Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në një takim përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit


Image


Image


Image

Prishtinë, 09 tetor 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e sotëm që pati me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, diskutoi për sfidat me gtë cilat po përballen qytetarët shqiptarë të kësaj ane dhe për mundësitë e tejkalimit të tyre në shërbim të lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve të këtij rajoni.

Kryeministri Thaçi theksoi përkushtimin tij dhe të Qeverisë së Republikës në mbështetje të afirmimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Pas takimit kryeministri Thaçi dhe udhëheqësi i delegacionit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, Jonuz Musliu u deklaruan për media.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

Unë sonte kisha kënaqësinë që t’i takoj të gjithë liderët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me të cilët diskutuam për bashkëpunimin e shtetit të Kosovës me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin. Për angazhimet shtesë të shtetit të Kosovës.

Unë dëgjova me vëmendje preokupimet, shqetësimet por edhe përkushtimet e tyre për afirmimin e të drejtave kombëtare dhe demokratike të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, aspirata këto të drejta, të mbështetura gjithmonë nga unë si kryeministër i vendit dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Janë inkurajuese edhe përkushtimet  dhe vendosmëria e lidershipit shqiptar në Preshevë. Qëndrimi i tyre unik, parimor dhe i qëndrueshëm, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, si përfaqësues legjitimë të tyre në të gjitha takimet, me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe në takimet e fundit që kanë pasur me zëvendëskryeministrin e Serbisë.

Shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt do të kenë takime edhe në nivel të kryeministrit, për të shqyrtuar të gjithë mundësitë për institucionalizimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, të drejta këto që duhet të jenë në përputhshmëri me standardet më të larta ndërkombëtare.

Duke filluar nga hapja e Universitetit në Preshevë, për çka Qeveria e Kosovës do të mbështetë plotësisht me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet.

Unë gjithmonë do ta respektoj vullnetin e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, për të ardhmen e tyre demokratike, për të drejtat e tyre kombëtare.

Për mua është një kënaqësi e veçantë sonte t’i takoj të gjithë këta liderë, që janë edhe miq të mi. Për mua ka qenë edhe një privilegj gjithmonë në jetën time që një kohë të jetës time e kam kaluar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Prandaj, i kuptoj dhe i ndiejë ato përkushtime të tyre, nevojë për ndryshime pozitive.

Në këtë kuadër, në takimin që zhvilluam sonte, unë kam vendosur që për t’ua lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, në drejtim të Kosovës të heqim plotësisht taksën për veturat, për lëvizje të lirë, në mënyrë që të krijojmë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje.

Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat që hyjnë në Kosovë apo dalin dhe këto obligime do t’i merr Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithçka që do varet nga Qeveria e Kosovës, ne do t’i realizojmë ato objektiva dhe synime të lidershipit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ne të gjithë jemi duke punuar për një ambient të qetë, ta bashkëpunimit, ta hapjes së kufijve, të një rajoni evropian, të standardit evropian.

Faleminderit shumë!

***********************************

Udhëheqës i delegacionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, Jonuz Musliu,  fillimisht falënderoi kryeministrin Thaçi për ftesën dhe për mbështetjen që po i jep ai dhe shteti i Kosovës, shqiptarëve të kësaj treve, me theks të veçantë për heqjen e taksave.

“Na gëzon edhe fakti se që nga sonte po hiqen taksat nga Qeveria e Kosovës, sepse kemi qenë ta bllokuar” u shpreh udhëheqësi i delegacionit Jonuz Musliu.

Z.Musliu po ashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e Kryeministrit Thaçi për hapjen e Universitetit në Luginën e Preshevës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors