Prishtinë, 14 mars 2026
Mirëmëngjesi të gjithëve,
I nderuari z. Sorensen,
I nderuari ambasador Orav,
Faleminderit shumë për vizitën tuaj në Kosovë dhe për gatishmërinë tuaj dhe të ekipit tuaj që më shumë e më shpesh të vini të vizitoni këtu në mënyrë që bashkërisht të trajtojmë sfidat tona në procesin e normalizimeve të raporteve me fqinjin tonë verior.
Të nderuar qytetarë, siç edhe jeni informuar dhjetëra herë në këta dy muajt e fundit, nga data 15 fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë si individuale ashtu edhe nacionale, por edhe për menaxhim më efikas të migrimit si dhe qarkullimit në trafik. Është fjala për ligjin për të huajt dhe atë për veturat, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Duke filluar nga data 15 janar e këtij viti, ne kemi nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, fazë kjo më shumë e orientuar në qartësim, informim dhe vetëdijesim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë të cilat burojnë për ta nga dispozitat e këtyre dy ligjeve; por njëkohësisht fazë e përdorur për të bërë përgatitjet e duhura që garantojnë një zbatim efektiv të ligjeve. Lista e aktiviteteve të ndërmarra dhe institucioneve të përfshira është jashtëzakonisht e gjatë, dhe falënderoj secilin e secilën që kanë qenë të përfshirë dhe kanë kontribuar në këto aktivitete. Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi na ka mbajtur ne dhe ju të dashur qytetarë në vazhdimësi të informuar për spektrin e këtyre aktiviteteve dhe për përgatitjet e bëra.
Tash 15 marsi është afruar dhe besoj që gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt se të gjithë ne do dalim fitues nga zbatimi këtyre dy ligjeve e besoj fuqishëm që më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve edhe u drejtohet ky ligj. Pra të huajt që falë rregullave të përcaktuara me ligj do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e me shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre. Kjo vlen sidomos për ata që Kosovën e shohin edhe si mundësi për të qëndruar më gjatë dhe destinacion të përshtatshëm për të siguruar mirëqenien e tyre ekonomike.
Të nderuar qytetarë, nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Vranja dhe qytete tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por poashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegal të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës.
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Ky legalizim në praktikë do të përkthehet jo vetëm në zbatim të plotë të ligjit gjithandej Republikës së Kosovës, por edhe në më shumë cilësi të këtyre shërbimeve, më shumë financim, më shumë prezencë dhe e tëra kjo nënkupton më shumë siguri për qytetarët të cilët i konsumojnë të njëjtat shërbime. Pra qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo së drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimit, por t’i gëzohet benefiteve të cilat do të rezultojnë nga ky proces.
Natyrisht se për ne është e qartë që i gjithë procesi i legalizimit merr kohë. Poashtu e nënvizoj që i gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog, por edhe në koordinim e në konsultim të vazhdueshëm me serbët lokal. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët e komunitetit serb të besojnë në përfitimet nga procesi si dhe detyrimet të cilat burojnë nga marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe korniza ligjore e Republikës së Kosovës.
Nisur nga ky kontekst dhe për të kryer procesin e legalizimit duke u siguruar që nuk vie deri te pengesat në ofrimin e shërbimeve bazike në arsim dhe në shëndetësi, Qeveria e Republikës së Kosovës do fillojë me inkorporimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit tonë. Qeveria do të pajiset nga krerët lokal me listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, lista këto që pastaj do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë te Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës. Mospërputhjet eventuale në raste individuale do të verifikohen nga autoriteti përkatës. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Republikën e Kosovës për qëllime studimore, për të cilët krerët komunal do të ofrojnë listën e plotë të tyre me informatat e detajizuara për fushën e studimit dhe vitin akademik. Këtyre studentëve, pas aplikimit të suksesshëm, Ministria e Punëve të Brendshme do ju ofrojë leje të përkohshme të qëndrimit me afat 12 mujor, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e ri që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike. Paralelisht me këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licensimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu do të hap një dritare të re 3 mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës ë Kosovës.
Të nderuar qytetarë, kjo e dëshmon edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatim të plotë të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për trajtim të barabartë dhe pa asnjë diskriminim të të gjithë qytetarëve tanë si dhe për ofrim të shërbimeve publike cilësore e të standardizuara.
Ju faleminderit të gjithëve!











