Prishtinë, 29 mars 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi priti sot në një takim ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Dr. Karl – Theodor Freiherr zu Guttenberg me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe perspektivën e integrimeve evropiane të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi përmes ministrit Guttenberg ka falënderuar shtetin dhe popullin gjerman për mbështetjen dhe përkrahjen që i kanë dhënë vendit tonë, demokratizimit, ndërtimit të shoqërisë multietnike dhe posaçërisht ndihmës për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Natyrisht se FSK-së i mbetet ende për të bërë që të arrij standardet e duhura “theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se do të kemi edhe më tutje mbështetjen edhe më të madhe të Gjermanisë. Z. Thaçi më tutje ka thënë se suksesi i Kosovës është i prekshëm , kemi ndërtuar raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe kemi vullnet që për çështje konkrete të bashkëpunojmë edhe me autoritetet në Serbi.
Kryeministri Thaçi ka njoftuar ministrin gjerman të Mbrojtjes edhe lidhur me reformat në drejtësi së bashku me EULEX-in dhe ICO-në dhe punën e përbashkët me KFOR-in.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Dr. Karl – Theodor Freiherr zu Guttenberg theksoi progresin e arritur në Kosovë sidomos në çështjet e sigurisë. Z. Gutemberg potencoi zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë si rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë.
Z. Guttenberg premtoi se edhe më tutje vendi i tij është i gatshëm të mbështes si edhe deri tash FSK-në.
