Prishtinë, 13 korrik 2011
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi është prononcuar para gazetarëve, në disa pyetje të parashtruara nga ta. Në vazhdim po japin transkriptin e kësaj konference me media të kryeministrit
Pyetje:
Fondi i Komisionit Evropian prej 203 milionë euro, a është i kushtëzuar me marrëveshjen e ridizajnuar me FMN-në?
Kryeministrit Hashim Thaçi: Ky është një fond i ri i garantuar për Republikën e Kosovës për procesin e reformave demokratike që bëhen për tu integruar sa më shpejt në strukturat e bashkimit Evropian. Është një rimbështetje e fuqishme e Komisionit Evropian për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, por edhe për procesin e konsolidimit dhe forcimit të plotë Kosovës.
Pyetje:
Lidhur me kërkesën e EULEX-it për imunitete, kush duhet të merret me këtë punë. Ka pas reagime edhe prej ambasadorit Dell?
Kryeministrit Hashim Thaçi: Unë nuk komentoj opinionet e lira dhe vullnetet e lira, por marr përgjegjësitë për dokumentet zyrtare. Qeverisë së Kosovës nuk i është adresuar asnjë letër dhe asnjë kërkesë. Por në asnjë rrethanë nuk do të lejojë që Qeveria e Kosovës të interferojë në punët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pushtetet janë të ndara. Qeveria e Kosovës i zbaton me përgjegjësi të lartë vendimet e institucionit, organit që e ka zgjedhur, Parlamentit të Kosovës.
Pyetje:
Pse Qeveria po interesohet për heqjen e imunitetit të deputetëve përmes EULEX-it në Kuvendin e Kosovës, e nuk e kërkon këtë në mënyrë drejtpërdrejt?
Kryeministrit Hashim Thaçi: Është në autoritetin e Kosovës të marrë vendime përkatëse për çështje të caktuara. Qeveria është pushteti ekzekutiv dhe pushtetet janë të ndara. Prandaj, mos kërkoni nga unë sot që të komentoj deklaratat e askujt.
Pyetje:
A ka pasur ndonjë takim mbrëmë me veteranët që janë në grevë dhe, pse nuk është proceduar ende ligji për veteranët në Kuvend?
Kryeministrit Hashim Thaçi: Ju e dini, vitin e kaluar kemi proceduar Ligjin për Veteranët, Dëshmorët dhe Invalidët e Luftës, apo vlerat e UÇK-së. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë, të pastër, kundër kriminelëve të luftës, për drejtësi. Prandaj, në kuadër të kësaj të drejte, kërkohet natyrisht nxjerrja e Ligjit për vlerat e luftës.
Për shkak të prishjes së koalicioni dhe shpërbërjes së Parlamentit, është rikthyer proceduralisht në Qeveri. Tani Qeveria është duke i finalizuar detajet teknike me FMN-në dhe në ditët e ardhshme Projektligji do të riprocedohet në Kuvendin e Kosovës.
Unë kam zhvilluar takime produktive, shumë korrekte, shumë të përgjegjshme me bashkëluftëtarët dhe veteranët e luftës, të cilët i mirëkuptoj dhe falënderoj shumë për sjelljen e tyre shuam korrekte, të përgjegjshme dhe që nuk kanë lejuar inteferim apo politizim të procesit të realizimit të të drejtës së tyre.
Pyetje:
Kush do të paraqitet nesër në seancën e Kuvendit për të diskutuar për çështjen e marrëveshjeve dhe a do të jenë ju apo zonja Tahiri? A do të jetë më transparent delegacioni i Kosovës?
Kryeministrit Hashim Thaçi: Qeveria e Kosovës e ka mandatin e plotë nga Kuvendi i Kosovës për të zhvilluar takime me shtetet fqinje, për të ndërtuar raportet të fqinjësisë së mirë.
Është një keqkuptim në interpretimin apo prezantimin në opinion publik. Në Bruksel janë nxjerr konkluzionet e përbashkëta në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me mbështetjen e plotë të BE-së dhe SHBA-ve dhe, nuk është arritur ndonjë marrëveshje apo kompromis.
Sa i përket nostrifikimit të diplomave, unë falënderoj të gjithë qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, që e kanë mirëpritur dhe na kanë falënderuar për këtë të arritur. Kjo ka qenë një përpjekje më shumë se 20 vjeçare.
Në anën tjetër, sa i përket regjistrit civilë, gjithashtu do të jetë gjithçka edhe në vazhdimësi transparente, ku do të jetë ekipi kosovar, gjithashtu edhe ajo ndërkombëtare.
Sa i përket lëvizjes së lirë, ka pasur komente të ndryshme pse duhet të lëvizet me letërnjoftim. Ne do të punojmë për zgjidhje të çështjeve sipas modelit evropian, për një rajon me kufij të hapur dhe lëvizja me letërnjoftim të Republikës së Kosovës nuk do të ketë vetëm në drejtim të Serbisë, por ka sot edhe për Shqipëri deh Malin e Zi. Do të ketë në të ardhmen e afërt edhe në Maqedoni dhe vizioni është për rajonin pa kufi. Një vizion evropian të lëvizjes së lirë të njerëzve pa pengesa procedurale.
Pyetje:
Keni përmendur çështjen e Mitrovicës dhe pakon e Ahtisarit. Sa, në fakt keni marrë mbështetje për anashkalimin e Pakos së Ahtisarit?
Kryeministrit Hashim Thaçi: Nuk është kërkuar anashkalimi i Pakos së presidentit Ahtisaari. Nga ana ime është shtruar një pyetje në drejtim të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, se nëse aktualisht nuk mund të realizojmë formimin e komunës së re të Mitrovicës, atëherë le të funksionalizojmë komunën e Mitrovicës në kufijtë ekzistues. Në funksion të qeverisjes së mirë, investimeve dhe integrim të gjithanshëm qytetar dhe shumetnik. Mendoj se pyetja ime ka ngjallur diskutimet që kanë qenë interesante, por tani për tani mbeten në kuadër të GDN-së për të nxjerr konkluzionet më të drejta, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën tonë për sundimin e ligjit në veri, formimin e komunës së re, zgjedhjet e lira dhe investimet socio-ekonomike. Ne do të vazhdojmë së realizuari çështjen që e kam ngritur në mënyrë shumë legjitime dhe pastaj hap pas hapi në kohën e duhur të vazhdojmë edhe me formimin e komunës së re. Kanë kaluar gjashtë vite që kur është formuluar dokumenti i presidentit Ahtisaari dhe natyrisht se ne duhet të gjejmë zgjidhje pragmatike në interes të të gjithë qytetarëve, por po punojmë në implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari.
Pyetje:
Lidhur me çështjes e heqjen së imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, A ndani edhe ju të njëjtin shqetësim me ambasadorin Dell?
Kryeministrit Hashim Thaçi: E theksoj edhe njëherë, unë nuk komentoj deklarimet e askujt. Raportet tona me SHBA-të dhe BE-në, kanë qenë dhe do të mbeten të shkëlqyeshme. Duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Ai është investimi ynë, është vullneti i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky është edhe fati ynë, është edhe vizioni politik për të ardhmen. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është shumë i qartë.