Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e thirrur nga Zyra e Kryeministrit në reagim të deklaratave kërcënuese nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndaj Republikës së Kosovës të bëra më 20.07.2025.
Prishtinë, 21 korrik 2025
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit në çdo cep të territorit të saj.
Sundimi i rendit dhe ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk njeh, pra nuk diskriminon sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo çfarëdo përkatësie tjetër. Secili që shkel rendin dhe ligjin do të përballet me drejtësinë.
Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar mbi bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik më 18.07.2025, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të bëra më 20.07.2025 janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti, lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore.
Në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështetet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon si dhe tregon që deklarimet e Igor Popoviqit po ashtu nxisin përçarje dhe mos durim. Duke sulmuar vlerën me të shenjtë të shqiptarëve që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përmes deklarimeve të tilla qartësisht të sinkronizuara ata kanë për qëllim nxitjen dhe provokimin e tensioneve.
Deklarata të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ato nuk duhet neglizhuar, sepse vijnë nga një udhëheqës që kontrollon aparatin ushtarak dhe strukturat e sigurisë së një shteti që historikisht ka shkelur të drejtat e popujve fqinj, përfshirë kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Edhe sot, Serbia nuk ka kërkuar falje për këto krime në vendin tonë, dhe për më tepër, përpiqet t’i mohojë e t’i relativizojë ato në çdo forum ndërkombëtar. Këtë e bën në bashkëpunim me aleatin e saj, Federatën Ruse, e gjithnjë duke synuar edhe rishkrimin e historisë apo revizionimin e historisë, siç thuhet ndryshe.
Nuk është hera e parë që Serbia e Vuçiqit përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës nëpërmjet strukturave ilegale dhe veprimeve hibride. Deri më sot, falë punës profesionale të inteligjencës, policisë dhe institucioneve të tjera të sigurisë dhe drejtësisë, për harkun kohor prej pak më shumë se një viti gjashtë persona janë arrestuar në Kosovë për spiunazh në shërbim të strukturave të sigurisë së Serbisë. Këto raste për të cilat institucionet kanë siguruar dëshmi, nuk janë të izoluara, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme destabilizuese dhe kundër institucioneve shtetërore të Kosovës, nga të cilat kanë marrë dhe do të marrin përherë, çdo kund, përgjigjen e merituar.
Kreu i shtetit verior fqinj të Republikës së Kosovës, jo vetëm që po organizon e po mbështet veprime të tilla, por edhe po vazhdon me instrumentalizimin e grupeve kriminale dhe terroriste për qëllime politike dhe shtetërore. Kujtojmë këtu, rrëmbimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës më 14.06.2023, sulmin ndaj KFOR-it më 29.05.2023, sulmin agresor e terrorist e kriminal të datës 24.09.2023 në Banjskë, i udhëhequr nga kryekrimineli Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe mik i afërt i Vuçiqit, pastaj sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër Lepencit më 29.11.2024 dhe kërcënimet e vazhdueshme deklarative nga zyrtarë të lartë të Serbisë, gjithnjë të prirë nga Vuçiq. Ky grup paramilitar atje vazhdon të mbështetet publikisht, politikisht, financiarisht nga strukturat shtetërore në Beograd.
Së fundmi janë dokumentuar raste kur anëtarë të këtij grupi, u përdorën për sigurimin personal të Vuçiqit duke qenë edhe më të afërt se mbrojtja e afërt e tij dhe për shtypjen e protestave qytetare në Serbi, çfarë dëshmon gjendjen e mjerueshme të sundimit të ligjit në Serbi dhe përfshirjen direkte të grupeve kriminale në aparatin shtetëror të Vuçiqit. Kosova po kërkon me ngulm dorëzimin e Radoiçiqit dhe 44 anëtarëve të tjerë të grupit paramilitar dhe terrorist, por presidenti i Serbisë jo që nuk e ka në plan t’i dorëzoj ata, por po i shfrytëzon për të kërcënuar tashmë edhe studentët dhe qytetarët në Serbi, sipas metodave të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar siç vepronte dikur Millosheviqi, ku pikërisht Vuçiqi ishte ministër i tij i informimit dhe propagandës.
Kosova, përkundrazi, nuk do të tolerojë asnjë formë të përfshirjes së grupeve të tilla në jetën publike. Ligji do të zbatohet ndaj secilit që e shkel atë. Kosova nuk do të lejojë normalizimin e gjuhës së urrejtjes, përçarjes etnike dhe fyerjes së vlerave tona kombëtare, historike dhe qytetare. Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit, por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin, dhe demokracinë tonë. Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit, mund të flasë dhe të veprojë në Serbi, por ka kaluar një herë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më.
Për mendësinë e pushtetit autoritar e pro rus në Serbi, sundimi i rendit dhe ligjit, nga institucionet e pavarura dhe legjitime, mund të “ketë pasoja të paparashikueshme”, siç thonë ata. Pra për ta kërcënuar një shtet fqinj ku ka rend e ligj, si puna e Republikës së Kosovës, dërgohet një zyrtar shtetëror, si puna e Igor Popoviqit, për të nxitur përçarje dhe mosdurim, e më pas kërcënohet për pasoja. Kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë që pavarësisht kalimit të viteve dhe deklarimit formal për interesim për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk po ndryshon.
Përballë këtyre kërcënimeve, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë. Në të njëjtën kohë, i ftojmë qytetarët për maturi, bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe ruajtje të unitetit e të qetësisë.
Po ashtu, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit, të cilat nuk janë thjesht deklarime politike, por pjesë e një fushate të mirëorganizuar për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor. Serbia po dëshmon se jo vetëm që nuk është e interesuar për normalizim, por është aktive në provokime të rrezikshme dhe në përpjekjet për ndërhyrje në shtetet të tjera, për ta eksportuar destabilitetin e brendshëm dhe paqëndrueshmërinë që është krijuar në Serbi përmes qeverisjes autoritare dhe korruptive. Sa për krahasim: Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit sipas Transparency International, krahasuar me vitin 2019, ka vlerësuar se Kosova është 22% më mirë kurse Serbia është 10% më keq. Në vitin 2025, me siguri që do të thellohet dallimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit. Qeveria jonë e ka depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Jo me pazare të negociuara me element të dyshimtë, por me ligj e rregull, profesionalizëm dhe meritokraci. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë nuk ka munguar asnjëherë. Ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Keqinformojnë ata që vënë shenjën e barazimit midis serbëve dhe Serbisë, e që aq shpesh janë të njëjtit me ata që barazojnë Vuçiqin me popullin e shtetin serb. Strukturat ilegale i kemi zëvendësuar me institucione të Republikës, kurse në vend të grupeve kriminale tash ka sundim të ligjit dhe rend publik. Si rezultat:
– Që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor të viti 2022, 208 policë, kadetë të rinj nga komuniteti serbë, i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po i shërbejnë qytetarëve pa dallim për çdo ditë, gjithandej;
– Që nga prilli i vitit 2024 rreth 800 qytetarë nga katër komunat në veri të vendit kanë gjetur punë nëpërmjet ndërmjetësimit të Qeverisë si rezultat i masës për punësim “Qeveria për Familjet”;
-Mbi 430 biznese të reja janë regjistruar në këto katër komunat veriore të Republikës tonë për një vit e gjysmë, nga 1 janari i vitit 2024 deri më 30 qershor 2025.
-Ndërkohë që po vazhdon procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e qasjes në mundësi të punësimit të qytetarëve nga radhët e komunitetit serb, e deri më tani janë verifikuar 403 diploma të tilla.
Kosova mbetet e përkushtuar që të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, me besim të plotë në forcën e ligjit dhe përkushtimin qytetar për paqe dhe progres. Edhe një herë rikonfirmojmë se karshi “paparashikueshmërisë” së kërcënimeve të Vuçiqit, Republika e Kosovës është vendosur për të garantuar dhe ruajtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin juridiko-kushtetues, paqen dhe sigurinë.



