Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot një delegacion nga Parlamenti Evropian, të udhëhequr nga Eduard Kukan


Image


Image

Prishtinë, 31 tetor 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim Delegacionin e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, të kryesuar nga z. Eduard Kukan.

Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

Kryeministri Thaçi, në takimin e sotëm prezantoi të arriturat e shtetit të Kosovës në vitet e pas pavarësisë, me theks të veçantë të arriturat në procesin e integrimit evropian.

Republika e Kosovës tashmë ka filluar edhe zyrtarisht negociatat me Komisionin Evropian për marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe shpresojmë shumë se do të përmbyllen sipas dinamikës së paraparë, – theksoi z.Thaçi.

Kryeministri Thaçi e njoftoi delegacionin e Parlamentit Evropian për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, të cilat zhvillohen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë.

Kryeministri Thaçi në takim e falënderoi delegacionin e Parlamentit të Evropian për mbështetjen që ky institucion i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e zhvillimit dhe integrimit.

Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Arritja e marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nga dy bashkëbiseduesit u cilësua marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe me ndikim edhe forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore, kryesuesi i këtij delegacioni, Eduard Kukan, vlerësoi të arriturat e shtetit të Kosovës në periudhën e pas pavarësisë.

Në të njëjtën kohë, z.Kukan theksoi rëndësinë e adresimit të plotë të të gjitha sfidave në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shtoi se zhvillimi me sukses i zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 3 nëntor do të jetë një sinjal shumë i rëndësishëm për suksesin e mëtejmë të shtetit të Kosovës. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors