Prishtinë, 16 dhjetor 2014
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, pranoi një telegram urimi nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama me rastin e zgjedhjes si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Në telegramin e urimit të Kryeministrit Rama thuhet:
Zoti Kryeministër,
I dashur Isë,
Emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rëndësi për Ju dhe mbarë vendin. Është kënaqësi e veçantë t’Ju përcjell, me këtë rast, urimet më të mira për sukses në detyrën e lartë që Ju është mirëbesuar.
Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Këto marrëdhënie unike në llojin dhe historinë e tyre, rajoni dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm i kërkon sa më solide, frytdhënëse dhe paqeformuese. Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom pionier për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembulli i gjallë i një integrimi të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Europian.
Cilado qofshin vështirësitë që do të mund të shfaqen, kam bindje të fortë se në bashkëpunim me Qeverinë e re të koalicionit, të drejtuar prej Jush, realizimi i prioriteteve të agjendës së përbashkët do të përshpejtohet. Në këtë proces historik, ne jemi të inkurajuar e të mbështetur fuqishëm edhe nga platforma e Samitit të Berlinit.
Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, do të ishte mëse e mirëpritur.
Me konsideratën më të veçantë,
Sinqerisht,
Edi Rama
