Fjala e plotë e Kryeministri Kurti në pritjen që i bëri alpinistes Uta Ibrahimi me rastin e ngjitjes së 14 majave më të larta të botës

Të nderuar kolegë të Qeverisë së Republikës dhe ju deputetë të Kosovës,
Të nderuar miq e dashamirë e familjarë të Utës,
Ju të pranishëm këtu në Ballkonin e Hapur,
Jemi mbledhur sot për ta nderuar një grua të jashtëzakonshme. Një emër që tanimë është sinonim i lartësive – jo vetëm lartësive të majave që i ka ngjitur, por edhe të virtyteve që i përfaqëson.
Shumë e dashur Uta,
Uta e Maleve!

Mirë se na erdhe nga akujt e Kanchenjungës!

Si çdo herë tjetër me zemrën plot gëzim e krenari. Por kësaj radhe edhe me histori në supe, si gruaja e parë shqiptare e cila i ka ngjitur 14 majat më të larta të botës. Një udhëtim i gjatë, një rrugëtim i vështirë, i mbushur me aventura drithëruese e me sfida të rrezikshme, i bërë me disiplinë përgatitjesh, e i përbërë me zell pasioni.

Në maj të vitit 2017, Uta ngjiti Everestin – 8,848 metra lartësi, majën më të lartë në botë. Ndërkaq në maj 2025, pra tetë vjet më vonë, ajo ngjiti majën e tretë më të lartë në botë dhe të 14-ën me radhë në ekspeditën e saj për ngjitjen e pikërisht të gjitha 14 maleve mbi 8,000 metra të larta, sepse vetëm aq i ka ky planet i yni.

116,294 metra është lartësia totale e 14 majave që i ka ngjitur Uta… kjo është 13 herë më lart se vet mali Everest… e diku rreth 10 herë më lart se lartësia mesatare e një aeroplani të zakonshëm pasagjerësh në fluturim. Është prej atyre gjërave që mund t’i mendojmë por disi jo edhe t’i imagjinojmë, që duken krejt të pabesueshme sikur të mos dukej dëshmia e gjallë – njeriu që e bëri, Uta, e cila është sot këtu, mes nesh… mbi 116 mijë herë e përmbushur dhe krenare. Nuk besoj që ka lloj zogu që fluturon apo edhe tip helikopteri që ateron e që do të mund të arrinte të prekte të gjitha këto 14 lartësi sikurse Uta.

Përmes teje Uta, Kosova ka qenë në K2, në Annapurna, në Makalu e deri në Kanchenjunga. Ke qenë atje ku stuhia nuk të fal, ku ajri nuk mjafton, ku temperatura nuk premton, por ku për njerëzit sikur ti – vullneti është më i fortë se cilido gur e shkëmb dhe nuk ka maje që nuk arrihet. Me dy flamuj në shpinë, që i ke bartë brenda çantës në krah e brenda zemrës në kraharor, së bashku me të gjithë vendin prej nga vjen. Ky është shembull që u flet të gjithëve, por veçanërisht të rinjve dhe vajzave tona – që ëndrrat nuk janë asnjëherë shumë të mëdha kur ke guxim për majat dhe besim në vete.

Përveç që je ngjitur në malet më të larta të botës, gjithmonë ke qenë me këmbë në tokë – me dashamirësinë tënde shoqërore për cilindo që të njeh, por edhe, në malet tona: në Bjeshkët e Rugovës, në Sharr, në Gjeravicë, duke u angazhuar me pasion për mbrojtjen e natyrës, për ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezave të rinj.

Për punën dhe kontributin tënd që nuk matet me altimetër, të falënderojmë përzemërsisht. Si qeveri, si institucione, por para së gjithash, si qytetarë.

Uta, e di që përpjekja jote është përplot pasion. Por më lejo të ndaj me ty dhe me të gjithë, atë që po e shqyrtojmë me shumë seriozitet: jemi në proces të vlerësimit të të gjitha procedurave dhe mundësive që një nga majat e maleve tona të mbajë emrin “Maja e Utës”. Po e shqyrtojmë me dashuri sepse një emër që ka shënuar histori të alpinizmit ndërkombëtar, përgjithmonë duhet të jetë i lidhur me këtë tokë e me këto male.

Malet e Kosovës janë shumë. Janë edhe të bukura shumë. Nga sot e tutje, ato kanë edhe një tjetër kuptim – kujtimin e një vajze e cila ëndërroi lart, shkeli lart dhe la një trashëgimi inspiruese për gjenerata të tëra: guximin për të synuar dhe besuar, për të dëshmuar dhe vërtetuar se asgjë nuk është e pamundur.

Faleminderit Uta.

Krejt në fund, dua të tregoj sot një sekret që nuk do të mbetet vetëm këtu: Uta dhe unë tashmë jemi marrë vesh që ngjitja tjetër do të jetë në malet tona të Sharrit, një ecje simbolike së bashku në trevat tona, për çfarë unë jam gati me çantën plot, me këpucë të përshtatshme e me vullnetin tim të mirënjohur. Uta do të më prijë, e besoj që silueta e saj përpara meje nuk do të zvogëlohet shumë, jo për shkak të shpejtësisë sime, sa për arsye të mirësjelljes së saj.

Faleminderit edhe njëherë, faleminderit 14 herë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors