Prishtinë, 4 shtator 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 16 vjetorit të Ditës së Policisë së Republikës së Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë më këtë ceremoni, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë profesionalizmin dhe sukseset e arritura nga Policia e Kosovës, duke u bërë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve.
Duk theksuar se Policia e Kosovës është bërë faktor i rëndësishëm i besimit në funksionimin e shtetit të Kosovës, kryeministri Mustafa ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofroj të gjithë përkrahjen e nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Policisë së Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në ceremoni.
I nderuar ministër Hyseni,
I nderuar drejtor i Policisë së Kosovës, Maxhuni,
Të nderuar zyrtarë të Policisë, përfaqësues ndërkombëtarë, diplomatë,
I nderuar ministër i FSK-së, komandant i FSK-së,
Kryeprokuror i Shtetit,
Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,
Të gjithë ju që jeni sot këtu me ne.
Dëshiroj të theksoj se Policia e Kosovës, vazhdon padyshim, të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin tonë. Profesionalizmi dhe performanca e Policisë në terren ka dëshmuar nivelin e lartë të suksesit dhe të përgatitjes, që mund të jetë shembull për rajonin por edhe më gjerë. Këto suksese janë arritur në bazë të përkushtimit tuaj, janë arritur poashtu edhe me përkrahjen e miqve tanë në krijimin dhe ndërtimin e Policisë së Kosovës.
Prandaj, pavarësisht sfidave, Policia po dëshmohet në praktikë me standardet që ajo po i aplikon, që ato standarde janë ndërkombëtare sa i përket zbatimit të ligjit.
Ju keni arritur të realizoni objektivat për sigurinë e vendit tonë dhe të çdo qytetari, në mbrojtje të jetës dhe të pronës, në mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike, në parandalimin dhe zbulimin e krimit, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve, keni arritur të zbatoni kritere të barabarta për të gjithë qytetarët tanë.
Roli i Policisë, sikurse edhe i organeve tjera të sigurisë dhe të drejtësisë, jo vetëm tek ne por edhe në aspekte globale po sfidohet me probleme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Prandaj, ne kemi nevojë të ndërtojmë një aleancë të brendshme me të gjitha institucionet e shtetit, me shoqërinë civile, bashkësitë fetare dhe qytetarët tjerë për të mbrojtur interesat e vendit tonë, për të mbrojtur sovranitetin dhe për të mbrojtur vlerat e një shoqërie dhe një shteti multietnik.
Tani ne po përfundojmë Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, dhe kjo strategji kërkon një sinergji të të gjitha subjekteve shtetërore dhe sociale të vendit tonë.
Kemi synim të bëhemi pjesë e aleancës globale për siguri dhe stabilitet, prandaj presim edhe përkrahjen në anëtarësim tonë në INTERPOL dhe EUROPOL.
Synimet tona janë të forcojmë shtetin ligjor, të ashpërsojmë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të mbrojmë paranë dhe pronën publike, sikurse edhe pronën private, të krijojmë besim për investitorët vendor dhe ata të jashtëm. Zhvillimi ekonomik kërkon siguri më të madhe, kërkon efikasitet të drejtësisë dhe krijon besim në shtetin.
Për fat të mirë, Policia e Kosovës është bërë faktor i rëndësishëm i besimit në shtetin dhe në funksionimin e tij. Jam i vetëdijshëm se kemi ende shumë të për bërë për ta forcuar Policinë e Kosovës, për ta pajisur më mirë, dhe ju siguroj se jemi në rrugë të mbarë.
Por, poashtu, me keqardhje duhet të konstatoj, se kemi raste të lëndimeve të shumta të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që ishin në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës së tyre, sikurse edhe në mbrojtje të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Dhe unë nga këtu, i ftoj të gjitha institucionet që të sigurojnë që të veproj ligji në të gjitha këto raste. Askush nuk ka të drejtë të qoj dorë mbi Policinë, e cila kujdeset për rendin dhe ligjin, dhe çdo njeri që këtë tenton ta bëjë ose e bën, duhet të përgjigjet para ligjit. Do të përgjigjen para ligjit, poashtu, edhe të gjithë ata që e keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare.
Me këtë rast, më lejoni që të shfrytëzoj këtë përvjetor dhe të kujtojmë me respekt të gjithë ata, që gjatë këtyre viteve, ranë në detyrë nga radhët e Policisë së Kosovës.
Ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofroj të gjithë përkrahjen e nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Policisë së Kosovës, në mënyrë që qytetarët tanë pa dallim, dhe vendi ynë në përgjithësi të jenë të sigurt dhe të jenë të qetë në të ardhmen e tyre.
