Fjala hyrëse e Kryeministrit Kurti në konferencë për media, pas mbledhjes së 169-të të Qeverisë


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 27 tetor 2023

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,

Dje në margjina të Samitit të Këshillit Evropian në kuadër të dialogut në Bruksel zhvilluam takim me krerët e Bashkimit Evropian, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak.

Ky takim u zhvillua pas vizitës që pesë emisarë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin në vendin tonë me datë 21 tetor të këtij muaji meqë rast ata ofruan edhe një plan propozim të tyre për ecjen përpara.

Takimi ishte mundësi e mirë për të kërkuar nga krerët e Bashkimit Evropian më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë prej nga edhe erdhi agresioni ndaj Kosovës me paramilitarët të cilët e kryen sulmin kriminal e terrorist të sponsoruar nga Serbia, e po ashtu kërkova ndëshkimin dhe sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist ndaj Kosovës pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje. Ne nuk i kërkojmë sanksionet për hirë të ndëshkimit por i kërkojmë sanksionet si ndëshkim për hirë të mos përsëritjes. Ju të gjithë e dini se i kemi pasur 16 barrikada për tre javë në dhjetor të vitit të kaluar, pastaj kemi pasur plagosjen dhe lëndimin e rreth 90 pjesëtarëve të KFOR-it, një duzinë policëve të Kosovës dhe jo pak gazetarëve në fund të muajit maj të këtij viti, si dhe rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq më datën 14 qershor të këtij viti. Ndërkaq më datë 24 shtator e vranë rreshterin Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës. Nuk kemi nevojë për episodin e pestë dhe për të mos pasur përsëritje të dhunës së tillë vrastare është i domosdoshëm ndëshkimi, sanksionimi i Serbisë.

Në këtë takim unë kam theksuar që grupi paramilitar terrorist i Milan Radoiçiq dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen nga Serbia në Kosovë dhe në Kosovë të përballen me drejtësinë. Republika e Kosovës është vendi më demokratik i rajonit dhe me sundimin e ligjit të nivelit më të lartë, vlerësuar edhe nga “World Justice Project” andaj pikërisht në Kosovë ata do ta kishin gjykimin e drejtë dhe fer, aq më tepër që ai do të ishte edhe i monitoruar nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX-i.

Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj Kosova meriton ta ketë sa më parë statusin e vendit kandidat për Bashkim Evropian dhe që njohjes së Kosovës t’i bashkohen edhe pesë shtete mosnjohëse, atyre 22 që na e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq për ta rritur sigurinë e Kosovës por edhe të rajonit në përgjithësi, Partneriteti për Paqe, marrëveshje me NATO-n drejt anëtarësimit në Aleancën Veri-atlantike është edhe nevoja edhe zgjidhja. Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke. Në këtë drejtim unë iu rikujtova që më 27 shkurt në Bruksel e kemi pranuar Marrëveshjen Bazike, gjashtë fjali në preambulë, 11 nene dhe Aneksin e Zbatimit në Ohër më 18 mars me 12 pikat e tij.

Por në të dy rastet, edhe më 27 shkurt në Bruksel edhe më 18 mars në Ohër pala serbe, përkatësisht presidenti i Serbisë ka refuzuar që ta nënshkruajë marrëveshjen. Ndonëse ka thënë që e pranon marrëveshjen edhe është dakord me tekstin e saj me përmbajtjen e saj.

Unë nënshkrimin e marrëveshjes e ofrova edhe në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor ku Serbia e cila përfaqësohej me kryeministren e saj gjithashtu refuzojë sikurse presidenti i Serbisë. Ndërkaq në takimin e 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë na është thënë që drafti për vetmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje.

Ndërkaq, dje në Samitin e Këshillit Evropian në Bruksel para krerëve të Bashkimit Evropian ne ofruam që para tyre si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Implementues të Ohrit të 18 marsit, dhe propozimin për zbatimin e nenit 7-të të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10-të, pra për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në propozim.

Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Këtë ua kemi thanë shumë qartë dje, duke theksuar që Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja dhe vendi ku do të duhej të ndodhte kjo.

Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetmenaxhim apo zbatimin e nenit 7-të të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10-të të Marrëveshjes Bazike gjithnjë.

Qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb kanë të drejta të garantuara dhe të zgjeruara me Kushtetutën e Republikës sonë, gjuha serbe është gjuhë zyrtare gjithandej Kosovës në të gjitha nivelet e administratës, 17 për qind të përfaqësuesve lokal nëpër Kuvendet Komunale janë serb, ndërkaq 10 vende janë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Parlamentin e Republikës së Kosovës të cilët po bojkotohen dhe nuk po shfrytëzohen. Ne e dimë që deputetët e shfrytëzojnë vullnetin e lirë që nganjëherë edhe të bëjnë bojkot përkohësisht për naj çështje. Mirëpo, ta bësh bojkotin tërë kohën nga pozita e ulëses së rezervuar, ky është një dëm i madh që i bëhet komunitetit serb së pari, e më pastaj është edhe përpjekje për ta dëmtuar shtetin e Kosovës.

Le të mos harrojmë që nga viti 2008 deri më tani 62 për qind buxheti i alokuar i Republikës së Kosovës për komunat për kokë banori është më i lartë në 10 komunat me shumicë serbe sesa në 28 komunat e tjera. Pra, kemi bërë përllogaritje nga viti 2008 kur është shpallur Pavarësia e Kosovës.
Ne e duam integrimin e serbëve në jetën institucionale e shoqërore në Kosovë. Ata që integrohen gjithmonë jetojnë më mirë.

Pas më shumë se një dekade të insistimit në Asociacion, në Zajednicë, Serbia dje ka refuzuar që të nënshkruante një draft për vetmenaxhim që është sjellë nga vetë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një kohë krizash të shumta, takimi në nivel të lartë që u bë në margjina të Samitit të Këshillit Evropian, tregon për rëndësinë që Bashkimi Evropian dhe krerët e Bashkimit Evropian i kushtojnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Republika e Kosovës e çmon lartë angazhimin e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të krerëve të tyre, të emisarëve të tyre dhe i falënderojmë për rolin dhe kontributin e tyre.

Tani është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist e kriminal ndaj Kosovës si dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve.

Për atë që dakordohemi duhet ta nënshkruajmë. Nënshkrimi është pranim dhe nënshkrimi është garanci për zbatim.

Ju faleminderit. E tash do të mund t’ju përgjigjemi disa pyetjeve tuaja.

Pyetje: Kryeministër e thatë që Serbia sërish po refuzon të nënshkruaj marrëveshjet përkundër gatishmërisë suaj. Pse mendoni që për Serbinë paraqet problem nënshkrimi në marrëveshjet me Kosovën? Dhe pyetja e dytë nëse Kosovës po i kërkohet që të pranojë të diskutohet për statusin e Asociacionit, a jeni në dijeni se çfarë po i kërkohet Serbisë?

Kryeministri Kurti: Së pari presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan, sepse ai i ka thënë po Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit zbatues në mënyrë që të mos nënshkruaj, e tash duket që i ka rënë pishman që ka thënë po. Nuk është e rastësishme që ka filluar gjithnjë e më shpesh të përsëritë atë vargun se e pranon marrëveshjen në koncept, por jo në përmbajtje, ndërkaq në anën tjetër zbatimin në mënyrë të kufizuar. Ky është sulm i drejtpërdrejtë në marrëveshjet që i kemi bërë në Bruksel dhe në Ohër, e që janë edhe pjesë e konkluzioneve të Bashkimit Evropian, përkatësisht Këshillit Evropian. Ju e dini që në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan pikërisht për shkak të përmbajtjes, për shkak të kuptimit që kanë këto tekste të këtyre marrëveshjeve. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ata gjithnjë insistojnë që të dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë, të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht e formalisht Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin Zbatues. Mbrëmë morëm vesh se presidenti i Serbisë kërcënon dhe i përmbushë ato kërcënime me këso letrash të cilat thonë tri gjëra: Serbia se njeh pavarësinë e Kosovës; është kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara; dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës. Kjo e treta në fakt është një shtesë, se këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët.

Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i papranueshëm. Pikërisht Federata Ruse para sulmit në Ukrainë thoshte që nuk e pranon integritetin territorial të Ukrainës.

Kosova më 24 shtator, po e ritheksoj, ka përjetuar cenim të integritetit territorial, të sovranitetit shtetëror dhe të sigurisë kombëtare. Mirëpo, përkundër kësaj në vend se të kemi ekstradim të grupit terrorist të Radojçiqit, ne kemi kërcënime të këtilla nga Brukseli, pra jo nga Beogradi, kërcënime nga Brukseli, prej presidentit të Serbisë se nuk njihet integriteti territorial i vendit tonë.

Ndërkaq, marrëveshjet bazike thuhet se njihet. Marrëveshjet bazike janë shumë të qarta në përmbajtjen e tyre dhe unë besoj që me ato deklarata, janë shkelur, është shkelur edhe Marrëveshja Bazike duke u sulmuar integriteti territorial i vendit tonë, nga askush më pak sesa presidenti i Serbisë.

I keni nenet e qarta në këto Marrëveshjen Bazike dhe në atë të Aneksit Zbatues të Ohrit, ku unë po ua citoj çka thuhet për integritetin territorial. Pika e 3-të e preambulës thotë kështu: “Të vetëdijshëm për pacenueshmërinë e kufijve dhe respektin e integritetit territorial dhe sovranitetit dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare si një kusht bazë për paqe”.

Deklarata e mbrëmshme është shkelje e pikës 3-të të preambulës dhe më tej integriteti territorial në Marrëveshjen Bazike, gjithashtu përmendet në nenin 2 thuhet “Të dy palët do të jenë të udhëhequra prej qëllimeve dhe principeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, posaçërisht të atyre për sovranitet të barabartë të të gjitha shteteve, respektin e pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, e kështu me radhë, të drejtës për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.

Pra, me atë deklaratë që nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, presidenti i Serbisë e ka shkelur edhe fjalinë e tretë të preambulës të Marrëveshjes Bazike, edhe gjithashtu nenin 2 të Marrëveshjes Bazike.

Unë nuk mund ta di se çfarë kërkohet nga presidenti i Serbisë në takimet të cilat zhvillohen me të, por ajo çfarë unë kërkoj që të kërkohet prej tij, sepse ne nuk kemi juridiksion në Serbi, është dorëzimi i grupit terrorist, paramilitar të Milan Radojçiqit, dhe gjithashtu që të mos shkelet as germa, as fryma e marrëveshjeve të dakorduara.

Pyetje: Kryeministër, çka përmban konkretisht plani i BE-së, që u është dorëzuar të shtunën nga pesëshja euro amerikane ta quaj ashtu. Dhe pyetja e dytë e përmendet integritetin territorial që Vuçiq nuk e pranon, e përmendet edhe preambulën ndërsa edhe në vitin 2015-të, në marrëveshjen për asociacionin Serbia e ka pranuar në njëfarë mënyre edhe Kushtetutën e Kosovës se aty thuhet që draft-statuti për asociacionin do të dërgohet edhe në Kushtetuese. Pse këta hapa mbrapa të Serbisë, si po reagon BE-ja në këto deklarata të Vuçiqit, a po i përmenden këto çështje?

Kryeministri Kurti: Unë pajtohem me juve se kemi hapa mbrapa dhe për bindjen time hapat mbrapa janë për shkak të militarizimit të politikës atje. Politika atje gjithnjë e më shumë mendon dhe vepron me gjuhën e forcës, të forcës së dhunshme e cila kur nuk janë organet e sigurisë janë grupet paramilitare të cilët sponsorohen nga shteti që i ka edhe ato organe të sigurisë. Së i përket këtij propozimit, ne e respektojmë kërkesën e 5 emisarëve derisa të na kërkohet që të mos flasim konkretisht për të, por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar që e kanë shkruar me kujdes duke pas parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema gjithnjë do ta jap Gjykata Kushtetuese. Por, për bindjen tonë të fuqishme vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk do të duhej asnjëherë të harrojë se sa shumë tashmë ka bërë Republika e Kosovës për serbët në Kosovë, të drejta të cilat janë të pashembullta edhe në vet Evropën, ndërkohë që kemi dëgjuar shpesh se flitet për modele evropiane të zgjidhjes.

Pyetje: Borrelli tha mbrëmë se nuk është arritur marrëveshja sepse të dyja palët kanë pasë parakushte. Cilat ishin parakushtet tuaja, gjegjësisht kushtet për marrëveshjen, përveç sanksioneve ndaj Serbisë, të cilat i keni përmendur tashmë, dhe nëse është e mundur shkurtimisht, më lejoni t’ju kërkoj në gjuhën serbe që t’u shpjegoni qytetarëve nga komuniteti serb se çfarë në të vërtetë ka ndodhur dje në Bruksel. Dhe një pyetje tjetër, a prisni që regjistrimi i popullsisë të fillojë gjatë nëntorit siç është paralajmëruar. Faleminderit.

Kryeministri Kurti: Faleminderit për pyetjen. Së pari, ne pranuam Marrëveshjen Bazë, gjithashtu edhe Serbia e pranoi  Marrëveshjen Bazë nga Brukseli më 27 shkurt të këtij viti dhe këtë Aneks Implementimi nga Ohri më 18 mars. Tani, kemi një propozim tjetër, të fundit në lidhje me nenin 7 të Marrëveshjes Bazë në lidhje me nenin 10, dhe me këtë rast, unë dje thashë se nëse duam zbatim, zbatim të menjëhershëm, zbatim pa kushte dhe zbatim të plotë të të gjitha këtyre marrëveshjeve, le të nënshkruajmë menjëherë, sot, sepse ai Samit është vendi i duhur dhe Brukseli është kryeqyteti ku kjo duhet të zhvillohet. Por përshtypja ime është se presidenti i Serbisë u tha po këtyre marrëveshjeve, që të mos nënshkruaj, dhe tani edhe i vjen keq edhe pendohet që tha po, që i pranoi ato marrëveshje. Nuk mund ta kuptoj ndryshe, por nëse jemi të përgjegjshëm dhe të aftë në funksionet tona, kur thoni po, duhet të firmosni. Pranimi dhe nënshkrimi janë e njëjta gjë nga këndvështrimi im. Kur them -po- nënshkruaj, kur nënshkruaj do të thotë -po-, por ky nuk është rasti im me Presidentin e Serbisë, dhe nga ana tjetër nuk mund të kemi vullnet të mirë dhe mirëbesim nëse themi se e kam pranuar konceptin dhe jo përmbajtjen dhe them -po- zbatimit por me kufij të caktuar. Ky është sabotim, kjo është joserioze dhe e pasinqertë, nuk ka dialog, nuk ka marrëveshje, nuk ka zbatim, nuk ka vullnet të mirë dhe nuk ka mirëbesim. Dje e theksova se do të kemi vullnet të mirë dhe mirëbesim nëse kemi një nënshkrim. Pa një nënshkrim nuk është serioze, kjo do të thotë se ajo që bëjmë, ajo që themi dhe ajo që mendojmë nuk janë e njëjta gjë. Unë dua që ajo që themi, ajo që mendojmë dhe ajo që bëjmë të jetë e njëjta gjë dhe një nënshkrim do të jetë garanci për këtë. Presidenti i Serbisë nuk ka pranuar dhe tani…, siç interpretojnë zyrtarë të ndryshëm, unë nuk do t’i interpretoja as këto interpretime. Unë nuk kisha asnjë kusht, thashë atë që ishte e drejtë, erdhëm këtu, këtu është Scholz, Macron, Meloni, Borell, Michel, Lajçak, ky është vendi dhe koha për të nënshkruar. Ne gjithashtu nuk mund të kthehemi në Status Quo Ante, sikur asgjë të mos kishte ndodhur më 24 shtator. Kërkova që ky grup kriminelësh, terroristësh, formacionesh paraushtarake që ai i ka udhëhequr në operacion, jo politikisht, sepse politikisht është udhëhequr dhe financuar nga Beogradi, Beogradi zyrtar, Milan Radoiçiq. Ata duhet të dorëzohen para organeve tona të sigurisë dhe drejtësisë, sepse Kosova për sa i përket sundimit të ligjit është kampione në Evropë. World Justice Project e konfirmon këtë. EULEX-i gjithashtu monitoron proceset tona gjyqësore, kështu që ne kemi EULEX-in. Nëse dikush dyshon në ndonjë gjyqtar apo prokuror në Kosovë, nuk ka asnjë proces të vetëm, një proces të rëndësishëm, ku nuk keni apo nuk janë të mbikëqyrur nga një zyrtar i EULEX-it apo disa prej tyre në këto gjykime kryesore që ndodhin në gjykatat tona. Ne kemi marrë vendim që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor dhe për momentin nuk ka asnjë vendim tjetër.

Pyetje: Kryeministër e përsëritet disa herë çështjen e nënshkrimit, gatishmërinë tuaj, ndërkohë presidenti Vuçiq në deklarimin e tij dje, realisht mohoi se ka pas diçka të tillë, madje kur u pyet nga kolegët tanë është  parë i nervozuar pak a shumë për faktin se është pyetur, pse nuk nënshkroi? Dua të di saktë a ka pasur kërkesë nga ndërmjetësuesit në këtë rast nga znj.Meloni, z.Scholz dhe z.Macron, që të ketë një nënshkrim nga të dyja palët, apo ka qenë vetëm gatishmëria e juaja edhe kërkesë e juaja për një gjë të tillë?

Kryeministri Kurti: Së pari neve na është thënë me 27 shkurt në Bruksel që Marrëveshja duhet të nënshkruhet, unë kam thënë le ta nënshkruajmë sonte, më thanë jo me Aneksin e Zbatimit kur të shkojmë në Ohër, kur shkuam në Ohër, prapë nuk është bërë nënshkrimi. Marrëveshja dhe nënshkrimi janë elemente të të njëjtit pellg të temës, nuk ka nevojë të ndahen këto dy gjëra. Dhe kur kemi shkuar në dialog në Bruksel kemi shkuar me idenë që nënshkrimi është marrëveshja, marrëveshja është nënshkrim.

Si jemi marrë vesh ne nëse themi jemi marrë vesh por se vë dot nënshkrimin. Prandaj, asgjë të jashtëzakonshme nuk jam duke thënë unë. Është abnormale dhe ekstreme të konsiderosh që nuk bën të nënshkruash e duhet të merresh vesh.

E di që presidenti i Serbisë i ka përdorur si arsyetim, që i bie ta shkelë Kushtetutën e Serbisë, nëse nënshkruan. Tani ai nuk është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, por edhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese është njëri prej gjykatësve, ai nuk e di a e shkelë ose nuk e shkelë. Nëse e shkele ose nuk shkelë Kushtetutën vendos Gjykata Kushtetuese, por ai po e merr edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe po thotë nuk e shkelë unë Kushtetutën e Republikës së Serbisë.

Në anën tjetër po thotë e zbatoj Marrëveshjen, ose e zbatoj me limite. Por, si është e mundshme që e zbaton Marrëveshjen që mund të jetë shkelje e Kushtetutës, e në anën tjetër thuhet nuk nënshkruaj Marrëveshjen, sepse ajo do të paraqiste shkelje të Kushtetutës.

Përplot kundërthënie që janë logjike para se të jenë juridike. Ndërkaq, a i është kërkuar në takim që ta nënshkruaj Marrëveshjen siç kam kërkuar unë, nuk e di,  sepse takimet dje nuk kanë qenë trilaterale, kanë qenë vetëm bilaterale.

Pyetje: Kryeministër, sot e propozuat që të hiqen shtesat për policët, kur pritet të votohet ky propozim dhe;

A mund  të na sqaroni  që nëse FIT-i tash do t’i ketë shtesat 150 euro, sa kanë qenë më herët për secilën kategori që i përmendët edhe;

Kryeministër tash e 4 ditë minatorët e Trepçës janë në grevë, a do t’i vizitoni minatorët që po kërkojnë shkarkimin e Kryeshefit dhe çka ka ndodhë me premtimin për 70 milionë euro investime në Trepçë, kur pritet të realizohet ky premtim?

Kryeministri Kurti: Së pari unë besoj që është një lajm i mirë për qytetarët e Republikës, për Policinë e Kosovës, përcaktimi i skemës së shtesave të rrezikshmërisë të cilat shkojnë në raportin 3 me 1, shtesa më e lartë me atë më të ultë.  Duhet ta kuptoni se rrezikshmëria për policët tanë nuk luftohet thjeshtë me shtesa, por luftohet edhe me kushte edhe mjete të punës. Madje do thosha që kjo është kryesorja dhe ne jemi duke punuar shumë që ata t’i kenë kushtet sa më të mira të punës, mjetet sa më efikase të punës dhe rrezikshmërinë sa më të ultë.  ​E tash ka marr sa më shumë kohë meqenëse duhet të mos krijojmë pabarazi shtesë dhe e kemi vënë theksin të gjendja e tensionuar në veri të vendit dhe për aq kohë sa do të zgjasë. Në nëntor, të gjithë policëve që marrin shtese të rrezikshmërisë do t’ju bije që t’i marrin retroaktivisht prej kur ka hy në fuqi ligji i pagave pra prej shkurtit të vitit 2023. Gjithashtu janë shtatë kategori të tyre të cilët ne i kemi paraparë këto të cilat i thashë në mbledhjen e qeverisë, por dua të theksoj edhe diçka të cilët mbase nuk mund ta gjeni ndërkaq për atë se sa janë tash shtesat e në të kaluarën kjo është  informatë që dihet, por ajo që mund të mos e dini është kjo, e para, përgjatë këtij viti 2134 policë kanë pasur në Republikën e Kosovës të ardhura mesatare më të larta se 1 mijë euro. Që i bije afër 27 për qind të policëve të ardhurat mesatare për këtë vit për 2134 kanë qenë më lartë se 1 mijë euro.

Në qershor dhe korrik sivjet janë afër 700 policë të cilët kanë marrë pagë me shtesa, pra të ardhura kumulative, më të larta se presidentja e Republikës. Ndërkaq, mesatarja e të ardhurave të policëve për 203 sosh gjatë këtij viti është më e lartë se sa e presidentes së Republikës që është paga më e lartë në sektorin publik.

Pra, po ua tregoj edhe këto shifra të cilat nuk janë ditur dhe duhet ta kuptoni se pavarësisht ndonjë zëri a më mirë të them zhurme opozitare, faktet, të dhënat flasin ndryshe, sepse ne me këto fakte pozitive të shtetit tonë e kemi për detyrë që t’ju kundërvihemi përpjekjeve për atmosferë negative.

Kryeministri kaq pati kohë, më duhet të takoj gazetarin gjerman Erich Rathfelder, i cili e njohë prej një çerekshekulli është këtu, ndërkaq zëvendëskryeministri do të mund t’ju përgjigjet nëse i keni edhe dy pyetje.

Shikoni, ne i kemi bërë analizat e hollësishme. Nuk mund të kemi zgjidhje partikulare. I kemi bërë analizat e hollësishme dhe ju kemi treguar. Shtesa më e lartë për rrezikshmëri është 150 euro më e ulta është 45 euro. Ju e dini që parë boll kurrë s’ka. Por buxheti i Kosovës është ky që është dhe po ua theksoj edhe njëherë, afër 700 pjesëtarë të policisë së Kosovës që i bie gati 10 për qind të tyre. Në muajin qershor dhe korrik kanë pas të ardhura mesatare më të larta se presidentja e Republikës.

Pyetje: Gjatë takimeve të djeshme me liderët e vendeve të BE-së a keni kërku me u largu masat ndëshkuese ndaj Kosovës, me që siç kanë kërku edhe ata hapa konkret për normalizim të marrëdhënieve, tashmë Kosovë është duke i bërë. Në anën tjetër, prej Samitit doli sot se nëse palët, pra Kosova dhe Serbia, nuk bëjnë hapa tutje do të thotë me pranimin dhe zbatimin edhe të planit të ri ka me pasë pasoja. A ju kanë tregu dje çfarë pasoja janë këto?

Zëvendëskryeministri Bislimi: Faleminderit shumë. Fillimisht, takimi i djeshëm në margjina të Samitit të Këshillit të BE-së ka pasur synim me pas ecje tutje me zbatimin e Marrëveshjes Bazë të 27 shkurtit. Nëse ne do të kishim pranuar që në pjesën zyrtare të fusim në ekuacion edhe heqjen e masave, kjo do të ishte bërë pjesë e marrëveshjes pastaj, heqja e masave. Ne mendojmë që pjesa e masave ka të bëjë me hapat që Kosova ka ndërmarrë në deeskalim dhe këtë e kemi thënë jashtë asaj, mirëpo jo si një lloj koncesioni i BE-së për hapat tonë në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Unë mendoj që Bashkimi Evropian ka një dakordim informal që masat ndaj Kosovës janë të padrejta edhe janë të dëmshme. Tash se si ata do ta gjejnë mekanizmin për largimin e këtyre masave dhe momentin e duhur mendoj që i takon Komisionit Evropian, por ajo që është e pasaktë është që për këtë kërkohet votim në Këshillin e BE-së. Masat as nuk janë vendos me votim, as nuk heqen me votim.

Pyetje: E pasojat e ardhshme. Çka munden me kanë pasojat e tjera për vendet nëse nuk zbatohet marrëveshja dhe plani?

Zëvendëskryeministri Bislimi: Kosova është nën masa, do të thotë diskutimi për masat që mund të ndërmerren në rast të mosqasjes konstruktive nga ana e Serbisë ose në rast që hetimet përfundojnë me një konstatim që prapa sulmit apo aktit agresiv të 24 shtatorit qëndron Serbia, do të flasim për masat ekonomike dhe politike që mund të vendosen për Serbinë. Por prapë është e qartë, jo për Kosovën, se Kosova nuk ka qenë shkaktar i sulmit të 24 shtatorit, do të thotë masa do t’i vendosen Serbisë në rast se konstatohet por është shumë me rëndësi të dihet që masat nuk mund të jenë të tipit të sanksioneve meqë ka një vend brenda Bashkimit Evropian që kategorisht do të refuzojë vendosjen e sanksioneve, andaj masat pritet të jenë ato që lidhen me integrimin evropian dhe mbështetjen financiare që merr Serbia nga Bashkimi Evropian. ​

Pyetje: Atëherë, Zëvendëskryeministër, pyetja ishte për Kryeministrin, por besoj që edhe prej jush mund të marr përgjigje. Po e përmendi muajin shkurt, ndoshta edhe seancën në Kuvend të Kosovës, mirëpo edhe gjatë muajve të tjerë, edhe në mars ka përmendur Kryeministri, që ka pasur kushte për me pranu hartimin e draftit për Asociacionin. Çka ka ndodhur me këto kushtet e Kryeministrit, përkatësisht të Qeverisë së Kosovës, që me u hartu një draft i tillë dhe pse u desh që Bashkimi Evropian, të na e sjellë neve një draft për Asociacionin, kur një kërkesë të tillë e kemi që moti, qoftë prej BE-së, njashtu edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, Kryeministri tha që nuk mundet me shpalosë detaje. Pa dashur me kërku ndoshta detaje prej përmbajtjes së draftit, besoj që edhe ju e keni parë atë draft të sjellë nga BE-ja. A mund të garantoni ju në bazë të asaj që ju keni pasur hapësirë me analizu, që ai draft është në të vërtetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës?

Përgjigje e Zëvendëskryeministrit Bislimi: Fillimisht, në muajin shkurt Kryeministri ka treguar rrethanat, në të cilat ai është i gatshëm të angazhohet në mënyrë konstruktive në draftimin e dokumentit, që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb, do të thotë përmbushjen e pikës 7 në bashkërenditje me pikën 10 të Marrëveshjes Bazë. Në rast se sigurohet që kjo Marrëveshje është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, është në harmoni me letrën, që zonja Mogerini i ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, z.Isa Mustafa me 24 gusht të vitit 2015 dhe në harmoni me qëndrimin publik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një OpEd-i të publikuar në “Koha Ditore” më 30 janar të vitit 2023. Do të thotë këto kanë qenë kornizat. Ne kemi kërkuar dakordim që këto do të jenë ato limitet brenda të cilave shkojnë. Natyrisht që Serbia nuk ka pranuar të hyjë në këtë diskutim dhe rrjedhimisht ne nuk kemi mundur të fillojmë punën rreth kësaj. Në ndërkohë, ne nuk mund t’i stopojmë partnerët e tjerë, që do të marrin iniciativat e tyre. Siç e tha edhe Kryeministri, sponsorët e këtij dokumenti kanë deklaruar dhe kanë siguruar, që gjatë përpilimit të propozimit të tyre, i cili nuk është propozim merre ose leje, ata janë kujdesur në maksimum që të përmbushen kushtet e z.Kurti, që do të thotë në plotni të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015. Por, prapë, ne nuk e kemi kompetencën që të konstatojmë se a përbën një formulim brenda shkelje të Kushtetutës apo jo, por ajo që tha Kryeministri, që gjendet brenda dokumentit, është prapë filteri, që çfarëdo dakordimi që bëhet, duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetje: Kancelari Scholz ka thënë se z.Kurti na ka premtuar se do ta bëjë Asociacionin.

Përgjigje e Zëvendëskryeministrit Bislimi: Z.Kurti ka premtuar në Marrëveshjen e 27 shkurtit 2023, që do zbatojë dhjetë pikat e Marrëveshjes Bazike. Aty i gjeni të gjitha marrëveshjet.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors