Konferenca për shtyp e z. Blerand Stavileci, Minister i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me raportin e fundit të publikuar nga Freedom House nga seria “Shtetet në Tranzicion”


Image


Prishtinë, 18 qershor 2013

Qeveria e Republikës së Kosovës si qeveri demokratike mirëpret publikimin e të gjitha raporteve ndërkombëtare dhe vendore që ndërlidhen me vlerësimin e performancës së institucioneve shtetërore dhe nivelit të demokracisë në shoqërinë tonë.

Për më tepër, Qeveria e Republikës së Kosovës i vlerëson të gjitha kritikat e bazuara dhe konstruktive të cilat ajo i adreson më qëllim të përmirësimit të gjendjes në fusha të caktuara të qeverisjes.

Ndërkaq, përkundrazi, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund të pranojë vlerësime të pasakta, tendencioze apo krejtësisht të bazuara në perceptime personale të individëve të caktuar që në mënyrë direkte apo indirekte përpilojnë raporte të ndryshme për Kosovën.

Në këtë kontekst, Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron si të pasaktë, të paargumentuar dhe tendencioz raportin e fundit të publikuar nga Freedom House nga seria “Shtetet në Tranzicion”, sipas së cilit Kosova renditet në vendet që kanë sisteme me regjim autoritar gjysmë të konsoliduar. Autori i këtij raporti ka dështuar të ruajë minimumin e seriozitetit profesional dhe paanshmërisë politike gjatë hartimit të raportit. Vetë fakti që ky autor e vlerëson Kosovën në nivel të njëjtë me shtetet diktatoriale në të cilat nuk mbahen zgjedhje të lira, ku nuk ka pluralizëm politik, ku nuk ka liri të medias e as të shprehjes së lirë, ku burgosen e vriten gazetarë e kundërshtarë politikë, ku pushteti trashëgohet në baza familjare, ku nuk ekziston llogaridhënia, transparenca e as përgjegjësia publike e ku dallimi mes shtetit dhe pushtetit është pothuaj i padukshëm, flet qartë për mungesën e plotë të profesionalizmit dhe për animin e hapur kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kohën kur Bashkimi Evropian dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar edhe formalisht kanë vlerësuar të arriturat e Kosovës jo vetëm në deklarime, por edhe me vendime konkrete, si p.sh. Përmbyllja e Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës dhe Studimi i Fizibilitetit i Komisionit Evropian.

Një numër i madh i referencave që kinse mbështesin këtë raport janë thjesht citate të aktorëve politikë të bëra për arsye personale dhe nuk mund të merren si burime primare ngase janë pa dëshmi dhe pa komparacion empirik me shtetet e tjera në Ballkan dhe pa fakte. Qeveria e Republikës së Kosovës e dinë se ky raport nuk e vlerëson vetëm punën e qeverisë, por e të gjitha institucioneve të Kosovës në përgjithësi, por ne nuk mund të pajtohemi me raporte boshe që e fusin Kosovën në kategori të shteteve autoritare. Është e padyshimtë që Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm më 2012 dhe kjo nuk thuhet vetëm nga Qeveria e Kosovës, por nga i gjithë spektri ndërkombëtar i involvuar në Ballkan, përfshirë përparimet dhe përmirësimet e theksuara si ajo e të bërit biznes e Bankës Botërore, Gjetjet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar në shtator 2012, etj.

1. Qeverisja Demokratike: Në raport thuhet se nuk ka pasur fare përmirësim në qeverisjen demokratike në Kosovë duke mos sjell asnjë argument/fakt të vetëm për ta përkrahur këtë pohim.

Ky vlerësim është i pavërtetë dhe nuk pasqyron realitetin. Në fakt, në verën e vitit të kaluar, si rrjedhojë e përmirësimit të qeverisjes demokratike në të gjitha fushat e qeverisjes, dhe si rrjedhojë e ngritjes së kapaciteteve institucionale të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar njëzëri vendosi për dhënien fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky fakt që përfaqëson konsensusin ndërkombëtar për avancimin institucional të Republikës së Kosovës është dëshmia më e mirë që ky konstatim i raportit është krejtësisht i paqëndrueshëm.

2. Proceset Elektorale: Në raport thuhet se nuk ka pasur fare përmirësime në proceset zgjedhore elektorale.

Ky konstatim është i paargumentuar. Reforma dhe menaxhimi i proceseve zgjedhore janë prioritete të përbashkëta të të gjitha partive politike në Kosovë. Gjatë periudhës së raportimit, janë mbajtur dy cikle zgjedhore në nivelin komunal në komunën e Ferizajt dhe Kaçanikut, të cilat janë vlerësuar si të rregullta nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë dhe rezultatet e tyre janë pranuar nga të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në këtë proces. Ky është argumenti adekuat.

3. Shoqëria Civile: Në raport thuhet se Qeveria ka propozuar Ligjin për Bankën Qendrore dhe Institucionet mikrofinanciare, përmes së cilit i mundësohet Bankës Qendrore që të privatizojë 17 institucione mikrofinanciare që operonin si OJQ dhe ta bartin kapitalin e tyre prej 100 milionë eurosh tek pronarët privatë.

Ky është konstatim i padrejtë. Ky Ligj është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë absolute të votave. Për më shumë, rekomandimi për një ligj të tillë ka ardhur nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga organizata aksionare që kanë financuar shumë prej këtyre 17 institucioneve mikrofinanciare, përfshirë edhe BERZH, me qëllim që të ketë një llogaridhënie dhe transparencë ligjore në menaxhimin e fondeve të tyre.

Në të njejtin kapitull, në mënyrë të pakuptimtë raporti bënë ndërlidhjen me zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Po ashtu, raporti plason informata të pavërteta në lidhje me këtë çështje, ngase Rektori Ibrahim Gashi nuk ka pasur post politik në momentin e zgjedhjes së tij, meqë ka dhënë dorëheqje nga postet e tij politike para se të hyjë në këtë proces zgjedhor.

Në raport thuhet se Qeveria po vazhdon të ushtrojë ndikim nëpërmjet institucioneve të akreditimit të institucioneve private. Për më tepër në raport thuhet se institucionet arsimore, pronarët e universiteteve apo profesorët që nuk pajtohen me politikat qeveritare ballafaqohen me probleme shtesë gjatë akreditimit dhe u janë refuzuar licencat. Ky konstatim është abuzues. Raporti dështon krejtësisht të argumentojë për këtë akuzë të rëndë duke mos ofruar as denoncime ligjore, as të dhëna empirike, as ndonjë emër apo dëshmi, pos bisedave anonime në kafeteritë e kryeqytetit, metodë kjo me sa shihet e preferuar e autorit.

4. Mediat e pavarura: Raporti kritikon institucionet e vendit për nenet 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Kosovës për kinse mundësinë e keqpërdorimit nga ana e gjykatave për presion ndaj gazetarëve.

Rikujtojmë se Kodi Penal është votuar me shumicë votash nga Kuvendi i Kosovës dhe kanë qenë Presidentja dhe Qeveria e vendit që kanë ndërmarrë hapat përkatës për kthimin prapa dhe heqjen e këtyre neneve të kontestuara. Institucionet e vendit kanë vepruar në mënyrë të pavarur dhe pa interferime në këtë rast. Në fakt, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë në pajtim me qëndrimin e shprehur nga përfaqësuesit e mediave dhe shoqërisë civile.

5. Qeverisja Demokratike Lokale: Raporti pa asnjë argument thotë se Qeveria nuk ka provuar që të zgjerojë autoritetin e vet në veriun e Kosovës.

Ky është një konstatim pa asnjë bazë! Qeveria e Kosovës ka hapur vitine kaluar Zyrën Administrative në Veri, që funksionon sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe ku kanë marrë shërbime me mijëra qytetarë të veriut. Po ashtu, raporti dështon të përmend arritjen e marrëveshjeve nga dialogu teknik, duke përfshirë atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ku për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka prezencë të plotë të institucioneve të Kosovës, regjistrohen të gjitha hyrje-daljet dhe mblidhen taksat e parapara me ligjet e vendit.

6. Korniza dhe pavarësia e gjyqësorit: Në raport ndër të tjera thuhet se gjyqësori vazhdon të operojë nën ndikimet e theksuara politike dhe se ka dështuar që të merret me rastet e korrupsionin në nivelin e lartë politik. Ky pohim është i pasaktë dhe i pabazuar në fakte të gjyqësorit. Kosova është shtet demokratik dhe si rrjedhojë Gjyqësori i Kosovës është pushtet i ndarë dhe i pavarur nga ekzekutivi.

Për më tepër, është e pavërtetë se në Kosovë gjyqësia nuk ka hapur raste kundër zyrtarëve më të lartë politikë si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal për një seri akuzash të ndryshme. E vërteta është se dhjetëra raste të ndjekjes penale të dyshuarve për vepra të ndryshme kundërligjore të cilat ndodhen në fazat e ndryshme të procesimit. Mu këtë javë ka përfunduar një proces gjyqësor i tillë në të cilin ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të shëndetësisë dhe i cili mori epilogun gjyqësor.

Po ashtu e konsiderojmë se është e papranueshme që një raport që pretendon të jetë kredibil të vazhdojë me insinuime për natyrën e vdekjes tragjike të kreut të bordit të Agjencisë së Privatizimit. Autori qëllimisht e keqpërdor tragjedinë familjare si “vetëvrasje misterioze” në kohën kur hetuesit vendorë dhe ndërkombëtarë kanë konstatuar profesionalisht dhe juridikisht se kjo ishte një vetëvrasje.

Ndër të tjera në raport thuhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk kanë kompetenca në alokimin e buxhetit. Ministria e Financave e Kosovës e përpilon buxhetin vetëm pas pranimit të parashikimeve dhe kërkesave specifike buxhetore nga njësitë dhe agjencitë e ndryshme, përfshirë KGJK dhe KPK dhe sipas ligjeve në fuqi, MF dhe Qeveria është propozuese finale e draft-buxhetit që aprovohet përfundimisht nga Kuvendi i Kosovës.

7. Korrupsioni: Raporti thotë se lufta kundër keqpërdorimeve dhe korrupsionit ka vazhduar gjatë tërë vitit pa rezultat të vërejtshëm si sfida më e madhe e Kosovës. Ky konstatim po ashtu është i pasaktë. Gjatë vitit të raportimit ka pasur procedura të hapura kundër zyrtarëve të të gjitha niveleve, përfshirë anëtarë seniorë të qeverisë, që ishin akuzuar për vepra të ndryshme.

Jemi të shqetësuar nga tendenca e autorit të raportit që çdo tentativë e privatizimit apriori konsiderohet si diçka negative në vete deri sa kundërshtuesit e privatizimit konsiderohen si një lloj pale e shtypur. Kjo tendencë është krejtësisht edhe kundër vetë principit të tregut të lirë që avokohet nga Freedom House.

Kosova deri më tani ka privatizuar asete nëpërmjet një procesi të dizajnuar sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, ndërkaq në raste specifike, si psh. tek distribuimi i energjisë, privatizimi ka qenë mundësia e vetme për të kursyer qindra miliona euro të parasë publike të hedhura në mirëmbajtje të ndërmarrjeve jofitimprurëse. Të gjitha proceset e privatizimit deri më tani kanë qenë të monitoruara nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë të vlerësuara si transparente.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors