Viti, 16 prill 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të enjten Komunën e Vitisë, ku u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe me Qeverinë komunale.
Kryeministri Mustafa, që shoqërohej në këtë vizitë nga ministrat Hykmete Bajrami, Lutfi Zharku, Imet Rrahmani dhe zëvendësministri Bajram Gecaj, së bashku me kryetarin e Vitisë përuruan edhe Emergjencën e re në këtë Komunë si dhe vizituan Fabrikën VINEX.
Pas takimit me kryetarin e Komunës dhe Qeverinë komunale të Vitisë, në një konferencë për gazetarë kryeministri Isa Mustafa shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Viti, një komunë e cila, siç u shpreh kryeministri, i ka të qarta objektivat dhe i ka të qarta kërkesat të cilat synon t’i realizoj në periudhën e ardhshme kohore.
“Unë jam i vetëdijshëm se nevojat në një Komune siç është Vitia janë shumë të mëdha, që shtrihen nga problemet e punësimit, çështjet sociale, problemet e infrastrukturës rrugore, infrastrukturës shkollore, kulturore, çështjet e vërshimeve të cilat po përsëriten vit pas viti në këtë komunë dhe në komunat përreth të cilat kërkojnë një zgjidhje afatgjatë, në mënyrë që më mos të ndodhin dhe natyrisht përkrahja në ngritjen e standardit të përgjithshëm ekonomik përmes tërheqjes së investimeve të huaja dhe krijimit të hapësirës për këto investime”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se është arritur në një situatë ku duhet të fuqizohet roli i komunave në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe se ky fuqizim nuk mund të bëhet vetëm përmes deklaratave, por se duhet të bëhen ndryshime sistemore të cilat qeverisjen lokale do ta bëjnë më të fuqishme në disa fusha veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik. “Sepse një sinergji e cila duhet të sigurohet ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit lokal në tërheqjen e investitorëve të huaj, dhe në krijimin e një ambienti më të volitshëm ekonomik, është ajo që do të mundësoj punësim më të madh, zgjidhjen e problemeve sociale dhe perspektiven për qytetarët tanë. Çështjet që kanë të bëjnë me vërshimet ne do t’i trajtojmë bashkërisht, do t’i trajtojmë edhe me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, theksoi kryeministri, duke shtuar se do të gjinden zgjidhje afatgjate edhe për komunat përreth, në mënyrë që të sigurohet një zgjidhje e cila nuk do t’i dëmtonte tokat dhe pronat shtëpiake dhe pronat tjera të qytetarëve.
“Poashtu, do të punojmë më Ministrinë e Bujqësisë në mënyrë që të përkrahim projektet bujqësore. Jemi koshient se të mbjellat pranverore janë të rrezikuara për shkak të vërshimeve të mëdha, por do të shohim se si do t’i ndihmojmë bujqit që ata të realizojnë sezonin e tyre, të kenë subvencione dhe të kenë grante për arsye se është fjala për një ambient me një klimë dhe tokë të pëlleshme e cila kërkon dhe meriton investime më të mëdha. Ndërkaq, shkolla në Pozharan është objektiv i cili gjithsesi duhet të realizohet sepse s’mund t’i lëmë 1000 nxënës të mësojnë dhe të punojnë në kushte të pavolitshme. Prapë më gëzon fakti që ne i kemi të kufizuara dhe i kemi shumë të qarta prioritetet dhe kërkesat e tanishme të cilat mendoj se me përpjekje të përbashkëta mund t’i realizojmë, dhe në qoftë se këto i realizojmë në Viti dhe në komunat tjera, mendoj se do të fillojmë ngadalë të realizojmë edhe premtimet dhe synimet tona në fushat të ndryshme, edhe në fushën e shëndetësisë, për atë çfarë ka mbet në shëndetësi, edhe në infrastrukturë sepse do të filloj shpejt edhe rindërtimi dhe rregullimi i rrugëve në këtë pjesë, por edhe në fusha të tjera”, theksoi kryeministri Mustafa, para gazetarëve.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe anëtarët e kabinetit qeveritar për nderin që i kanë bërë Vitisë me vizitën e tyre.
“Bashkëbiseduam për shumë çështje me rëndësi të nivelit të gjithmbarshëm sidomos të nivelit lokal, të Komunës së Vitisë në veçanti. Natyrisht fokusi ynë sot ishte në sfidat që i kemi, në projektet të cilat nuk mund t’i përballojmë si Komunë, problematikat të cilat janë të gjithmbarshme, qoftë sa i përket lumit Morava dhe vërshimeve të tij, qoftë sa i përket aspektit arsimor, sidomos shkollës së Pozharanit që e kemi në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë, qoftë projekteve për bujqësi dhe zhvillimore”, u shpreh kryetari Haliti, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për përkrahjen e ofruar.
Ndërkaq, gjatë përurimit të Emergjencës së re në Viti, kryeministri Isa Mustafa, uroi të pranishmit e shumtë në këtë ceremoni, për këtë objekt tepër të rëndësishëm.
“Objektet e shëndetësisë janë ato të cilat meritojnë kujdes të veçantë, siç meriton shëndetësia në përgjithësi. Një popull i shëndoshë është një popull më perspektivë ekonomike, me perspektivë kulturore, me perspektivë sociale dhe do të bëjmë çdo gjë që qytetarëve tanë t’ju ofrojmë shëndet të mirë, t’ju ofrojmë kushte të mira të trajtimit shëndetësor dhe ndërhyrje të shpejta emergjente që do të jetë roli i kësaj qendre këtu.
Andaj, uroj të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin dhe në sigurimin e këtij objekti por poashtu ju uroj edhe juve që do të punoni këtu dhe që do ta mirëmbani mirë dhe që do t’i shërbeni mirë qytetarët e Vitisë dhe qytetarët e tjerë”, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë ceremonisë.
