Prishtinë, 17 shkurt 2026
Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 18-të vjetorit të Pavarësisë, u mbajt ceremonia e pritjes shtetërore e organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja, Vjosa Osmani Sadriu, si dhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ku të ftuar e të pranishëm ishin udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, deputetë të Kuvendit, ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë e shumë personalitete të rëndësishme.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se shteti i Kosovës është i paraprirë nga mijëra vite të ekzistencës sonë si popull e qindra si komb dhe nga një betejë po aq e gjatë e cila e ruajti identitetin tonë. “Para deklarimit të pavarësisë, shtetësia jonë ka ekzistuar në shumë forma, në emra të fëmijëve, vargje librash e veprimtari në të dy anët e Atlantikut, përveçse në Ballkan dhe jo vetëm. Ka ekzistuar në krenarinë që kemi dhe thirrjen për të mirën e përbashkët. Prandaj, në hyrje të vitit të parë të pjekurisë shtetërore, hyjmë me një histori po aq të gjatë sa ajo e vetë Evropës.”
Ai shtoi se në këto 18 vite patëm aktin themelues: për herë të parë, kultura, identiteti, vullneti dhe të drejtat tona patën mundësinë të vendosen nga vetë ne. Liria jonë mori infrastrukturën e duhur për t’u shndërruar në përparim.
“Edhe pse të kërcënuar vazhdimisht, të thuash se historia jonë si shtet, e si komb, është thjesht një histori mbijetese, është një tkurrje e padrejtë e së vërtetës. Përkundrazi: pavarësisht vështirësive, Kosova mbijetoi pa qenë në një gjendje mbijetese, siç e përshkruan shkenca – një gjendje e mbyllur ndaj gjithçkaje që nuk është e domosdoshme për të jetuar. Ne mbijetuam me një zemër të madhe dhe të hapur, duke ruajtur bujarinë shpirtërore dhe gatishmërinë për të ecur përpara duke kërkuar llogaridhënie, por asnjëherë hakmarrje. Duke vendosur të jetojmë në unitet, me bashkëjetesë ndërfetare dhe shumetnike.” tha kryeministri.
Përmbylli fjalën e tij duke uruar edhe njëherë 18-vjetorin e pavarësisë sonë dhe shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan dhe kontribuan nga vendi ynë, nga populli ynë, por edhe nga faktorët ndërkombëtar.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia Juaj znj. Vjosa Osmani – Sadriu, presidente e Republikës së Kosovës,
E nderuar kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi,
Të nderuar ish-president të Republikës sonë, znj. Atifete Jahjaga dhe z. Fatmir Sejdiu,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës të legjislaturës së X-të,
Zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,
Të nderuar zëvendëskryeministra nga Maqedonia e Veriut, z. Arben Fetai dhe Bekim Sali,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Të nderuar kryetar të komunave të banuara me shqiptarë në Ballkan, nga Tetova në Preshevë, e nga Çairi në Ulqin,
Të nderuar krerë të bashkësive fetare, Myfti Naim Tërnava i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ipeshkv Dodë Gjergji i Kishës Katolike,
Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Sot pavarësia i mbushi 18 vjet. E kalon, si në kuptimin literal ashtu edhe në atë figurativ, një prag të rëndësishëm, kur bëhesh 18 vjeç. Njëjtë sikurse në jetën e një individi, mosha e 18-të është edhe pragu i një udhëtimi të ri për vendin tonë, mbyllja e një etape dhe hyrja në një tjetër. Ditëlindja e 18-të e pavarësisë e gjen Republikën në gjendjen më të fortë se kurrë, dhe gati për rrugëtimin që e pret, me më shumë përgjegjësi, por edhe me shumë vetëbesim.
Pavarësia, edhe pse 18 vjeçe, është një nga ato raste të rralla kur rinia shoqërohet me urtësi. Shteti i Kosovës është i paraprirë nga mijëra vite të ekzistencës sonë si popull e qindra si komb dhe nga një betejë po aq e gjatë e cila e ruajti identitetin tonë. Para deklarimit të pavarësisë, shtetësia jonë ka ekzistuar në shumë forma, në emra të fëmijëve, vargje librash e veprimtari në të dy anët e Atlantikut, përveçse në Ballkan dhe jo vetëm. Ka ekzistuar në krenarinë që kemi dhe thirrjen për të mirën e përbashkët. Prandaj, në hyrje të vitit të parë të pjekurisë shtetërore, hyjmë me një histori po aq të gjatë sa ajo e vetë Evropës.
Por në këto 18 vite patëm aktin themelues: për herë të parë, kultura, identiteti, vullneti dhe të drejtat tona patën mundësinë të vendosen nga vetë ne. Liria jonë mori infrastrukturën e duhur për t’u shndërruar në përparim.
Edhe pse të kërcënuar vazhdimisht, të thuash se historia jonë si shtet, e si komb, është thjesht një histori mbijetese, është një tkurrje e padrejtë e së vërtetës. Përkundrazi: pavarësisht vështirësive, Kosova mbijetoi pa qenë në një gjendje mbijetese, siç e përshkruan shkenca – një gjendje e mbyllur ndaj gjithçkaje që nuk është e domosdoshme për të jetuar. Ne mbijetuam me një zemër të madhe dhe të hapur, duke ruajtur bujarinë shpirtërore dhe gatishmërinë për të ecur përpara duke kërkuar llogaridhënie, por asnjëherë hakmarrje. Duke vendosur të jetojmë në unitet, me bashkëjetesë ndërfetare dhe shumetnike.
Në pothuajse gjithë botën, ligji të jep përgjegjësi në moshën 18-vjeçare dhe të jep lirinë për të vendosur vetë për fatin tënd me zotësi të plotë veprimi. Mosha 18 vjeçare po ashtu e gjen Kosovën me një stabilitet të fortë institucional. Për herë të dytë, kemi një Qeveri të qëndrueshme, me mbështetjen e duhur të popullit për të përmbushur mandatin e ri katërvjeçar dhe për të shtyrë përpara reforma të thella në të gjitha fushëveprimtaritë e qeverisjes.
Të rritesh e të shtosh vite është një privilegj, sepse është e çmuar të jesh e të zhvillohesh. Por shteti që shpall pavarësinë në shekullin e XXI-të ka një privilegj të veçantë. E gjithë historia e shpalljes së pavarësisë, e cila gjithmonë është një betejë e udhëhequr nga ndjenja të thella, është brenda kujtesës sonë të gjallë. Arsyeja pse jemi këtu dhe e ardhmja bashkëjetojnë. Ne e kemi kombinimin e artë, të jesh i përkushtuar dhe të jesh i lirë, njëkohësisht.
Gëzuar 18-vjetori i pavarësisë sonë. Faleminderit të gjithë atyre që sakrifikuan dhe kontribuan nga vendi ynë, nga populli ynë, por edhe nga faktorët ndërkombëtar.
Për jetë e mot rroftë Republika e Kosovës!



















