Prishtinë, 2 korrik 2013
Fjala e plotë e kryeministrit Hashim Thaçi, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt:
Pata kënaqësinë që të takoj sot ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, z. Bildt, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Ne sapo jemi takuar edhe në Zagreb, ku kemi pasur bisedë të shkëlqyeshme.
Mund të them lirisht se nga takimi i fundit që kemi zhvilluar në zyrën e tij dhe deri tek ky takim sot, rajoni i Ballkanit ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme në kuptimin më pozitiv të mundshëm.
Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian është një mesazh për të gjithë rajonin, pastaj fillimi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në të njëjtën kohë është një mesazh për të dy vendet dhe popujt tanë, por edhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, organizimi i zgjedhjeve me standardet më të mira, të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, është mesazh i mirë për rajonin.
Të kthehemi në çështjet tona, të cilat na preokupojnë. Kisha kënaqësinë që të informoja ministrin Bildt për punët e mira që po bëhen nga Kosova në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ne do të kryejmë të gjitha obligimet tona që dalin nga ky proces, edhe implementues.
Takimi tjetër në mes të dy kryeministrave, nën udhëheqjen e baroneshës Ashton, do të ndodhë me datën 8 korrik, ku do të diskutohen çështjet e telekomunikacionit dhe të energjisë, ndërsa në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me agjendën tonë implementuese.
Sapo kemi ratifikuar marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga Parlamenti i Kosovës, ndërsa të enjten do të procedohet ligji për amnisti. Është një vullnet i mirë i dyanshëm, por edhe përgjegjësi që në kuadër të këtyre proceseve të mëdha dhe historike që po ndodhin, të lëvizim edhe më shpejt drejt perspektivës evropiane.
Edhe fillimi i procesit të Stabilizimi-Asociimit për Kosovën është një arritje e jashtëzakonshme, e futjes në binarë të shtetit të Kosovës, pra në binarë evropianë. Ne do të lëvizim shpejtë, do të lëvizim në mënyrën më cilësore të mundshme. Është kjo një arritje e merituar, dhe unë kam besim të plotë se në të ardhme ne afërt do të kemi edhe liberalizimin e vizave.
Kisha kënaqësinë që të informoja ministrin Bildt për të gjitha këto të arritura në Kosovë, por natyrisht edhe për sfidat.
Ne po përgatitemi, i nderuari Bildt, që gjatë kësaj vjeshte të organizojmë edhe zgjedhjet lokale për herë të parë në një ditë në të gjithë territorin e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, duke përfshirë edhe serbët nga veriu, që pastaj të kemi lidershipin legjitim, të kemi adresat legjitime, dhe njerëzit të zgjedhin vullnetshëm përfaqësuesit e tyre, që pastaj të komunikojmë dhe bashkëpunojmë ngushtë si Qeveri qendrore me nivel lokal.
Edhe njëherë dëshiroj, z. Bildt, t’iu falënderoj juve personalisht për angazhim tuaj personal, për mbështetjen e vazhdueshme që i keni dhënë edhe Kosovës, edhe rajonit, në veçanti procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ju ishit një nga të parët që keni besuar në arritjen e kësaj marrëveshje, që keni investuar dhe na keni përkrahur. Ju jemi shumë mirënjohës juve dhe shtetit tuaj.
Fjala e ministrit të Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt
Faleminderit z. Kryeministër.
Më lejoni që tash të përsëris diçka që thash gjatë takimit tonë. Vërtetë urime të thella për ju si kryeministër dhe për Kosovën për dy arritje shumë të mëdha që keni pasur javëve dhe muajve të fundit: marrëveshja me Beogradin, edhe pse keni shumë çështje të implementimit përpara juve.
Jam absolutisht i bindur për vendosmërinë tuaj për të arritur zbatimin, dhe po ashtu kam pasur një bisedë shumë inkurajuese në Beograd, dhe nuk kam dyshim se ata janë të vendosur që të bëjnë pjesën e tyre të implementimit.
E dyta, drita e gjelbër për të filluar bisedimet e negocimit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, që do të thotë edhe fillimi i marrëdhënieve kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së, dhe pastaj lëvizja përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Siç e tha edhe kryeministri, kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe për Serbinë, gjithashtu besoj se është shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin, që i tërë rajoni, nëse janë në gjendje të tejkalojnë problemet nga e kaluara, të bisedojnë me njëri-tjetrin, vërtetë mund të lëvizim përpara.
Me këtë mundësohet se do të ketë edhe zhvillim më të mirë ekonomik dhe social në vitet e ardhshme.
Sot ka marrë një ditë me diell këtu, që është shumë mirë, por po shndrit jo vetëm në aspektin fizik, por gjithashtu është një kohë e mirë për tërë rajonin, për Kosovën.
Dëshiroj t’iu falënderoj personalisht juve z. Kryeministër për përpjekjet e bëra deri më tani.