Prishtinë, 8 korrik 2011
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Dubrovnik, ku po merr pjesë në Samitin e Kroacisë, ka zhvilluar takime të ndara me liderët dhe homologët e tij të vendeve të rajonit.
Në takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e marrëdhënieve të mira në mes të dy vendeve, ndërsa në takim me kryeministren e Kroacisë, Jadranka Kosor, ka biseduar për bashkëpunimin dhe ndihmën që shteti kroat mund t’i ofrojë Kosovës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Hashim Thaçi është takuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Në takim me kryeministrin maqedon, është biseduar për marrëdhëniet e mira fqinjësore në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, për bashkëpunimin e ndërsjellët në rrugën e integrimeve evropiane dhe të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Një takim të veçante, kryeministri ka zhvilluar edhe me kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme, në të cilin është biseduar për angazhimet që populli i Kosovës dhe institucionet e saja janë duke ndërmarrë në funksion të procesit të integrimeve evropiane.
Kryeministrit Hashim Thaçi dhe bashkëbiseduesit i tij kanë konstatuar fuqimisht se perspektiva e vendeve të rajonit është integrimi i plotë në Evropë dhe në ndërtimin raporteve ndërshtetërore sipas modelit evropian.
