Prishtinë, 21 mars 2018
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur miratimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Parlamenti i Kosovës sot votoi ligjin për demarkacionin me Malin e Zi!
Ligji përmban Marrëveshjen e Gushtit të vitit 2015, Raportin e Komisionit Shtetëror dhe aneks-marrëveshjen e dy presidentëve, që janë bazë e pakontestueshme ligjore për korrigjimin e gabimeve që janë bërë.
Detyra e parë e Qeverisë dhe forcave politike të pozitës dhe të opozitës, mbetet që së bashku ta përfundojmë procesin e korrigjimit të vijës kufitare. Do të jemi të pakompromis në realizimin e këtij objektivi.
Jemi të bindur se me plotësimin e këtij kriteri të parashtruar padrejtësisht ndaj nesh, qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të lëvizin pa viza!
Kryeministri Ramush Haradinaj.
