Prishtinë, 23 shkurt 2011
Baronesha Catherine Ashton me këtë rast ka përcjellë kryeministrit Hashim Thaçi urimet më të mira për zgjedhjen dhe konsolidimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Ashton ka siguruar z. Thaçi për mbështetjen e Bashkimit Evropian për vizionin dhe përkushtimet e Republikës së Kosovës për implementimin e të gjitha kritereve për integrimin e saj në institucionet euroatlantike dhe aspiratën për perspektivën evropiane të Kosovës.
Kryeministri Thaçi duke falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen nga Bashkimi Evropian, ka premtuar se institucionet e reja do të trajtojnë me prioritet vazhdimin e reformave të thella në politikë, ekonomi dhe legjislacion, me theks të veçantë në fuqizimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe integrimin e plotë të të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare.
Me tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë me përkushtim për paqen dhe bashkepunimin e mirë me fqinjët në rajon.
Kryeministri Thaçi dhe baronesha Ashton janë pajtuar që të zhvillojnë një takim të përbashkët në një të ardhme të afërt.