Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencë për media

Prishtinë, 6 mars 2026

Të dashur qytetarë,
Të nderuar gazetarë të pranishëm,
Mirëdita të gjithëve,

Së pari, më lejoni të falënderoj 66 deputetët e mazhorancës, pra që të gjithë, të cilët mbrëmë, u përgjigjen pozitivisht dhe morën pjesë në seancën e Kuvendit, respektuan Kushtetutshmërinë, kur filloi procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

Përveç 57 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, dhe të partisë Guxo, aty ishin edhe 9 deputetë të pakicave: 2 boshnjakë, 2 turq, 2 egjiptianë, 1 serb, 1 rom, 1 ashkali. I falënderoj që të gjithë, pra secilën e secilin.

Mirëpo ky proces nuk arriti ta konsumoj as raundin e parë meqë munguan që të gjithë deputetët e partive opozitare, PDK, LDK e AAK, dhe partia e cila vazhdon të dirigjohet nga Beogradi, Lista Serbe.

Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohej kuorumi.

Të gjithë e keni parë mbrëmë: pamjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës, kush ishte, ishte në qendër; kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare, sepse nuk erdhi. Asnjë deputet i cili mungoi nuk e ka njoftuar kryetaren e Kuvendit znj. Albulena Haxhiu, për arsyen e mungesës. Prandaj, tash kjo lëndë është në Gjykatën Kushtetuese.

Është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çfarë i ka zgjedhur populli i Kosovës, në zgjedhjet e parakohshme të jashtëzakonshme, të 28 dhjetorit 2025, dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seancat plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë.

Tash ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesë para tyre. Ata kanë një materie të cilët tash duhet ta trajtojnë.

Deputetët që u zgjodhën për katër vjet në legjislaturën e dhjetë, nuk i mbushën as katër javë të detyrës së tyre dhe sot në mëngjes u njoftuam nga mediet që me dekret është shpërndarë Kuvendi.

Neni 86, paragrafi 6 i Kushtetutës parashikon se Kuvendi shpërndahet nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet President, pra asnjëri nga kandidatët nuk i merr 61 vota. Ne nuk kemi mbërrirë atje. Dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as raundi i parë e lëre më i tretë. Nga formulimi i kësaj dispozite, pra neni 86, paragrafi 6, del qartë se shpërndarja e Kuvendit lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e procedurës së votimit, pra pasi të jenë zhvilluar tre raunde votimi dhe votimi i tretë të ketë dështuar për të zgjedhur Presidentin. E mbrëmë ne vetëm sa filluam me raundin e parë, e kurrsesi nuk jemi tek përfundimi i raundit të tretë.

Kushtetuta parashikon edhe një mekanizëm tjetër për të shmangur bllokimin institucional. Sipas nenit 82, paragrafi 3, nëse brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit nuk zgjidhet Presidenti, Kuvendi shpërndahet. Pra, nga momenti kur nis procedura duhet të kalojnë 60 ditë, po u zgjodh Presidenti shumë mirë, po nuk u zgjodh presidenti pas 60 ditëve, e atëherë duhet të shpërndahet Kuvendi dhe të shkojmë në zgjedhje. Kjo dispozitë vendos pra një afat maksimal për të gjithë procesin dhe nuk kërkon domosdoshmërisht zhvillimin e tre raundeve të votimit. Mund të kryhet në raundin e parë, raundi i dytë fillon vetëm nëse raundi i parë nuk është i suksesshëm, e raundi i tretë vetëm nëse raundi i parë dhe i dytë nuk janë të suksesshëm.

Me fjalë të tjera ky neni 82, paragrafi 3, merret me rezultatin përfundimtar të procesit, pra nëse Presidenti është zgjedhur apo jo brenda këtij afati. Ka një afat 60 ditor për t’u zgjedhur Presidenti.

Ndërkohë që ne mbrëmë kishim vetëm 60 minuta. Vetëm aq sa mori procedura derisa u konstatua që nuk e kemi kurorumin prej 80 deputetëve të pranishëm pjesëmarrës në seancë plenare që të mund të vazhdojmë më tutje.

Në praktikë mund të krijohet një situatë ku Kuvendi e fillon procedurën për zgjedhjen e Presidentit, por nuk arrin që t’i zhvillojë votimet për shkak të mungesës së kuorumit. Në një rast të tillë, votimi i tretë nuk mbahet dhe si pasojë kushti formal i nenit 86, paragrafi 6 nuk përmbushet, sepse procedura e votimit nuk ka arritur deri në fundin e saj. Për këtë arsye, vetëm mbi bazën e kësaj dispozite mund të bëhet shpërndarja e Kuvendit.

Duhet të ketë dështim në raundin e tretë, që të shpërndahet Kuvendi dhe të përgatitemi për zgjedhje të reja.

Megjithëkëtë, mungesa e kuorumit mund të krijojë një bllokim procedural që e pengon Kuvendin të përfundojë procesin e zgjedhjes së Presidentit. Për të shmangur një bllokim të tillë institucional, Kushtetuta parashikon mekanizmin pra, të nenit 82, paragrafi 3, i cili vendos kufirin maksimal prej 60 ditësh nga fillimi i procedurës. E nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjedhet, atëherë krijohet baza kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.

E ju e dini që sot është data 6 mars, nuk është data 5 maj. Po të ishte data 5 maj, atëherë do të ishte e arsyeshme që, filloi procesi i zgjedhjes së presidentit, u përmbush kriteri i garës Glauk Konjufca, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, 60 ditë nuk arritët që ta zgjedhni. Filluat me 5 mars. Ja ku jemi të data 5 maj dhe rrjedhimisht shpërndahet Kuvendi. Mirëpo nuk jemi pas datës 5 mars, në 5 maj. Pas datës 5 mars, sot jemi më 6 mars. Dhe nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh.

Nëse votimi i tretë, vetëm në rast se mbërrijmë te votimi i tretë, nëse votimi i tretë nuk është zhvilluar sipas nenit 86, paragrafi 6, por kanë kaluar 60 ditë nga fillimi i procedurës, shpërndarja e Kuvendit mund të mbështetet në nenin 82, paragrafi 3.

Nëse nuk është zhvilluar votimi i tretë sipas nenit 86, paragrafi 6 dhe njëkohësisht nuk kanë kaluar 60 ditë nga fillimi i procedurës sipas nenit 82, paragrafi 3, atëherë nuk ekziston baza kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit. Në një situatë të këtillë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk është kushtetues, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta.

Andaj, të dashur qytetarë, të nderuar gazetarë, kjo përbën një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim. Ndërkohë, që qeverisim mbarë dhe mirë, si gjithnjë. Mirëpo, ajo që më duhet ta pranoj se na u pamundësua është një seancë e Kuvendit për sot pasdite.

Në orën 14:00 ka qenë e planifikuar që Kuvendi të mbaj edhe një seancë në të cilën do të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit.

Më lejoni t’i përmend ato në mënyrë të përmbledhur:

Një marrëveshje me BERZH-in, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në vlerë prej 50 milionë euro për efiçiencë të energjisë dhe izolim termik të ndërtesave. Ka qenë në rend të ditës për seancën e Kuvendit në ora 14:00 sot, por nuk është mbajtur.

Një marrëveshje tjetër me BERZH-in në vlerë prej 25 milionë euro për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Podujevë. Edhe kjo është dashur të ratifikohet sot.

Pastaj, me Bankën Evropiane për Investime kemi marrëveshjen për ndërtimin e parkut me panele solare në KEK, në vlerë prej 33 milionë euro, projekt ky tejet i nevojshëm për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike.

Marrëveshje tjetër për t’u ratifikuar sot ishte edhe ajo me Fondin Saudit për Zhvillim, e cila parasheh 13 milionë euro shtesë për përfundimin e zgjerimit të rrugës Prishtinë–Mitrovicë, tejet e nevojshme sidomos tani që punët kishin marrë një dinamikë të shtuar.

Pra ishin marrëveshje ndërkombëtare me rreth 121 milionë euro vlerë, të cilat dedikohen për projekte të rëndësishme jetike për qytetarët tanë.

Me rastin e shpërndarjes së Kuvendit pamundësohet realizimi i këtyre projekteve dhe përfitimi i 121 milionë eurove për qytetarët e Kosovës.

Të dashur qytetarë,
Të nderuar gazetarë,

Unë më herët kam parë gatishmëri për zgjedhje, por nuk kam parë zell për zgjedhje të reja, të përsëritura. Tash po shoh edhe zell për zgjedhje të reja, të përsëritura, të cilat do të na marrin kohë më shumë, do të mund të jenë zgjedhje, nuk do të shoh qysh tash se qysh do të jenë edhe zgjidhje, për shkak se bëhet fjalë për kuorumin prej 80 deputetëve në sallë që duhet ta sigurojmë bashkërisht të gjithë. Nuk mund të presim që të fillojmë zgjedhjet e reja në fushatat e përsëritura ku tash duhet të themi që unë i marr 80 deputetë së paku. Pra, nuk është çështja te 61-shi, është çështja te 80-shi, që i bie 2/3 dhe në këtë situatë unë nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re. Përkundrazi, do të ketë një lloj vazhdimi të agonisë legjislative, institucionale në përgjithësi që është e panevojshme përveçse e padrejtë. Dhe së paku zgjedhjet do të kushtojnë nja 10 milionë euro. Vështirë të nxirremi edhe me një palë zgjedhje të tjera pa 10 milionë euro për ta përsëritur rezultatin. Mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël, por unë nuk shoh diferenca të mëdha. Prandaj, po e presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që përbrenda këtyre 60 ditëve, duke filluar nga mbrëmë ta përmbyllim procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës.

Presje e kemi votuar buxhetin në lexim të dytë, unë jam përpjekur me krejt çfarë mundem e di që të merrem vesh me partitë opozitare. Dhe më duhet të them që atmosfera tash është ndryshe. Qasja e kryetarëve të opozitës që i kam takuar edhe të PDK-së, edhe të LDK-së, është ndryshe prej vitit 2025. Atmosfera është konstruktive, diskutimet janë korrekte. Dhe unë i falënderoj edhe kryetrarin Bedri Hamza edhe kryetarin Lumir Abdixhiku për këtë qasje të re.

Tash edhe takohemi edhe bisedojmë. Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë, me kryetarin Abdixhiku jam takuar 3 herë. Më vjen keq që nuk jemi takuar në tri ditët e fundit. Pra që nga pardje, nuk pranonin që të takoheshim më. Unë u thash që nuk ka ndonjë gjë të keq ose ndonjë dëm nëse takohemi. Por unë i falënderoj edhe për një gjë tjetër, se edhe kur nuk jemi takuar, kemi komunikuar me njëri tjetrin me telefon. Nuk i kemi as sekretarët as asistentët ndërmjetësues. Pram midisi dy kryetarëve të partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së dhe meje nuk ekziston ndërmjetësuesi dhe kjo është shenjë e mirë e parlamentarizmit, i bashkëpunimit politik në Republikën tonë. Por, atmosfera e mirë nuk garanton marrëveshje, nuk sjellë hapa konkret dhe ky është realiteti në të cilin jetojmë ne sot. Asnjërën prej asnjërit prej tyre nuk mu tha asnjë emër për president. Presidenti/ ja, është emër i përveçëm. Pra si të ecim përpara nëse askush nuk thotë asnjë emër. Pikënisja ishte presidenti konsensual, dikush i cili do të arrinte që të sigurojë kuorumin e madje edhe më shumë se aq. Natyrisht familja Jashari, natyrisht Murat Jashari. Por nuk arritëm tek ajo pikë. Unë jam i bindur që nga familja Jashari do ta kishim presidentin, i cili zgjidhet në raudin e parë me numër treshifror të votave për herë të parë në historinë institucionale e parlamentare të Kosovës. Mirëpo nuk arritëm aty. Kur nuk u bë e mundur që të kemi një figurë konsensuale, atëherë mua mu tha nga kryetari i PDK-së, atë që e ka deklaruar publikisht, se ata kërkojnë që dy kandidatët për president të jenë të propozuar nga PDK-ja dhe njëkohësisht të bëjmë marrëveshje politike ku unë garantoj që ata do të votohen, në mënyrë që njëri prej tyre të zgjidhet.

Unë ja kam shpjeguar me shumë dashamirësi kryetrarit Bedri Hamza që një gjë ë tillë është e pamundur për mua si një kryeministër demokrat dhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka statut të saj, në të cilën nuk lejohen bllanko marrëveshjet. Nuk mund të bëj marrëveshje pa u ditur emri dhe e falënderoj kryetrarin Hamza që ka pasur mirëkuptim për këtë reagim timin.

Nuk është e mundshme që në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje kryetari të propozoj kërkesën e PDK-së që 2 kandidatët t’i marrin nënshkrimet e Vetëvendosjes, njërit prej tyre i duhen 30 nënshkrime të Vetëvendosjes, tjetrit i duhen së paku 8 se ata 22 i kanë, shpresoj që i kanë 22, po së paku 8 të Vetëvendosjes. Pra nga Vetëvendosja kërkohej që t’ua jep 38 nënshkrime të deputetëve të saj dy kandidatëve të PDK-së dhe më pastaj ta garantojmë që së paku njëri prej tyre, së paku në raundin e tretë i marr 61. Këso marrëveshje politike nuk mund të bëjmë. Për besw njeriu këso marrëveshje është vështirë të bëjë edhe me vetveten lerë më me dikë tjetër, e lerë më me dikë nga një parti rivale tjetër.
Po unë e falënderoj kryetarin Bedri Hamza që ka pasur mirëkuptim për mos pranimin tim. Dhe kur s’më dhanë emra thash hajt ta provoj t’ju jap unë ndonjë emër. Ju thash Andin Hoti. Andin Ukshin Hoti. Duke pasur parasysh prej familjes që vjen. Ukshin Hoti është unik. Për nga filozofia politike ne nuk kemi një mendje tjetër të ngjashme jo vetëm në Kosovë, por mbarë kombin shqiptarë që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej.

Andaj, Andin Ukshin Hoti ishte një propozim i yni që së paku të fillojmë të diskutojmë. Nuk u pranua dhe jo vetëm që nuk u pranua, por nuk u pranua as të kemi takime më tej që të flasim për emra të tjerë. Mirë, nëse nuk bënë Andin Hoti, më thuaj një emër tjetër. Nuk mu tha asnjëherë. Mu kërkua vetëm të nënshkruaj unë chek bllanko aty marrëveshje pa emra, por me zotim absolut. Më vjen keq por nuk është e mundur. Me gjithë vullnetin tim që të ecim përpara por kjo nuk është rrugë e mundshme.

Ndërkaq, me kryetarin e LDK-së, kemi diskutuar për shumë zhvillime politike në Kosovë. Ata thanë që na i kemi 15 deputetë. Pra në rastin më të mirë mund t’ja mbledhim një kandidati gjysmën e nënshkrimeve të nevojshme. Unë kam shpreh gatishmëri qoftë kryetarit Hamza të PDK-së, qoftë kryeartit Abdixhiku të LDK-së, që nënshkrimet e nevojshme që mund t’ju nevojiten për kandidatët e tyre mund t’ua sigurojmë ne të Vetëvendosjes. Nuk është pranuar një gjë e tillë. Pra, nuk kanë mbledhur nënshkrime të vetat për propozime të veta. Nuk kanë dhënë nënshkrime të veta për propozime të tjetër kujt. Nuk kanë pranuar nënshkrime tonë për propozime të tyre. Nuk kanë pranuar as ndihmën tonë në formë të nënshkrimeve për propozimet e tyre që mund të jenë edhe jashtë partive të tyre dhe gjithashtu nuk janë përpjekur që me njëri-tjetrin ta bëjnë një kandidaturë të përbashkët, sepse edhe kjo është e mundshme.

22 plus 15 bëjnë 37, më se e mjaftueshme. Edhe nëse disa nuk t’i japin nënshkrimet, PDK dhe LDK kanë mundur ta nxjerrin një kandidat. Kur ja shtojmë edhe 6 deputetët e AAK-së, 43, kjo është më se e mjaftueshme që ta kemi një kandidatë. Nuk ka pasur fare interesim edhe vullnet. Prandaj, më vjen keq që atmosfera e mirë që kishim nuk u përkthye as në hapa konkretë se lerë më në marrëveshje e cila ishte e nevojshme. Dhe ju e dini se çfarë bëmë ne. Të vetmen gjë që mund ta bënim. Ta nxjerrim ne një emër. Glauk Konjufcën nuk e kemi nxjerrë 30 ditë para ditës së djeshme, por më pak se 30 orë para ditës së djeshme kur u thirr seanca afër mesnatës. Ne kemi dashur që t’i japim shansë të tjerëve. Por, në të njëjtën kohë nuk kemi dashur të hyjmë në 24 orëshin e fundit pa pasur asnjë emër askush, se nuk është mirë për shtetin e Kosovës. Po hyn në 24 orëshin e fundit për të zgjedhur president dhe askush asnjë emër. Prandaj, një ditë para ne e nxorëm Glauk Konjufcën. Mirëpo, ju e keni parasysh veç me një emër kandidat për president nuk është e mundshme që të fillojë seanca, duhen dy emra që përbejnë e minimumin e garës dhe pastaj të fillojë seanca. Dhe nuk e nxorëm menjëherë Fatmire Mulhaxha-Kollçakun. Diskutuam gjerë e gjatë në kryesi e në Grup Parlamentar dhe përderisa Glaukun si emër kandidat për president e nxorëm më pak se 30 orë para skadimit të afatit, kundër kandidaten e tij Fatmire Mulhaxha-Kollçakun e nxorëm më pak se tre orë para skadimit të afatit, sepse nuk dëshironim që të impononim dikujt tjetër shumë herët emra. Kur u pa që është e pamundur të marr ndonjë emër, qoftë prek kryetarit Bedri Hamza, qoftë prej kryetarit Lumir Abdixhiku, vetëm atëherë ne kemi nxjerrë emra. Unë kam pritur të më japin ata emra. Nuk mu dhanë emra. President pa emër nuk ka. President anonim s’është e mundur. Edhe tash ndodhemi në situatën në të cilën pa çka se unë i takova kryetarët dy partive opozitare për 12 ditë, më shumë e më shpesh, komunikova më dendur e më intensivisht se në 12 vjet e fundit, megjithatë konstruktiviteti dhe korrektësia nuk prodhuan marrëveshje.

Andaj, në këtë situatë të nderuar gazetarë, të dashur qytetarë, konsiderojmë që i kemi 60 ditë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që ta bëjmë një zgjidhje e të mos kemi zgjedhje. Ta bëjmë një zgjidhje të re, që të mos kemi zgjedhje të përsëritur.

Faleminderit edhe njëherë për vëmendjen e durimin. E tash do të mund t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors