Prishtinë, 8 qershor 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Paris, është pritur sot në pallatin presidencial nga presidenti i Francës, Nikola Sarkozy.
Në takim është biseduar lidhur me thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë konfirmimin nga presidenti Sarkozy, se shteti francez do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për shtetin e ri të Kosovës.
Franca është e angazhuar plotësisht përkrah Kosovës, për ta mbështetur në rrugën e konsolidimit demokratik dhe të prosperitetit, është thënë në takim.
Kryeministri Thaçi dhe presidenti Sarkozy në takim kanë diskutuar edhe rreth përfshirjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Në takimin mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Sarkozy, është biseduar edhe për sukseset dhe sfidat e Kosovës në thellimin procesit të reformave në rrugën e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.
Me këtë rast, presidenti francez, Sarkozy ka shprehur mbështetjen e plotë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Po ashtu, në takimin e përzemërt mes dy burrshetatsve, presidenti Sarkozy ka pranuar ftesën e kryeministrit Hashim Thaçi për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, vizitë kjo që do të realizohet gjatë vitit.
Pas takimit me presidentin e Francës, Nikola Sarkozy, kryeministri i Republikës së Kosovës është takuar në një drekë pune edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë mbështetje nga ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Kouchner i ka rikonfirmuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përkrahjen e shtetit francez në procesin e lobimit për zgjerimin e mbështetjes ndërkombëtare për shtetin e ri të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi, po sot në Paris, ka mbajtur një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të Huaja.
Kjo është vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Paris, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
