Kosova është shtet i ri, shoqëri e hapur për diturinë, shkencën dhe edukimin – thekson Kryeministri Thaçi në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skënderaj


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 5 korrik 2013

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e organizuar me rastin e vënies së gurthemelit të gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skënderaj

I nderuari baca Rifat,
I nderuari ministër, zëvendësministra,
Të nderuara struktura komunale të Skënderajt,
Të nderuar profesorë, pedagogë dhe veteranë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar nxënës,

Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju uroj për fillimin e ndërtimit të kësaj hapësire të re të Gjimnazit në Skënderaj. Urime të gjithëve.

Sot, në Skenderaj po vihet gurthemeli i ndërtesës së re të Gjimnazit “Hamëz Jashari”.

Ndërsa deri sa sot ne po vejmë gurthemelin e ndërtesës së re, jam i bindur se inaugurimin do ta bëjmë bashkërisht me kryetarin Lushtaku, ide e së cilit ishte edhe ky projekt i ndërtimit të objekteve të reja për arsimin dhe edukimin në Skenderaj.

Është ky gurthemeli i ndërtesës që bart emrin e një burri të lavdishëm, emri i të cilit qëndron në gurthemelet e lirisë së Kosovës.

Këtu do të ngrihet Gjimnazi “Hamëz Jashari”, një vatër e përjetshme e diturisë, edukimit, emancipimit dhe kultivimit të vlerave humane dhe shkencore në zemër të Drenicës.

Sot, Skenderaj ka festë.

Për të ardhur deri te kjo ditë e ngritjes së tempujve të diturisë në Kosovën e lirë, Skenderaj dhe ju qytetarë të nderuar keni kaluar nëpër një shekull historie.

Nëpër një shekull ëndrre për një shtet të lirë, për një jetë me dinjitet dhe krenari legjitime.

Dhe, këtë e keni arritur.

E kemi arritur të gjithë bashkërisht, me mund, guxim, përkushtim të pathyeshëm për idealin e lirisë.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë këtu u sprovua qëndresa më heroike e Kosovës për liri dhe pavarësi, me Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ishin Jasharët legjendarë ata që përfundimisht po flijoheshin në etapën e fillimçlirimit të Kosovës, duke u bërë model unikat në historinë e njerëzimit.

Ishte mësuesi veteran, Shaban Jashari, komandanti legjendar, Adem Jashari, intelektuali patriot Hamëz Jashari, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, fëmijët e shumtë ata që gjakun e tyre e vunë në gurthemelet e lirisë së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Ëndrra për lirinë e Kosovës u bë realitet sepse idealet e Jasharëve, ideali i patriotit dhe atdhetarit të shquar Hamëz Jashari ishin ideale të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Vizionin e Kosovës për liri dh pavarësi, vizionin politik dhe ushtarak të UÇK-së e mbështeti tërë bota shqiptare, e mbështeti bota demokratike.

Dhe, Kosova përfundimisht u çlirua katërmbëdhjetë vjet më parë, për të filluar një etapë të re, etapën historike atë të ndërtimit të shtetit demokratik, epokën e lirisë, demokracisë, të ndërtimit dhe ngritjes së jetës institucionale dhe shtetërore.

Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran, me një synim të qartë – integrimin në institucionet euroatlantike.

Në këtë rrugë, ashtu si atë drejt lirisë dhe pavarësisë, Kosovën nuk mund ta ndalë askush.

Këtë pikësynim që është ëndrra e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është ëndërr e Kosovës së shekullit 21, është ëndrra për të cilën u flijuan gjenerata të tëra.

Ky synim bëhet realitet nga vendosmëria jonë dhe përkushtimi i përhershëm për përqafimin e vlerave bashkëkohore të edukimit, shkencës dhe arritjeve teknologjike.

Fillimi i ndërtimit të Gjimnazit sot, është treguesi më i mirë se Kosova është përcaktuar fuqishëm për ngritjen e kapaciteteve arsimore dhe edukative , që gjenerata e sotme të jenë konkurrente me gjeneratën e tregut evropian dhe botëror.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova ka kaluar sfidën e lirisë dhe të pavarësisë.

Sfida e tretë, është ajo e integrimit në NATO dhe BE. Tani kemi konsoliduar institucionet të cilat po punojnë këmbëngulësisht për të realizuar edhe këtë objektiv të tretë, që është ëndërr e qytetarëve të Kosovës.

Kosova, ashtu edhe Skenderaj, ka një rini të mrekullueshme.

Para kësaj rinie qëndron perspektiva dhe ardhmëria e ndritur.

Arsimimi, edukimi, ngritja profesionale janë sfidat tuaja, që dallojnë prej sfidave të brezave paraprakë.

Prandaj, Kosovën evropiane, Kosovën e shekullit 21 do ta bëjnë ato gjenerata që përqafojnë vlerat globale, vlerat kulmore teknologjike dhe shkencore.

Kosova është shtet i ri, shoqëri e hapur për diturinë, shkencën dhe edukimin.

Ky gurthemel sot është premtues, ashtu siç janë premtuese edhe ëndrrat tuaja për jetë të lirë, emancipim, dinjitet dhe lumturi.

Urime gurthemeli i Gjimnazit “Hamëz Jashari”.

Urime gjithë qytetarëve të Skënderajt. E gëzofshi!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors