Prishtinë, 11 maj 2013
Të nderuar kryeministra,
Të nderuar ministra, zonja dhe zotërinj,
Si kryeministër i Republikës së Kosovës ndihem shumë i privilegjuar që sot ju drejtohem këtu, duke përfaqësuar shtetin tim në cilësinë e anëtarit më të ri fuqiplotë të BERZH-it.
Njëherit dua të shfrytëzoj rastin dhe t’i falënderoj të gjitha vendet që votuan për anëtarësimin e Kosovës në BERZH, posaçërisht ato vende që edhe pse nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, kanë votuar dhe mbështetur anëtarësimin e Kosovës në BERZH.
Republika e Kosovës këtë vit ka shënuar 5 vjetorin e pavarësisë, dhe me krenari mund të them se Kosova duket shumë më ndryshe nga vitet e mëparshme. Në kuadër të konsolidimit të shtetit si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar, Kosova gjatë këtyre 5 viteve:
– ka arritur të njihet nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara
– ka përmbyllur në mënyrë të suksesshme mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë
– ka arritur të ndërtojë marrëdhënie partneriteti me vendet më të fuqishme të botës demokratike,
– ka arritur që ekonomia të shënojë rritje mesatare ekonomike prej rreth 5%.
– ka arritur të anëtarësohet në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim paraqet një hap tjetër madhor. Anëtarësimi në këtë instrument financiar ndihmon në vazhdimin e zbatimit të projekteve madhore të Republikës së Kosovës në të ardhmen.
Prandaj ju falënderoj për miratimin e Strategjisë për Kosovën, si dhe për investimet që parashihen në kuadër të strategjisë, posaçërisht në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe fuqizimit të sektorit privat.
Që nga Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ne kemi ndërmarrë reforma në shumë fusha si parakusht për themelimin e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë.
Qeveria që unë drejtoj, gjithmonë ka hartuar dhe do të vazhdojë të hartojë dhe implementojë politika fiskale që fuqizojnë sektorin privat dhe e shndërrojë atë në motor të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Zonja dhe zotërinj,
Në vitin e kaluar kemi filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog ky i fasilituar nga Bashkimi Evropian, përkatësisht Baronesha Ashton, si dhe i mbështetur nga SHBA-të.
Muajin e kaluar kemi arritur marrëveshjen që do ta cilësoja si historike, e arritur për herë të parë pas nje shekulli armiqësie dhe konflikti në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Normalisht se nuk ka qenë proces i lehtë, normalisht se ka pasur momente të vështira, por e rëndësishme është që kemi arritur të shtyjmë përpara interesat e qytetarëve dhe vendit tonë, por mbi të gjitha kemi hapur kapitullin e ri, atë të bashkëpunimit, evropianizimit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit.
Pra me nënshkrimin e marrëveshjes ka fituar paqja, stabiliteti, dhe integrimi euro-atlantik i rajonit.
Gjithashtu dua të theksoj se me këtë marrëveshje është hapur rruga për njohje të reja për vendin tonë, prandaj kërkoj nga vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ta bëjnë këtë.
Kosova përfundimisht me marrëveshjen e arritur po hyn në epokën e normalitetit, sepse me shtrirjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të shtetit tonë, do të kemi mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik.
Tani Kosova duhet të kanalizojë të gjitha përpjekjet dhe energjitë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmbushjen e reformave demokratike. Rruga drejt BE-së do të jetë e gjatë dhe do të kërkoj transformime rrënjësore. Tani e tutje, ky do të jetë prioriteti ynë kryesor.
Dhe së fundi, dua të shfrytëzoj rastin dhe të ftojë investitorët që të investojnë në Kosovë:
– sepse kemi fuqi të re punëtore, entuziaste dhe të gatshme për të përvetësuar njohuri dhe shkathtësi të reja – kjo dëshmohet sidomos me rritjen e numrit të atyre që vazhdojnë me arsim të lartë brenda dhe jashtë vendit.
– Sepse Kosova ka politika e favorshme fiskale, ka masat preferenciale me BE, SHBA, Japoni. Kemi marrëveshjet për Tregti të Lirë, siç është CEFTA.
– Sepse Kosova ka potencial për investime sidomos në fushën e energjetikës dhe të minierave, në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike e së shpejti edhe i disa pjesëve të ndërmarrjeve shoqërore;
– Sepse Kosova ka qasje të shpejtë në tregjet rajonale dhe evropiane e mundësuar nga pozita gjeografike e Republikës së Kosovës;
Ju faleminderit!
