Hapet ekspozita “Koha e shndërrimit Kosova – 1968-1981: dokumente dhe dëshmi” e organizuar nga AShAK

Prishtinë, 26 nëntor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës, “Koha e shndërrimit – Kosova 1968-1981: dokumente dhe dëshmi”, organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (AShAK) dhe, e cila po mbahet në Bibliotekën Kombëtare.

Me një fjalë rasti, para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se ashtu si titulli i ekspozitës, ka qenë edhe periudha në harkun kohor nga viti 1968 deri në vitin 1981, kur rinia shqiptare, në të njëjtën kohë, sikurse protestuesit në Pragë, që i hapën rrugën një kapitulli të liberalizmit dhe Paris, që nga një lëvizje studentore u kthye në një revolucion shoqëror, u ngrit në protesta duke kërkuar liri, të drejtat e tyre dhe mbi të duke brohoritur “Universitet” dhe “Vetëvendosje”.

Demonstratat e vitit 1968, tha kryeministri Kurti më tej në fjalën e tij, hapën rrugë për avancimin e të drejtave kulturore dhe politike të shqiptarëve në Jugosllavi, por, në anën tjetër, ishin edhe një ngjarje prej nga lindi një gjeneratë e tërë e aktivistëve të paepur, shumë prej të cilëve përfunduan nëpër burgje, sikurse Adem Demaçi dhe Rexhep Mala.

Ai tha se edhe pse vitet për Kosovën pas Autonomisë së vitit 1974, që e ngriti Kosovën në nivel të krahinës autonome dhe konstituive Federatës jugosllave, në dukje prosperuese e të qeta, u shembën si rezultat i shtypjes, shfrytëzimit dhe të diskriminit, sepse, ndonëse mori hov zhvillimi ekonomik, vazhdonte të thellohej pabarazia, nënpërfaqësimi i shqiptarëve në Kosovë dhe jo vetëm.

“Në pranverën e vitit 1981, gjatë marsit dhe prillit të atij viti, fillimisht studentët e Universitetit të Prishtinës e pastaj edhe punëtorët e masat e gjera popullore, u ngritën në një sërë protestash, të cilat shënuan një ngjarje tjetër kapërcyese në historinë e re të Kosovës”, tha kryeministri Kurti, për të shtuar më tej se, historia e këtyre viteve dhe e këtij shndërrimi, është e lexueshme në dokumentet e ekspozuara aty në mesin e dokumenteve të përzgjedhura nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.

E duke i parë këto dokumente, kryeministrit theksoi se shohim se sa i rëndësishëm është investimi në institucionet tona arkivore, si në infrastrukturë po ashtu edhe në teknologji, e njëkohësisht edhe si kultivim i kulturës së arkivimit, si traditë institucionale. “Arkivat e shtetit tonë përveçse na tregojnë çfarë ishte e kaluara në formë të dokumenteve dhe xhirimeve e incizimeve, në të njëjtën kohë na e inkurajojnë shoqërinë tonë që sa më shumë të mbajnë shënime, që sa më shumë të dokumentojnë për ata që do të vijnë pas nesh, ashtu siç kanë bërë ata që ishin para nesh për brezin tonë” u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se duke e studiuar dhe mësuar mirë se prej nga vijmë, ne dimë të ecim më drejtë, më shpejtë, më qartë andej nga jemi nisur, prandaj, arkivat e shtetit tonë përveçse na tregojnë çfarë ishte e kaluara në formë të dokumenteve dhe xhirimeve e incizimeve, në të njëjtën kohë na e inkurajojnë shoqërinë tonë që sa më shumë të mbajnë shënime, që sa më shumë të dokumentojnë për ata që do të vijnë pas nesh, ashtu siç kanë bërë ata që ishin para nesh për brezin tonë.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta vizitojnë këtë ekspozitën, sepse aty do të gjejnë gjëra të cilat do të ju bëjnë që të dini më shumë e të mësoni edhe më mirë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara drejtore e Bibliotekës Kombëtare, znj. Blerina Rogova Gaxha,
I nderuari drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z.Bekim Aliu,
Të nderuar profesorë e studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Ashtu siç është titulluar kjo ekspozitë, “Koha e shndërrimit” e tillë ka qenë vërtetë periudha në harkun kohor nga vitit 1968 deri në vitin 1981. Këto dy vite, pra ’68 dhe ’81, janë dy vite kyçe dhe kapërcyese në historinë politike të Kosovës, prandaj edhe shndërruese. Në pranverën e vitit 1968, kur rrugët e Pragës, atëbotë kryeqytet i Çekosllovakisë, u mbushën me protestues, duke i hapur rrugën një kapitulli të liberalizmit dhe kur më në perëndim, rinia e Parisit gjithashtu i vërshoi rrugët e kryeqytetit francez e të Revolucionit, në lëvizjen e majit ’68, që nga një lëvizje studentore u kthye në një revolucion shoqëror, pra në të njëjtën kohë, rinia shqiptare këtu në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, u ngrit në protesta duke kërkuar liri, të drejtat e tyre dhe mbi të duke brohoritur “Universitet” dhe “Vetëvendosje”.

Demonstratat e vitit 1968, hapën rrugë për avancimin e të drejtave kulturore dhe politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Por, në anën tjetër, ishin edhe një ngjarje prej nga lindi një gjeneratë e tërë e aktivistëve të paepur, shumë prej të cilëve përfunduan nëpër burgje, sikurse Adem Demaçi dhe Rexhep Mala.

Vitet në dukje të qeta dhe prosperuese për Kosovën pas Autonomisë së vitit 1974, që e ngriti Kosovën në nivel të krahinës autonome dhe konstituive Federatës jugosllave, u shembën si rezultat i shtypjes, shfrytëzimit dhe të diskriminit. Me këtë rast, ndonëse mori hov zhvillimi ekonomik, vazhdonte të thellohej pabarazia, nënpërfaqësimi i shqiptarëve në Kosovë dhe jo vetëm.

Në pranverën e vitit 1981, gjatë marsit dhe prillit të atij viti, fillimisht studentët e Universitetit të Prishtinës e pastaj edhe punëtorët e masat e gjera popullore, u ngritën në një sërë protestash, të cilat shënuan një ngjarje tjetër kapërcyese në historinë e re të Kosovës.

Sikur demonstratat e vitit 1968, ashtu edhe demonstratat e vitit 1981 krijuan gjeneratën e tyre të veprimtarëve politikë e patriotikë, shumë prej të cilëve gjithashtu përfunduan si të burgosur politikë për shumë e shumë vite.

Historia e këtyre viteve dhe e këtij shndërrimi, është e lexueshme në dokumentet e ekspozuara këtu sot para nesh, e mes këtyre dokumentesh të përzgjedhura nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, padyshim që kemi të tilla që na tregojnë historinë tonë të vërtetë, por në të njëjtën kohë na tregojnë edhe ndrydhjen e historisë tonë në këtë periudhë. Pra, na vjen në një mënyrë të palosur dokumentimi i së kaluarës në këtë ekspozitë, në njërën anë historia jonë, e në anën tjetër edhe ajo se si historia jonë brezave para nesh ju ndalohej që ta mësojnë si të tillë.

Meqenëse dihet që duke e studiuar dhe mësuar mirë se prej nga vijmë, ne dimë të ecim më drejtë, më shpejtë, më qartë andej nga jemi nisur. Prandaj, edhe kishim një histori të ndrydhur, e cila pikërisht sot arrin të lulëzojë në Arkivat e Kosovës dhe jo vetëm në shtetin tonë të pavarur në Republikën tonë demokratike. E duke i parë këto dokumente, shohim se sa i rëndësishëm është investimi në institucionet tona arkivore, si në infrastrukturë po ashtu edhe në teknologji, e njëkohësisht edhe si kultivim i kulturës së arkivimit, si traditë institucionale. Pra, arkivat e shtetit tonë përveçse na tregojnë çfarë ishte e kaluara në formë të dokumenteve dhe xhirimeve e incizimeve, në të njëjtën kohë na e inkurajojnë shoqërinë tonë që sa më shumë të mbajnë shënime, që sa më shumë të dokumentojnë për ata që do të vijnë pas nesh, ashtu siç kanë bërë ata që ishin para nesh për brezin tonë. E pra çdo dokument, çdo fotografi, çdo regjistrim audiovisual që është prodhuar e nxjerrë nga institucionet publike, por pa dyshim edhe nga persona private, pra çdo material i shkruar, dokument zyrtar ose jo që tregon për pjesën legale ose ilegale të këtij 13-vjeçari, ’68-81, paraqet një lëndë arkivore për t’u marrë në shqyrtim, në njërën anë nga institucionet tona, e në anën tjetër edhe nga studiuesit tanë, të cilët padyshim që në këtë mënyrë përfitojnë një lëndë tejet të vlefshme për shqyrtime të mëtutjeshme. Vetëm kur i shohim këto dokumente të së kaluarës, vetëdijesohemi për rëndësinë e dokumenteve të së tashmes, që duhet ruajtur për të ardhmen, për brezat të cilët do të vijnë dhe për historinë tonë si shtet i Kosovës dhe si komb shqiptar.

Unë ju falënderoj të gjithëve që jeni të pranishëm këtu dhe më lejoni që duke falënderuar Arkivat dhe Bibliotekën, t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta vizitojnë këtë ekspozitë, sepse në njërën anë, po do të mësojnë atë që e dinë, por ka shumë mundësi që do të shohin edhe gjëra të cilat do të bëjnë që të dinë më shumë e të mësojnë edhe më mirë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors