Prishtinë, 15 korrik 2025
Anëtarësimi me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) përfaqëson një njohje ndërkombëtare të punës së palodhshme dhe të përkushtuar të AKA-së në përmbushjen e standardeve më të larta evropiane, duke rritur kredibilitetin dhe besueshmërinë e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.
Sot Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mirëpritën Kryetaren e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Prof. Hasnije Ilazi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, të cilët i uruan për këtë arritje të madhe të shtetit të Kosovës dhe sistemit të arsimit të lartë.
Ky anëtarësim vjen pas vlerësimit pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë të ENQA-s dhe përmbushjes së standardeve evropiane të cilësisë nga AKA. Diplomat e të rinjve tanë tani e tutje do të njihen më shpejt dhe më lehtë në Evropë dhe më gjerë. Universitetet tona do të kenë qasje të plotë në programet e BE-së dhe studentët do të përfitojnë nga mobiliteti, bursat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që bëhet anëtar me të drejta të plota në EQAR. Kjo është një fitore e cila fuqizon imazhin ndërkombëtar të shtetit tonë që ofron arsim të lartë cilësor me standarde bashkëkohore.
AKA ishte përjashtuar nga EQAR në vitin 2018 për shkak të ndërhyrjeve politike nga qeveria e PAN-it. Në atë kohë, EQAR kishte vlerësuar se Agjencia kishte humbur aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome.
Gjatë mandatit tonë, qeveria dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që nga fillimi i mandatit kanë ndërmarrë veprime konkrete për ta rikthyer besimin dhe standardin ndërkombëtar si: rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë; emërimit të profesionistëve me integritet personal e profesional; hartim të ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim duke mundësuar pavarësinë institucionale; rritje të buxhetit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim; miratim të pozitave të nevojshme të punës duke krijuar kështu mundësitë për punë profesionale; garantim të pavarësisë në punën e Bordit dhe të Agjencisë; dhe sigurim të një objekti modern me mbi 1000 metra katrorë për AKA-në.






