Prizren, 25 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në hapjen e qendrës së dytë të kompanisë Concentrix brenda këtij muaji. Pas Mitrovicës, kompania Concentrix sot hapi qendrën e saj në Prizren.
Në fjalën hyrëse të tij, tha se kjo ngjarje sot dhe kjo rritje e qëndrueshme nuk është vetëm sukses i kompanisë suaj, por është sinjal i qartë i besimit në klimën e biznesit dhe ekonomike të vendit tonë.
“Gjatë katër viteve të fundit, qeveria jonë ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të vendosur themelet e një ekonomie të qëndrueshme, transparente dhe miqësore për bizneset. Përmes nismave legjislative, kemi krijuar sigurinë ligjore dhe qartësinë institucionale që kompanitë kanë nevojë për të operuar pa pengesa…në të njëjtën kohë po investojmë në infrastrukturë fizike dhe digjital. Rrugët, energjia, mbulueshmëria me internet, e shërbimet elektronike po zgjerohen në të gjithë vendit”, tha ai, duke theksuar se qëllimi kryesor është të ndërtojmë politika ekonomike që synojnë ta bëjnë Kosovën konkurruese, të besueshme dhe tërheqëse për investimet ndërkombëtare.
Pas hapjes së Concentrix në fillim të muajit qershor në qytetin e Mitrovicës, ku po ashtu ishte i pranishëm kryeministri Kurti, ai u shpreh se me hapjen e qendrës së re sot në Prizren, Concentrix vetëm se po e thellon dhe zgjeron praninë e saj në Kosovë duke krijuar kështu vende të reja pune dhe duke kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e një ekonomie moderne shërbimesh në qytetet tona. E ky zgjerim po vjen në një kohë të trendeve pozitive makroekonomike. “Në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia e Kosovës u rrit me 3.6% të Bruto Produktit Vendor. Ne e shohim këtë rritje të reflektuar në rritjen e punësimit, investimit, turizmit, eksporteve dhe, më e rëndësishmja, në besimin në rritje se Kosova është një vend ku idetë, njerëzit dhe bizneset mund të lulëzojnë”, deklaroi kryeministri.
Ndër të tjera, ai përmendi se një nga asetet më të mëdha të vendit tonë është fuqia jonë punëtore e re, shumëgjuhëshe dhe e aftë në përdorimin e teknologjisë, dhe se për ta forcuar më tej atë po investojmë në trajnime profesionale, në fushat STEM në arsimin universitar dhe po bashkëpunojmë me sektorin privat.
“Një falënderim të madh për besimin, investimin dhe përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti në fund të fjalës së tij.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në gjuhën angleze:
Të nderuar përfaqësues të Concentrix,
I nderuar z. Till Jelinek,
I nderuar z. Derler,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi të jem sot me ju në Prizren – një qytet me trashëgimi të pasur dhe me një të ardhme që ndërtohet mbi inovacionin, dijen dhe përkushtimin.
Vetëm para disa javësh, qëndruam bashkë në Mitrovicë për të inauguruar një qendër të re të Concentrix-it. Sot, takohemi sërish në Prizren, duke festuar një tjetër arritje në zgjerimin tuaj në mbarë Kosovën. Kjo rritje e qëndrueshme nuk është vetëm sukses i kompanisë suaj por është një sinjal i qartë i besimit në klimën e biznesit dhe ekonomike të Kosovës.
Gjatë katër viteve të fundit, qeveria jonë ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të vendosur themelet e një ekonomie stabile, transparente dhe miqësore për bizneset. Përmes iniciativave legjislative, kemi krijuar siguri juridike dhe qartësi institucionale që kompanitë kanë nevojë për të operuar pa pengesa.
Jemi të përqendruar në sigurimin e një fushe të barabartë konkurruese për të gjithë – me rregullore të parashikueshme. Qëllimi ynë kryesor është ndërtimi i një politike ekonomike që synon ta bëjë Kosovën konkurruese, të besueshme dhe tërheqëse për investime ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, po investojmë në infrastrukturë fizike dhe digjitale. Rrugët, energjia, lidhja me internet – dhe shërbimet elektronike – po zgjerohen në të gjithë vendin. Gjithashtu, jemi duke forcuar mbrojtjen e investitorëve, duke siguruar që bizneset e huaja dhe vendore të rriten me besim.
Por, po shikojmë edhe më larg, drejt pozicionimit të Kosovës për industrinë e së ardhmes.
Nga shërbimet afariste dhe nënkontraktimi i IT-së, te energjia e pastër dhe financat digjitale, Kosova po ndërton një ekosistem për rritje të udhëhequr nga inovacioni. Fuqia jonë punëtore e re, shumëgjuhëshe dhe e aftë në teknologji, është një nga asetet tona më të mëdha. Dhe jemi duke punuar vazhdimisht për ta forcuar atë përmes investimeve në trajnime profesionale, arsim në fushat STEM dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat.
Sektori i shërbimeve të nënkontraktuara të biznesit ka një rol jetësor në këtë strategji. Ai sjell shërbime globale në komunitetet lokale, krijon vende moderne pune me paga të mira, dhe nxit një kulturë pune dinamike, bashkëpunuese, përfshirëse dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Sot, Concentrix po e thellon praninë e saj në Kosovë, jo vetëm duke krijuar vende të reja pune, por duke kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e një ekonomie moderne shërbimesh në qytetet tona. Ju po ndihmoni në ndërtimin e një kulture të re pune që u jep njerëzve mundësi në qytetet që i duan.
Ky zgjerim po ndodh në një kohë me trende inkurajuese makroekonomike: në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia e Kosovës u rrit me 3.6% të Bruto Produktit Vendor. Ne e shohim këtë rritje të reflektuar në rritjen e punësimit, investimeve, turizmit, eksporteve, dhe – më e rëndësishmja – në besimin gjithnjë e më të madh se Kosova është një vend ku idetë, njerëzit dhe bizneset mund të lulëzojnë.
Të nderuar mysafirë,
Ne mbetemi të përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet qeverisë, sektorit privat dhe shoqërisë civile për të ndërtuar një ekonomi që është e drejtë, e qëndrueshme dhe e hapur ndaj botës.
Një falënderim të madh për besimin, investimin dhe përkushtimin tuaj ndaj Kosovës.
Vielen dank und prost!














