Prishtinë, 8 dhjetor 2011
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj rekomandimeve, të cilat dalin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në lidhje me rekomandimin e djeshëm të Kuvendit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të shikojë mundësitë dhe alternativat për respektimin e tyre, gjithnjë duke u mbështetur në respektimin e kornizave ligjore dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka qenë e vendosur që Kosova të trajtohet e barabartë me të gjitha vendet, edhe në marrëdhëniet me Serbinë, si dy shtete të pavarura e sovrane dhe masat e ndërmarra kanë qenë gjithnjë në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi.
Qeveria rikujton përkushtimin e saj dhe gatishmërinë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, me theks të veçantë në normalizimin dhe përmirësimin e raporteve ndërshtetërore me Serbinë dhe fqinjët tjerë. Ne do të vazhdojmë të respektojmë një qasje korrekte në dialog, njëkohësisht me procesin e rrugëtimit drejtë BE-së dhe NATOs.
Çdo hap i Qeverisë së Kosovës ka për synim mbarëvajtjen e procesit drejt integrimit Evropian, ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe produktive në të gjitha fushat, përfshirë edhe ekonominë e lirë të tregut.
Prandaj, edhe Rekomandimin e fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës e kuptojmë si qasje për trajtim të barabartë në raport me secilin shtet, përshirë edhe Serbinë, për çfarë kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar në vazhdimësi.