Prishtinë, 26 mars 2010
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 116-të nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka aprovuar rekomandimet e Komitetit Drejtues Ndërministror për projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë- Merdare “Rruga 7”.
Kryeministri Thaçi fillimisht ka uruar gjithë ekipin e Komitetit Drejtues Ndërministror për punën e palodhshme edhe të durueshme por edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në procesin e arritjes së një marrëveshje mjaft e favorshme për vendin me kompaninë Bechtel-Enka.
Në vazhdim para kabinetit qeveritar në emër të Komitetit Drejtues Ndërministror ministri Fatmir Limaj ka prezantuar rekomandimet për projektin e autostradës Vërmicë-Morinë-Merdare “Rruga 7”.
“Sot ne të gjithë jemi dëshmitarë që përfundimisht po përmbyllet faza e fundit e procedurave administrative dhe ligjore. Të gjithë duhet të ndihemi krenarë për investimin më kapital që është bërë deri më tani në vendin tonë”, theksoi z. Limaj.
Sipas ministrit Limaj gjerësia e rrugës është 28 metra, me dy shirita qarkullues me 3.5 metra e tipit të mbyllur, me hyrje dalje vetëm nëpër kyçje. Do të ketë mburojë mbrojtëse dhe mure kudër zhurmës. Do të ketë taksë rrugore. Kohëzgjatja e punimeve nga dita e fillimit do të jetë 36 muaj. Në këtë punë do të angazhohen rreth 6000 punëtorë prej të cilëve 4000 vendorë. Kontrata e Qeverisë me Bechtel- Enka do të bëhet sektor pas sektori dhe fillon nga Vermica deri në qafë të Duhlës. Kur të vijë në Duhël, kompania do ti ofrojë Qeverisë së Kosovës tri studime të projektit që pastaj Qeveria të marrë vendim për drejtimin e autostradës varësisht nga interesi i vendit. Rruga do të fillojë në Vermicë dhe përfundon në Merdare.
Ndërkaq, ministri Ahmet Shala ka thënë gjithë fokusi i MEF është përqendruar në sigurimin e financimit nga të hyrat e rregullta buxhetore
Qeveria sot ka miratuar propozimin për plotësimin e Strategjisë legjislative për vitin 2010. Ministri Ahmet Shala ka propozuar plotësimin e ligjit për shpronësimin e pronave të paluajtshme në mënyrë që procesi i autostradës të ecë me shpejtësinë dhe kërkesën e kohës.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uroj gjithë qytetarët për fillimin e realizimit të kësaj ëndrre shekullore të gjithë shqiptarëve.
“Është moment i ri dhe shumë historik për Republikën tonë dhe gjithë qytetarët. Po realizohet ëndrra shekullore e qytetarëve. Autostrada i jep Kosovës dalje në det. E ndihmon tregtinë e Kosovës, i ndihmon qytetarët duke u krijuar mundësi të reja të lëvizjes së lirë”, theksoi z. Thaçi duke shtuar se ndërtimi i autostradës do të krijojë mijëra vende të reja të punës. Realizimi i këtij projekti dëshmon se shteti i Kosovës ka krijuar ambient të sigurt për një investim rreth 700 milionë euro që do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët potencialë dhe kreditë e buta.
“Është ky projekti më i madh dhe dua të theksoj se është mrekulli që po fillojmë me këtë projekt madhor në kohën që kriza globale financiare ende nuk ka përfunduar”, pohoi z. Thaçi. Më tutje kryeministri Thaçi ka ritheksuar se i gjithë procesi ka qenë i hapur, i pastër, transparent dhe në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.
“Nga dita e parë e fillimit të autostradës Vërmicë – Merdare puna nuk do të ndalet deri në përmbylljen e suksesshme të këtij projekti madhor për Kosovën dhe rajonin dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi që të përmbyllet në afatin e paraparë”, premtoi kryeministri Hashim Thaçi.
