Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Francës

Ekselenca Juaj, z. Olivier Guerot, Ambasador i Francës në Republikën e Kosovës,
Të zgjedhur të Kuvendit dhe kolegë nga Qeveria në detyrë,
Krerë të institucioneve shtetërore dhe kryetarë komunash,
Udhëheqës fetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile,
Të dashur miq të Francës dhe Kosovës,
Të ftuar të nderuar,
Zonja dhe zotërinj,

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të jem këtu me ju sonte, për t’u bashkuar në kremtimin e Ditës Kombëtare të Francës, më 14 Korrik.
Kjo datë nuk është vetëm një përkujtim i së kaluarës; është një përvjetor i përhershëm i lirisë, i luftës së njerëzimit për drejtësi dhe i lindjes së qytetarisë moderne.

Më 14 korrik 1789, qytetarët e Parisit, përkundër frikës dhe dallimeve mes tyre, marshuan drejt Bastijës – simbol i sundimit absolut, i burgosjes politike dhe i padrejtësisë. Ata nuk kërkonin vetëm armë, por edhe dinjitet. Prej asaj dite e tutje, historia nuk do të shkruhej vetëm nga mbretërit, por nga popujt.

Victor Hugo ka thënë: “Idetë janë më të forta se ushtritë.” Dhe pikërisht kjo ndodhi në Francë: idetë e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë përmbysën një sistem që dukej i përjetshëm. Këto ide rezonuan me Revolucionin Amerikan, me rilindjet kombëtare të Ballkanit dhe me luftën tonë për çlirim dhe drejtësi. Edhe sot, ato janë themeli mbi të cilin ndërtojmë shoqëritë më të drejta dhe më humane.

Konservatorët, socialistët apo liberalët, të gjithë tani e dinë kufirin përtej të cilit vihet në pikëpyetje vetë shoqëria – kontrata shoqërore e famshme e Jean-Jacques Rousseau-së, paqja e përjetshme e Immanuel Kantit, dhe vullneti i qytetarëve të lirë te John Locke.
Në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit, e miratuar vetëm disa javë më vonë më 26 gusht 1789, thuhet: “Njerëzit lindin dhe mbesin të lirë dhe të barabartë në të drejta.” Kjo fjali e thjeshtë por e fuqishme e çoi botën në një epokë të re të emancipimit njerëzor. Edhe Kosova e sheh veten në këtë fjali.

Sot, ndërsa festojmë 236-vjetorin e atij momenti themelues të modernitetit, nuk shikojmë vetëm nga e kaluara, por edhe nga e ardhmja. E ardhmja kërkon që të mos i ruajmë idealet tona vetëm me fjalë; kërkon që t’i përkthejmë ato në politika publike, institucione të qëndrueshme dhe drejtësi të prekshme.

Kosova, si një Republikë e re, lindi në frymën e këtyre idealeve. Ne kemi zgjedhur rrugën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut – jo vetëm sepse është rruga më e drejtë, por sepse është rruga që e bën vendin të denjë për qytetarët e tij dhe një partner të besueshëm për miqtë e tij.

Zonja dhe zotërinj,

Verën e kaluar, Franca ishte në qendër të vëmendjes botërore si nikoqire e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2024 në Paris. Kjo ishte më shumë sesa një ngjarje sportive: ishte një shfaqje e shpirtit republikan, e paqes ndërkombëtare dhe e lojës së ndershme. Kosova është krenare që mori pjesë për herë të tretë në Lojërat Olimpike Verore, duke fituar disa medalje.

Në vitin 2030, Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare – një mundësi tjetër për të treguar se Ballkani mund të jetë jo vetëm një rajon i konflikteve të së kaluarës, por edhe i bashkëpunimeve të së ardhmes. Siç kemi thënë dhe e përsërisim: duam paqe me të kaluarën dhe aleanca për të ardhmen.

Të dashur miq,

Kosova është historikisht mirënjohëse ndaj Francës. Ishte një nga vendet e para që na njohu si shtet i pavarur në vitin 2008. Qëndroi përkrah nesh gjatë luftës, dhe më pas gjatë ndërtimit të institucioneve të para demokratike. Na ka mbështetur në Këshillin e Sigurimit, në UNESCO, në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, dhe në rrugëtimin tonë drejt Këshillit të Evropës.

Në këtë rrugëtim, që është udhëtim drejt Evropës, drejt Bashkimit Evropian, Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar. Ne e dimë se anëtarësimi në BE nuk është një shpërblim politik, por një përgjegjësi e madhe. Dhe ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi, sepse Evropa nuk është vetëm një zonë ekonomike; është një projekt etik, një bashkësi vlerash që e sheh qytetarin jo vetëm si një numër që numërohet, por si subjekt drejtësie.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm për pengesat dhe skepticizmin, si dhe për politikën e ndërlikuar që nganjëherë e mjegullon rrugën përpara. Por nuk dorëzohemi. Siç thonë Jean Jaurès dhe Gustav Mahler: “Tradita nuk është adhurim i hirit, por mbajtje gjallë e flakës.” Ne po e mbajmë gjallë atë flakë – flakën e aspiratës sonë për t’u bërë pjesë e një Evrope që respekton dinjitetin, forcon sundimin e ligjit, ndan mirëqenien dhe shikon përpara.

Ambasador Guerot,

E kam ndjekur nga afër dhe me vlerësim punën tuaj për avancimin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Nga mbështetja institucionale te promovimi i bashkëpunimit kulturor dhe universitar, si dhe dialogu konstruktiv që mbani me të gjitha nivelet e shoqërisë sonë, e ndiejmë praninë tuaj jo vetëm si përfaqësues i Francës, por si mik i Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Sot nuk po festojmë vetëm një datë historike, por një ideal të përjetshëm. 14 Korriku është një ftesë për të qenë qytetarë të denjë, jo vetëm me fjalë, por me vepra; jo vetëm duke votuar për veten, por edhe duke mbrojtur të drejtat e njëri-tjetrit; jo vetëm me flamuj, por me barazi dhe drejtësi për të gjithë.

Në këtë kuptim, festa e Francës është edhe festa jonë, sepse, siç na mëson historia, asnjë vend nuk është përgjithmonë i lirë, asnjë republikë nuk është përgjithmonë e përsosur. Çdo gjeneratë ka detyrë të mbrojë dhe përmirësojë lirinë dhe ta përcjellë atë te gjeneratat që vijnë.

Ekselenca Juaj, z. Ambasador Olivier Guerot, ju faleminderit shumë!

Gëzuar 14 Korrikun; Rroftë Franca; dhe rroftë miqësia ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Franceze!
Gëzuar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors