Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë me rastin e përvjetorit të 4-të të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës

Prishtinë, 24 shkurt 2026

Të dashur ukrainas,
Shkëlqesia juaj ambasador z. Orav, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë,
E nderuara Albulena Haxhiu, Kryetare e Parlamentit,
Shkëlqesitë Guérot, ambasador i Francës, ambasador Hargreaves i Britanisë së Madhe, ambasador i Italisë Antonini, zv. ambasador Böttcher i Gjermanisë,
Të nderuar ambasadorë, kryesues të misioneve dhe përfaqësues të korit diplomatik,
Të nderuar ministra të qeverisë dhe deputetë të parlamentit,
I nderuar Kryetar i Prishtinës,
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe mediave,
Të dashur miq,
Të dashur miq të popullit të Ukrainës,
Zonja dhe zotërinj,

Sulmi i plotë i Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022 ishte zgjerim i luftës ndërmjet dy vendeve që kishte filluar në shkurt 2014, kur trupa ruse të maskuara pushtuan fshehurazi dhe morën nën kontroll Krimenë. Në muajt që pasuan, trupat ruse dhe përfaqësuesit e tyre lokalë pushtuan territorin e rajonit të Donbasit në Ukrainë, duke rezultuar në luftime të vazhdueshme në Ukrainën lindore, të cilat vranë më shumë se 14,000 njerëz para sulmit rus të vitit 2022. Rusia gjithashtu dëboi me forcë deri në 1.6 milionë qytetarë ukrainas, të cilët u dërguan në Rusi ose në territoret e pushtuara, ndërsa në vitin 2022, 20,000 fëmijë ukrainas u rrëmbyen dhe u dërguan në Rusi. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka përfunduar se kjo fushatë masive rrëmbimesh përbën krim lufte.

Në këtë vit të katërt, duke hyrë në të pestin tani, të përpjekjes së Rusisë për pushtimin e Ukrainës, ne i drejtohemi popullit ukrainas me respekt të thellë, solidaritet dhe mirëkuptim të sinqertë. Populli i Kosovës i njeh plagët që lë lufta; ne mbajmë me vete kujtimet e gjalla të humbjes, zhvendosjes dhe të një lufte për mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit. Për shkak të kësaj historie të përbashkët, vuajtja e Ukrainës nuk është e largët për ne. Ne e njohim dhe qëndrojmë pranë jush me empati të sinqertë.

Gjatë katër viteve të fundit të luftës, populli ukrainas ka pësuar humbje të pallogaritshme njerëzore dhe materiale. Qindra mijëra ushtarë dhe civilë janë vrarë ose plagosur. Miliona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar siguri brenda Ukrainës ose përtej kufijve të saj. Fshatra dhe qytete të tëra janë shkatërruar. Jetë janë humbur jo vetëm në fushëbetejë, por edhe nën rrënojat e shtëpive, shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës civile. Shkalla e shkatërrimit është e jashtëzakonshme.

Ky dimër ka shtuar një shtresë tjetër vështirësie. Qindra mijëra banorë përballen me temperatura nën zero pa ngrohje dhe energji elektrike, ndërsa infrastruktura energjetike vazhdon të jetë objekt i raketave ruse. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj strukturave, janë sulme ndaj dinjitetit njerëzor dhe jetës së përditshme. Megjithatë, edhe përmes errësirës dhe të ftohtit, populli ukrainas vazhdon të tregojë forcë të jashtëzakonshme.
Nën udhëheqjen e presidentit Volodymyr Zelenskyy, Ukraina ka dëshmuar një unitet dhe vendosmëri që frymëzon botën demokratike. Guximi i qytetarëve ukrainas në mbrojtjen e sovranitetit të tyre na kujton se liria mbrohet përmes sakrificës, solidaritetit dhe besimit të palëkundur në drejtësi.

Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që nga ditët e para të pushtimit. Republika e Kosovës ishte ndër vendet e para që iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve politike, ekonomike dhe financiare kundër Federatës Ruse. Ne iu bashkuam deklaratave ndërkombëtare që mbështesin të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur institucionet e saj demokratike, pavarësinë dhe sovranitetin, lirinë e njerëzve dhe integritetin territorial kundër një lufte të paprovokuar dhe të pajustifikuar.

Përtej fjalëve, po ashtu kemi synuar edhe të veprojmë. Qeveria jonë ka mbështetur dhe financuar një program të posaçëm që u ofron strehim në Kosovë gazetarëve ukrainas të detyruar të largohen nga vendi i tyre. Jemi krenarë që u ofrojmë siguri dhe hapësirë për të vazhduar punën e tyre profesionale. Kosova është gjithashtu anëtare e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku përfaqësuesit tanë të mbrojtjes marrin rregullisht pjesë në përpjekjet koordinuese me partnerët. Përveç kësaj, në Ukrainë janë dërguar dy pako ndihme ushtarake. Kontributi ynë shtrihet edhe në trajnime dhe mbështetje humanitare. Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përfshirë në përpjekjet e aleatëve jashtë vendit për përgatitjen e personelit ukrainas. Në Kosovë, gra ukrainase po trajnohen në deminim dhe pastrim të mjeteve shpërthyese, punë që do të jetë thelbësore për shpëtimin e jetëve dhe rindërtimin e komuniteteve pas përfundimit të luftës. Këto përpjekje pasqyrojnë bindjen tonë se solidariteti duhet të jetë praktik, i qëndrueshëm dhe i udhëhequr nga vizioni.

Si vend i vogël, ne e masim forcën tonë jo nga madhësia, por nga parimi. Rikonfirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës së Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Nga një vend që e kupton koston e luftës dhe vlerën e lirisë, ne i themi popullit të Ukrainës: Nuk jeni vetëm. Solidariteti ynë është i palëkundur sot, nesër dhe në vitet që do të vijnë. Ne nderojmë viktimat, familjet e zhvendosura dhe të gjithë ata që vazhdojnë të përballojnë vështirësitë me dinjitet, dhe qëndrojmë pranë jush me shpresë, parim dhe miqësi.

Shpresojmë për fundin e luftës dhe, kur paqja të rikthehet në Ukrainë, do të nevojiten shumë vite pune, investimesh dhe partneriteti ndërkombëtar për rindërtimin e saj.

Vetë Kosova qëndron si dëshmi se një vend mund të ringrihet nga rrënojat. Nga shkatërrimi dhe dhimbja, populli ynë ndërtoi institucione, riktheu besimin dhe krijoi një shtet sovran, demokratik dhe të sigurt për të jetuar. Ky transformim nuk ndodhi brenda natës. Ai u arrit përmes vendosmërisë së qytetarëve tanë dhe përkushtimit të pathyeshëm të një shoqërie që zgjodhi paqen mbi frikën dhe demokracinë mbi dëshpërimin, si dhe falë mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar. Udhëtimi ynë është dëshmi se rimëkëmbja është e mundur, se plagët mund të shërohen. Dhe ne besojmë me bindje të plotë se populli i Ukrainës do ta rindërtojë vendin e tij me të njëjtën forcë, dinjitet dhe vendosmëri, duke dalë nga kjo tragjedi edhe më i bashkuar, sovran dhe i lirë.

Kosova u ngrit nga hiri i luftës për t’u bërë një vend sovran, demokratik dhe i sigurt, sepse populli ynë refuzoi të dorëzohej. Të njëjtën forcë e shohim sot në Ukrainë.

Slava Ukraini!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors