Lojtarë, të ftuar dhe miq — nga Kosova dhe nga e gjithë Evropa — është nder të ju kemi të gjithëve këtu.
Mirë se vini në Kosovë! Mirë se vini në Prishtinë!
Jemi krenarë që po mirëpresim lojtarë të klasit botëror, mysafirë ndërkombëtarë dhe vendorë, ministra dhe ambasadorë, tifozë dhe të rinj të mbledhur sot këtu, për të festuar shpirtin e sporteve elektronike.
Sigurisht, si në çdo ngjarje tjetër sportive, po, fitorja ka rëndësi. Çdo atlet këtu ka ndjekur përsosmërinë me pasion dhe përkushtim. Por fuqia e vërtetë e këtij kampionati qëndron përtej tabelës së rezultateve — në lidhjet që krijojmë, historitë që ndajmë dhe komunitetin që ndërtojmë së bashku.
Kosova është një vend ku talenti rritet shpejt dhe ambicia ecën edhe më shpejt. Nga atletët në fushë te zhvilluesit pas ekranit, të rinjtë tanë mishërojnë fuqinë e vizionit dhe përkushtimit. Aftësitë dhe pasioni i tyre, si në sport ashtu edhe në teknologji, krijojnë një themel të fuqishëm, duke i bërë Esportet një shprehje natyrale të shpirtit dhe potencialit të vendit tonë.
E kuptoj që për disa njerëz, Esportet ndoshta ende kanë nevojë për prezentim, shpjegim, apo në raste të caktuara, edhe ngjallin dyshime, madje edhe kundërshtim. Por këtu në Kosovë, Esportet janë të ndërthurura me historinë tonë. Që shumë përpara se Esportet të kishin një emër, Counter-Strike 1.3, 1.5 dhe 1.6 ishin më shumë se sa argëtim. Ishin mënyra për t’u lidhur, për ta sfiduar veten, për të kapërcyer kufijtë dhe për të pasur ëndrra më të mëdha.
Sot, në kohën në të cilën jetojmë, ne e njohim fuqinë dhe potencialin e industrisë së Esporteve si një forcë shtytëse për teknologjinë, inovacionin dhe të ardhmen e kulturës digjitale. Ata që mendojnë ndryshe mund ta vonojnë ndryshimin, por nuk mund ta ndalin atë.
Prandaj, besoj se tani është koha për të përqafuar vlerat sportive që Esportet mishërojnë — punën ekipore, disiplinën, përkushtimin, stërvitjen — si bazë për ndërtimin e politikave edukative dhe zhvillimore që do të na ndihmojnë të udhëheqim dhe rregullojmë me përgjegjësi angazhimin tonë me teknologjinë.
Kampionati Evropian, Kosova 2025, qëndron si një moment historik — jo vetëm në Esport, por në atë që përfaqëson për rajonin tonë dhe më gjerë. Këtu, në këtë skenë, ne jemi dëshmitarë të mënyrës se si lojtarë nga vende dhe prejardhje të ndryshme bashkohen të udhëhequr nga një qëllim i përbashkët, të nxitur nga respekti dhe puna në grup. Kjo është pikërisht ajo që i duhet botës sot: unitet që ngrihet mbi kaosin, përpjekje të përbashkëta që kapërcejnë kufijtë individualë dhe ide që ndërtojnë ura në vend të mureve.
Tani, ndërkohë që jemi këtu në Prishtinë, shijoni atmosferën e qytetit tonë dhe ngrohtësinë e mikpritjes sonë.
Këtu, në sallën “1 Tetori”, me skenën e përgatitur dhe lojtarët gati për aksion, të gjithë jemi duke pritur me padurim ndeshjet. Shijoni çdo moment, respektoni lojën dhe merrni me vete këtë përvojë.
Për komunitetin e Esporteve në Kosovë, për fansat dhe publikun, gjatë këtyre ditëve, le t’i mbështesim me zemër djemtë tanë të Kosovës!
Le ta fitojë kurorën ekipi më i mirë! Ju faleminderit shumë!