Prishtinë, 14 mars 2012
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi, ka ritheksuar qëndrimin e shtetit të Kosovës dhe të institucioneve të saj, për të kundërshtuar pretendimin e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme në territorin e Republikës së Kosovës.
“Ky pretendim është në kundërshtim të plotë me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës, por, gjithashtu në kundërshtim të plotë edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe normat tjera ndërkombëtarë mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri ka vlerësuar se pretendimi i Serbisë për të organizuar zgjedhje brenda territorit të Kosovës, është përpjekje për agresion ndaj Kosovës. Gjithashtu, kryeministri Thaçi ka vlerësuar se kjo sjellje e Serbisë është antievropiane dhe bie ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe me perspektivën evropiane të shteteve tona.
“Prandaj Qeveria e Kosovës do të përdorë të gjithë mekanizmat e vet kushtetues dhe ligjor që ky pretendim i Serbisë të mos realizohet në territorin e Kosovës as për zgjedhje lokale e as për ato të përgjithshme”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi dhe ka theksuar se të vetmet zgjedhje legale në Kosovë janë zgjedhjet që organizohen nga institucionet e vendit tonë.
Kabineti qeveritar ka aprovuar Rregulloren e përkohshme për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ka marr vendim për plotësimin e Programit legjislativ të Qeverisë së Kosovës për vitin 2012 me dy nisma të reja ligjore.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka emëruar Fadil Kodrën, kryeshef ekzekutiv të Agjencionit për Menaxhimin Emergjent dhe ka dhënë pëlqimin e përcaktuar nga neni 3 i Ligjit për Prokurim Publik për procedurat e tenderimit për furnizim me pajisje të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në mbledhje është aprovuar edhe plotësim ndryshimi i vendimit për themelimin e Bordit për Monitorimin e Strategjisë për Integrimin e Personave të Riatdhesuar në këtë përbërje:
1 Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, kryesues;
1 Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, zv. kryesues;
2 Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së, anëtar;
3 Sekretari i Përgjithshëm i MASHT-it, anëtar;
4 Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, anëtar;
5 Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, anëtar;
6 Sekretari i Përgjithshëm i MPMS-së, anëtar;
7 Sekretari i Përgjithshëm i MF-së, anëtar;
8 Sekretari i Përgjithshëm i MKK-së, anëtar;
9 Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, anëtar;
10 Drejtori i DSHAM-it/MPB, anëtar.
Ndërsa në cilësinë e ekspertëve të këtij bordi do të jenë:
1 Përfaqësuesi i MPB-së;
2 Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, anëtar;
3 Përfaqësuesi i UNHCR-it, anëtar;
4 Përfaqësuesi i IOM-it, anëtar.