Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, uron fillimin e vitit të ri shkollor 2009/2010

Prishtinë, 31 gusht 2009

Në urimin e Kryeministri të Republikës së Kosovës thuhet:

Të nderuar mësimdhënës, nxënës dhe punonjës të arsimit,

Fillimi i vitit të ri shkollor 2009/2010 Kosovën e gjen më të përgatitur për betejën e dijes, edukimit dhe ngritjen cilësore të kushteve të punës për mijëra mësimdhënës dhe nxënës anembanë vendit tonë.

Gjatë këtij viti Kosova ka shënuar të arritura të rëndësishme në planin e integrimeve ndërkombëtare, stabilitet të brendshëm dhe përparim të dukshëm në të gjitha drejtimet.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vazhduar ta ketë prioritet përmirësimin e  kushteve të punës dhe avancimin e edukimit në të gjitha nivelet .
Kontributi i mësimdhënësve në ngritjen e gjeneratave të reja për t’u bërë konkurrentë me moshatarët e tyre në nivel botëror është synim i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Të nderuar mësimdhënës,

Duke ditur rolin tuaj historik, duke çmuar  misionin tuaj edukativ, Qeveria e Kosovës zotohet se çdo vit e më shumë do të përmirësojë  kushtet tuaja materiale e financiare.

Duke pasur besim në punën tuaj dinjitoze, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Urime dhe suksese!

Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors