Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe me zëvendësministrin në Ministrinë e Mjedisit, Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Jeton Raka, që të vendosim gurthemelin me rastin e fillimit të ndërtimit të 135 banesave në dy ndërtesa në Komunën e Pejës, për banim të përballueshëm dhe banim social.
Është një rrëfim suksesi i bashkëpunimit të Qeverisë me Komunën, pastaj me Korporatën Ndërkombëtare Financiare dhe me Institutin për Studime të Banimit. Dija, financat, pushteti qendror dhe pushteti lokal janë bërë bashkë për t’i ndihmuar çiftet e reja që të kenë banesat e dinjitetshme, ku së paku njëri prej tyre duhet të jetë nën moshën 37 vjeçare dhe gjithashtu për prindërit vetushqyes.
Kostoja totale e këtyre dy ndërtesave me 135 banesa, ku 103 janë për banim të përballueshëm edhe 32 janë për banesa sociale është 10,083,000 euro. Do të jetë një sipërfaqe në total prej 22,362.00 m².
Peja është në mesin e komunave që ka aplikuar dhe ka fituar. Neve na vjen keq që një numër shumë i madh i komunave nuk kanë aplikuar fare. Vetëm 13 nga gjithsej 30 komuna kanë aplikuar dhe dëshirojmë që sa më shumë këto familje që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, t’ju dalim në ndihmë. Qeveria në detyrë punon dhe bashkëpunon me komunat të cilat aplikojnë dhe në këtë mënyrë për të mirën e qytetarëve, ju ndihmojmë të gjithë atyre.
Duhet theksuar që njësoj kemi bërë edhe në Gjilan, në Podujevë edhe në Istog dhe katër tipe të banesave i kemi në secilën prej këtyre komuna. Kemi banesa 53 m², 66 m², 77 m² dhe 87 m². Këto 87 m² janë banesa për banim social, ndërkaq për banim të përballueshëm janë ato 53 m². Ndërkaq, këto dy tjera janë të tipeve të përziera. Shumica dërmuese e banesave janë të tipit B dhe C, përkatësisht 55% janë 77 m² dhe 30% janë banesa të tipit 66 m². Ndërkaq nga 7.5% janë të këtyre dy tipeve tjera 53 m² edhe 87 m².
Urojmë që punimet prej operatorëve ekonomikë të kryhen sa më shpejtë dhe të jemi prapë bashkë, kur t’ua japim çelësat banorëve të ri që do të vijnë qoftë nga çiftet e reja, ku edhe një herë po e theksoj, së paku njëri duhet të jetë në moshën 37 vjeçare ose të prindërve vetushqyes, të cilët nuk e kanë të zgjedhur çështjen e banimit.
Dija, financat edhe pushteti lokal edhe qendror besojmë që janë kombinimi fitues për ta zgjidhur një çështje jetike, qysh është ajo e banimit, sepse është e drejtë themelore njerëzore që për jetesë të mirë të kemi banesë të dinjitetshme.
E falënderoj kryetarin e Komunës së Pejës! Komuna e Pejës do të kujdeset për infrastrukturën përcjellëse dhe për lokacionin, ndërkaq Qeveria për investimin në kapital, përkatësisht projektimin, mbikëqyrjen edhe ndërtimin.