Komunikatë për Medie


Image

Prishtinë, 18 janar 2017

Adresimi i çështjes së shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për qytetarët e saj, si dhe për forcimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës, duke qenë se me këtë akt, Kosova do të kishte edhe një kufi ndërkombëtar, do të fuqizohej partneriteti me Malin e Zi, por edhe me NATO-n dhe më gjerë.
 
Duke pas në konsideratë debatin publik si dhe ndjeshmërinë e këtij procesi, institucionet e Kosovës kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme që në opinion të trajtohen të gjitha dilemat dhe materialet adekuate rreth këtij procesi.

Pikërisht në këtë funksion, Qeveria e Kosovës së fundi ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për mision që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.
 
Në këtë komision janë ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues nga:

–    Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës;
–    Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore;
–    Lëvizja Vetëvendosje;
–    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
–    Nisma për Kosovën;
–    Dy ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile;
–    Agjencioni i Kadastrit;
–    Agjencioni i Ujërave;
–    Agjencioni i Pyjeve;
–    KOSTT-i;
–    Agjencia Kosovare e Privatizimit;
–    Policia e Kosovës;
–    Agjencioni i Statistikave të Kosovës;
–    Komuna e Pejës;
–    Komuna e Deçanit;
–    Komuna e Istogut;
–    Komuna e Junikut;
–    Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës.

Në cilësinë e anëtarëve vëzhgues janë ftuar përfaqësues nga:

–    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë;
–    Bashkimi Evropian;
–    KFOR-i.

Pjesëmarrjen në punën e Komisionit e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët, përveç tri subjekteve opozitare.
 
Dërgimin e anëtarëve për vëzhgimin e punës së komisionit e kanë konfirmuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe KFOR-i.

Takimi Konstituiv i Komisionit do të mbahet më datë 24 janar 2017.

Duke pas parasysh interesat vitale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe duke ditur zhvillimet e fundit dhe domosdoshmërinë për unifikim rreth kauzave shtetërore, Qeveria e Republikës së Kosovës fton përfaqësuesit e tri subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën, që të dërgojnë ekspertët e tyre në komision, kontributi i të cilëve do të ishte tejet i çmuar në këtë proces shtetëror.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors