Prishtinë, 30 mars 2026
Pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, të 7-ës me radhë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbajtën një konferencë për media.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuara media dhe gazetarë të pranishëm,
Qytetarë të dashur,
Sot patëm një mbledhje sa të rëndësishme, aq edhe të frytshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilën morëm një sërë vendimesh të mira për vendin, vendime, të cilat e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Republikës sonë.
Mbledhjen e nisëm me votimin, tash për herë të dytë në Qeveri, të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky projektligj ishte kontestuar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Na vonuan, por nuk na ndalën. Ashtu siç jemi zotuar, se procedimi do të bëhet shpejt, ashtu edhe u bë. Ky projektligj, për të cilin do të na flasë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, që ndodhet këtu bashkë me mua sot në konferencën për medie, është i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe paraqet njërin prej iniciativave bosht të reformës në kuadër të reformave të thella, për të cilat kemi folur gjatë e jemi angazhuar shumë.
Ndonëse procesi për projektin e banimit të përballueshëm dhe social ka filluar në shtatë komuna, ndërkaq në katër prej tyre tashmë ka nisur edhe ndërtimi, edhe projektligji që lidhet me këtë projekt shumë të rëndësishëm, ishte sfiduar në Gjykatën Kushtetuese.
Pas gjithë asaj vonese, me t’u kthyer nga Gjykata Kushtetuese, e kemi proceduar me ndryshimet përkatëse edhe këtë projektligj, që do t’i japë një shtysë edhe më të fortë shtrirjes së këtij projekti në të gjitha komunat e vendit, në mënyrë që qytetarët e vendit tonë, çiftet e reja dhe familjet në nevojë të përfitojnë nga ky projekt i madh.
Një vendim tjetër me rëndësi, ishte edhe vendimi që morëm sot, me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare dhe të ndihmojmë popullin e Gazës. Ky vendim përbën finalizim të procesit të nisur vitin e kaluar në kohën e Konferencës në Doha të Katarit, nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Gjeneral-Lejtënant, Bashkim Jashari.
E pikërisht prej aty pra, fillon edhe ajo çfarë vendosëm sot për pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese. Nga Qeveria tash kalon çështja te Kuvendi i Republikës.
Gjithashtu në këtë mbledhje të sotme, siç ishim zotuar më herët, miratuam ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë euro për përfaqësuesen tonë të futbollit, për rezultatin e jashtëzakonshëm të treguar në ndeshjen ndaj Sllovakisë. Këtë performancë, që na bëri krenarë të gjithëve, urojmë e besojmë që do të përsëritet edhe me më shumë motiv dhe energji në ndeshjen nesër mbrëma me Turqinë, si stacion i nisjes për Amerikë, në kampionatin e parë botëror në futboll për Republikën e Kosovës.
E para se t’ia kaloj fjalën zëvendëskryeministres, dua të përmend edhe një lajm të mirë dhe një vendim po ashtu të rëndësishëm. Lajmi mirë është që, orkestra e fëmijëve nga mosha 10 deri në 17 vjeç, “Amadeus”, ka zënë vendin e parë, ka fituar çmimin e madh, “Grand Prix” në Spanjë dhe para 11 ditëve, saktësisht me 19 mars, në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ne patëm bërë financimin e udhëtimit të tyre, duke mbështetur këta talentë, që po na bëjnë krenarë në mbarë botën. Pra, Republika e Kosovës, vendin e parë në botë, orkestra “Amadeus” ë fëmijëve prej 10 deri në 17 vjeç.
Ndërkaq, vendimi i rëndësishëm është për punonjësit, që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Vendimi në mbledhjen e sotme përbën pra edhe njërin prej pesë zotimeve të para, të cilat i kemi premtuar në fushatën tonë zgjedhore në dhjetor të vitit të kaluar. Këtë muaj, punonjësit që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës, në konton e tyre do ta kenë pagën e 13-të. Pra, paga e 13-të jo në fund, por në fillim, tash menjëherë pasi që u kalua buxheti i shtetit. Pra, nesër, të gjithë punonjësit në sektorin publik, do ta marrin pagën e 13-të. Siç kemi thënë më herët, kush ka punuar 12 muaj, i merr 13 rroga dhe jo vetëm kaq. Edhe ata, të cilët nuk kanë punuar 12 muaj, do të marrin proporcionalisht aq sa kanë punuar. Ta zëmë, nëse dikush nuk i ka 12 muaj punë në 12 muajt e fundit, por i ka vetëm 6 muaj, pagën e 13-të do ta marrë të përgjysmuar. Gjithashtu, edhe ata, të cilët kanë punuar me orar të shkurtuar, do ta kenë pagën e 13-të proporcionalisht ashtu siç kanë punuar me orar të shkurtuar.
Urime për të gjithë dhe i gëzofshin bashkë me familjet dhe të afërmit e tyre!
E tash, para se të kalojmë te pyetjet e juaja, po ia kaloj fjalën zëvendëskryeministres dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz.






