Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në përurimin e objektit të ri të Pallatit të Drejtësisë


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 25 mars 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kanë bërë përurimin zyrtar të objektit të ri të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitete të tjera të larta vendore e ndërkombëtare, si dhe zyrtarë e punonjës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa si dhe të komisionerit Hahn, në këtë ceremoni.

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa:

E nderuara Presidente e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,
I nderuar Komisioneri Hahn,
I nderuar përfaqësues i Bashkimit Evropian z. Zhbogar,
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të EULEX-it, deputetë, ministra, përfaqësues të organeve të drejtësisë, të gjithë ju që jeni këtu sot, ju përshëndes të gjithëve, ju uroj mirëseardhje.

Sot jemi të gjithë këtu për një ngjarje tepër të rëndësishme dhe për një ngjarje të veçantë për ne. Gjendemi në një objekt i cili për nga pamja e tij na jep ndjenjën se jemi në një vend të Bashkimit Evropian.
Jam shumë i lumtur që së bashku me ju sot marrim pjesë në inaugurimin e Pallatit të Drejtësisë, një projekt madhor i realizuar dhe i bashkë financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me truallin që e ndau Komuna e Prishtinës.

Me këtë rast, dëshiroj posaçërisht të falënderoj Komisionerin Han për praninë e tij sot këtu, falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe sidomos sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Është evidente se Bashkimi Evropian ka kontribuar shumë në krijimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë, ka kontribuar në forma të ndryshme, përmes asistencës në ngritjen e kapaciteteve, përmes Misionit të EULEX-it, përmes projekteve IPA-s dhe formave tjera.

Ne jemi të gjithë falënderues për këtë përkrahje të vazhdueshme dhe poashtu ne po bëjmë hapa të domosdoshëm për pavarësimin e sistemit të drejtësisë dhe për forcimin e sistemit të drejtësisë. 

Ky Pallat i ndërtuar me standardet evropiane, ofron një hapësirë të madhe për ushtrimin e funksionit të Gjykatave dhe Prokurorive dhe ju mundëson qytetarëve qasje më të lehtë në institucionet e drejtësisë.

Ashtu siç është planifikuar, 4 ndërtesat në kuadër të Pallatit të Drejtësisë, do të shërbejnë për akomodimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme të Kosovës, si dhe për Prokuroritë respektive, duke përfshirë edhe stafin e EULEX-it.

Si Qeveri ne jemi shumë të përkushtuar që sistemi i drejtësisë në vend të ndërtohet me standarde evropiane. Unë mendoj se parakushtet themelore si infrastrukturë fizike i kemi siguruar.

Në programin e Qeverisë për periudhën 2015-2018, kemi shprehur përkushtimin dhe angazhimin tonë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe që shteti i së drejtës të bëhet prioritet mbi prioritetet tek ne.

Jemi të përkushtuar që sundimi i ligjit të mos ketë asnjë kompromis. Prandaj, le të jetë ky një rast i ri për sistemin e drejtësisë në Kosovë, le të jenë këto kushte edhe një kusht që të gjithë ata që punojnë në forcimin e mëtutjeshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës të japin kontributin e tyre.

Në fund, dëshiroj të uroj të gjithë stafin që tanimë janë vendosur në këtë Pallat të Drejtësisë, dhe ju bëjë thirrje që të shfrytëzojnë maksimalisht këto ambiente, me qëllim që qytetarëve dhe bizneseve t’iu mundësohet një qasje më e lehtë në institucionet e drejtësisë dhe që të ngritet efikasiteti i punës në vazhdimësi.

Ne jemi të vetëdijshëm se në realizimin dhe përfundimin e këtij objekti dhe kompletimin e tij ka pas një angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm të Komisionit Evropian, të Ministrisë së Drejtësisë, të Ministrisë së Administratës Publike, të organeve të drejtësisë përkatësisht të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Prandaj i falënderoj të gjithë ata dhe uroj që të jenë pjesë e suksesit sot dhe në të ardhmen.

Urime dhe suksese!

**************************************************************************************************

Fjalimi i Komisionerit Hahn – Pallati i Drejtësisë në Kosovë

Mirëmëngjesi Kryeministër Mustafa, Ministra, shkëlqesia juaj, zonja dhe zotërinj. Mirë se vini këtë mëngjes në këtë vend madhështor jashtë Prishtinës. Kam kënaqësinë të jem këtu sot. Kam dëgjuar shumë për këtë Pallat të Drejtësisë dhe jam shumë i kënaqur që kam mundësinë sot që ta shoh këtë objekt përfundimisht me sytë e mi.

Në të vërtetë, ky Pallat i Drejtësisë nuk duket fare sikur ai që kam paramenduar për një pallat të drejtësisë, ose sikur fotografitë të cilat mund t’i gjeni në internet. Në fakt, ai duket shumë më mirë. Planet për këtë projekt datojnë që nga viti 2008. Ne jemi pajtuar së bashku se ka mungesë të infrastrukturës së duhur gjyqësore në Kosovë. Bashkimi Evropian ka mbështetur Kosovën në këtë projekt të madh si një pjesë integrale të përpjekjeve të saj për të ndihmuar në fuqizimin e sundimit të ligjit. Pesë objektet që po i hapim sot do të sistemojnë Gjykatën Themelore të Prishtinës, Zyrat e Prokurorisë Themelore dhe të Apelit të Prishtinës, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht gjykatësit, prokurorët dhe stafin e EULEX-it. Kjo ndërtesë paraqet një investim prej shumë milionë eurosh, në të cilin BE ka kontribuuar me më shumë se 25 milionë dhe Kosova me 5 milionë euro. Puna në këtë ndërtesë ka filluar në vitin 2011 dhe ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. 

Jam i mahnitur me punën e madhe që është bërë në bërjen e këtij lokacioni në masë të madhe operacional brenda një kohe aq të shkurtër. E kam marrë vesh se një pjesë e madhe e stafit të gjykatave dhe prokurorisë tashmë janë zhvendosur në këtë ndërtesë dhe gjykimet dhe seancat po mbahen në salla të mobiluara në mënyrë adekuate. Prandaj, dikush mund të thotë që “gjykata është në seancë”! Ju përgëzoj për këtë arritje të mrekullueshme.  

Është e rëndësishme që Kosova ju përmbahen angazhimit që t’i japë dorën e fundit punëve dhe ç’është më e rëndësishmja për ta përfunduar infrastrukturën e sigurisë.

Por, ta zhvendosim këtë bisedim për ndërtesën në punën e vërtetë që duhet bërë në të. Sundimi i ligjit është themeli mbi të cilin është ndërtuar BE-ja. Ata që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian duhet të promovojnë funksionimin e duhur të institucioneve themelore që sigurojnë sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është vlerë qenësore demokratike por njësoj e rëndësishme për një mjedis afarist stabil, duke siguruar siguri ligjore për operatorët ekonomikë, duke mbështetur konsumatorët dhe duke stimuluar investimet, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin. Një gjyqësor funksional, i paanshëm dhe i pavarur është një pasuri pa të cilën nuk mund të funksionojë një vend stabil dhe i suksesshëm. 

Kushtetuta e Kosovës mbron pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Është e rëndësishme që këto parime të zbatohen edhe në praktikë. Kjo kërkon pavarësinë e këshilleve gjyqësore dhe prokuroriale, arsim të mirë ligjor, procedura të duhura emërimi dhe shkarkimi, kritere për vlerësim dhe performancë, procedura disiplinore. Dhe ajo kërkon llogaridhënie, efikasitete dhe cilësi në ndarjen e drejtësisë. 
BE-ja po mbështet ndërtimin e një gjyqësori të pavarur në Kosovë. Një bllok i ndërtesave të rëndësishme është edhe ky Pallat i Drejtësisë, në të cilin do të mbështetet zhvillimi dhe fuqizimi i mëtejshëm i “ndërtimit të sundimit të ligjit” në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në këtë përpjekje. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku në këtë drejtim, jo vetëm me politikanë dhe vendimmarrës të tjerë, por edhe me praktikues të drejtësisë, do të thotë me gjykatës, prokurorë dhe me stafin e tyre.

Zonja dhe zotërinj, kjo ndërtesë madhështore tani është gati. Gjyqësori i Kosovës tani ka një shtëpi. Ju tani keni rast dhe obligim që ta shfrytëzoni mirë dhe t’u tregoni qytetarëve të Kosovës se ju mund të ndani drejtësi.

Urime dhe paçi fat. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors