet u vra nga plumbat e policisë armike të Serbisë, e cila po e shuante me gjak demonstratën e popullit në Lupç të Poshtëm.
Para 36-vjetëve kishte demonstrata anembanë Kosovës, jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e Kosovës. Një natë më herët më 31 janar 1990, ka pasur demonstrata të fuqishme në Podujevë, e të nesërmen kanë vazhduar edhe në Lupç të Poshtëm.
Fjalët e fundit që thuhet kanë dalë nga goja e Elfetes janë: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?”. Sepse si 16 vjeçare në demonstratë, ajo brengën më të madhe e kishte në atë vend, vëllaun e vet 13 vjeçar.
Si nxënëse e shkollës Ekonomike kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit, kundër okupimit të Serbisë.
Dhe Elfetja sikurse edhe shumë nxënës të tjerë ishin në ballë të qëndresës e të rezistencës, e cila i parapriu pastaj edhe kryengritjes së armatosur e luftës çlirimtare të bartur e udhëhequr nga UÇK-ja.
Mentori bie poashtu dëshmor në maj të vitit 1999-të, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra nëntë vjet më vonë.
Elfete dhe Mentor Humolli janë vëlla e motër, po janë edhe simbol i sakrificës, i flijimit, i njerëzve të këtij vendi, që me qëndrueshmërinë e tyre, ndodhen në rrënjët, në themelet e lirisë e të shtetit tonë, dhe të aspiratave tona për përparim shtetëror, por edhe kombëtar.
Lavdi Elfete Humollit, lavdi Mentor Humollit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!






















