Fjala hyrëse e Kryeministrit Kurti në konferencën e sotme për media

Prishtinë, 27 tetor 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media që u mbajt sot në Ndërtesën e Qeverisë. 

Të dashur qytetarë,
Të nderuar gazetarë,

Dje Kuvendi siç e pamë nuk arriti të zgjedh qeveri të re. Përkundër tentimeve të disahershme shteruese, dhe gatishmërisë sonë të hapur e të sinqertë, përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk e dhanë rezultatin të cilin e synuam. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u kemi bërë ftesë nuk ka pranuar të bëjë një marrëveshje për bashkëqeverisje megjithëse vota e qytetarit kësaj radhe kishte përcaktuar që duhej të kishte një koalicion qeverisës.

I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me NISMA-n. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse NISMA përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Po të rezononin ndryshe këto dy parti, dhe të pranonin ofertën tonë për bashkëpunim, ne jo vetëm që do t’i kishim numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë e re nga kjo legjislaturë e zgjedhjeve parlamentare të rregullta, të lira, e të ndershme të 9 shkurtit sivjet, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit, e cila na pret pas vetëm katër muajve.

Duke e parë disponimin e elektoratit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, jam përpjekur shumë që ta shkëpus LDK-në nga PDK-ja. Në vitin 2020, ia arritëm, por vetëm për 51 ditë. E provuam përsëri, me lidershipin e ri të LDK-së, por pa sukses. E vetmja mënyrë se si LDK pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne ishte që edhe PDK-ja të jetë aty brenda. Për neve kjo është e papranueshme, sepse e dëmshme.

Katër vitet e këtij mandati na e kanë dëshmuar se qeveria është stabile atëherë kur përveç numrave në Kuvend, i ka edhe numrat në kuti të votimit. Dhe se interesat e vendit mbrohen dhe afirmohen më së miri atëherë kur kryeministri dhe qeveria gëzojnë legjitimitet të madh dhe të drejtpërdrejt nga populli.

Dua të theksoj se unë dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! jemi të interesuar, andaj angazhohemi të punojmë që ta zhvillojmë shtetin, e jo që ta mbajmë pushtetin. Prandaj, para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet.

Kjo është edhe arsyeja pse vendi natyrisht, siç e pamë nga dita e djeshme nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë. Jemi përpjekur që çdoherë kur është kërkuar nga ne, obligimin tonë ta kryejmë me kohë; edhe kur kemi votuar menjëherë Komisionin për Verifikimin e Mandateve; edhe kur kemi propozuar menjëherë për Kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiun; edhe kur kemi propozuar menjëherë metodën e votimit të fshehtë; edhe kur e kemi zëvendësuar menjëherë Albulena Haxhiun me të tjerë kandidat derisa u votuar kryetari aktual i Kuvendit, Dimal Basha; dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, ia ka dërguar nomimin tim Presidentes së Republikës menjëherë, për të filluar me përpjekjet për zgjedhjen e qeverisë. Kur janë afruar afatet ne nuk kemi hezituar asnjëherë.

Por tash ndërkohë kemi hyrë në muajin e tetë, të vitit të pestë të mandatit tonë të plotë katër vjeçar, nuk e kemi menduar që do të ndodhë, sigurisht që nuk e kemi dëshiruar, por dita e djeshme vetëm sa e zgjat një mandat të këtillë.

E në këtë mandat që është mandati i Qeverisë në detyrë, ne kemi përplot detyra të cilat po i kryejmë me përkushtim dhe përpikëri. Më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre:

Kemi vendosur gurthemelin e:

– Çerdhes së re në Bardhosh të Prishtinës (investim 1.17 milionë euro);
– Shkollës Fillore dhe çerdhes në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut (investim i MASHTI-t me vlerë mbi 4.1 milionë euro) dhe Shkollës së re në Fushë Kosovë, po ashtu;
– Depos së Barnave në Fushë Kosovë që po ndërtohet, duke e bërë vendin tonë me Depo të duhur të barnave pas më shumë se dy dekadave;
– Objektit të ri të QKMF-së në Shtime dhe objektit të ri të Entit Special;
– Pishinës së dytë gjysmë-olimpike në nivel vendi, në Podujevë;
– Stacionit të Policisë në Zubin Potok;
– Ndërtesave të Banimit të Përballueshëm dhe Social në Pejë, Podujevë, Gjilan dhe Istog; 404 njësi banesore janë duke u ndërtuar prej se jemi qeveri në detyrë.
– Kemi vendosur gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë njëra tashmë ka përfunduar, ndërkaq tjetra është në ndërtim e sipër, si dhe të
– Stadiumit të Qytetit të Therandës/Suharekës, investim i MKRS në vlerë prej 11 milionë euro.

Ndërkohë, kemi përuruar:
– Fundërruesit për sistemin e ujit të pijshëm që siguron ujë të pijshëm e të sigurt për 10 mijë banorë të Istogut;
– Objektin e ri të Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Izvor të Zveçanit – 2km larg kufirit me Serbinë;
– Zyrën e re të Postës së Kosovës në Leposaviq;
– Urën për automjete në lumin Ibër;
– Tri çerdhe: në Fushë Kosovë, në Shtime dhe në Kamenicë;
– Bypassin në Vushtrri në drejtim të Mitrovicës;
– Punimet në segmentin Zahaq-Klinë, e kështu me radhë.

Ndërkaq:
– I kemi rritur shtesat për nënat lehona nga 170 euro sa ishin në 325.9 euro dhe pagesën e qeverisë për pushimin e lehonisë nga e kemi ngritur nga 223 euro në 319.5 euro;
– Kemi ndarë 100 euro shtesë për studentët e të gjitha niveleve dhe të gjitha universiteteve të akredituara në vend me rastin e fillimit të vitit të ri akademik;
– E kemi funksionalizuar Bordin e Përbashkët të Mitrovicës – rezultat i të cilit është edhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet MMPHI, Komunës jugore të Mitrovicës dhe asaj veriore të Mitrovicës, për projekte të ndryshme infrastrukturore, në mesin e tyre edhe ato dy urat e reja;
– Jemi anëtarësuar me të drejta të plota në EQAR dhe në Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale;
– Ka vazhduar Programi Kompakt i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC);
– E kemi mirëpritur dhe kemi marrë pjesë në Defender Europe 2025 me afër një mijë ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pra ushtarë, oficerë e nënoficerë;
– Jemi pajisur me dronë amerikan Puma, autoblindat amerikane dhe mijëra dronë luftarakë kamikaz Skydagger;
– E kemi nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe J6 të Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane.
– I kemi nënshkruar kontratat për stadiume të futbollit; për ndërtimin e Stadiumit në Gjilan ku punimet janë duke u zhvilluar çdo ditë; për rinovimin e tërësishëm të Stadiumit të Qytetit “Përparim Thaçi” në Prizren me 7800 ulëse, investim 13 milionë euro; dhe ndërtimin e stadiumit të ri në Ferizaj me 8500 ulëse, investim 17 milionë euro;

Pra, si qeveri në detyrë po i kryejmë detyrat në përputhje me kushtetutshmërinë e Republikës sonë dhe ligjet në fuqi dhe tash natyrisht që do të vazhdojmë që të jemi në qeveri në detyrë meqenëse dje nuk arritëm që të bëhemi fuqiplotë apo me kompetenca të plota siç kemi synuar.

I falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën formimin e qeverisë së re. Në këtë korpus të atyre të cilët votuan nuk ishin vetëm shqiptarët, kishim edhe boshnjak, turq, rom, ashkalinj, egjiptian, kishim edhe serb. Pra, si kryeministër që i përfaqësoj të gjithë mora votën dje nga të gjitha komunitetet, përveçse shumicës shqiptare, përkatësisht mazhorancës së VETËVENDOSJE! në partneritet me Guxo dhe Alternativën dhe u jam falënderues të gjithë atyre dhe secilit prej tyre, duke mos harruar natyrisht mbështetjen e madhe të qytetarëve të Republikës, përkrahjen e tyre të vazhdueshme për punët që bëjmë dhe sfidat në të cilat ndodhemi, por edhe për vëmendjen e durimin e tyre.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors