Fjala e Kryemnistrit Kurti në përurimin e Kuzhinës Popullore në Kamenicë

Kamenicë, 9 tetor 2025

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotëri,
I nderuari kryetar i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj,
I nderuari z. Halil Kastrati nga Organizata Jetime të Ballkanit,
Të nderuar mësimdhënës, stafi i Kuzhinës Popullore, shumë të dashur nxënës e qytetarë,

Po vijmë nga çerdhja të cilën e inauguruam në Koretin, një tjetër premtim i mbajtur nga kryetari Rahimaj për fëmijët e Kamenicës. Sot jemi këtu para një objekti, që për nga madhësia, ndoshta nuk duket shumë i madh, por është tejet i rëndësishëm, sepse këtu do të funksionojë kuzhina e re që do t’i ushqejë të gjithë nxënësit e komunës së Kamenicës, si dhe familjet dhe rastet sociale të cilët kanë nevojë për mbështetje.

Kamenica ka vendosur një standard të ri, siç e dimë të gjithë ne, të arsimit parashkollor. Përveç dy çerdheve të reja, Kadri Rahimaj, ka mundësuar që fëmijët e çerdheve të ushqehen shëndetshëm, diçka që asnjë komunë asnjëherë nuk e ka bërë më parë.

Nga avokadot e salmoni, nga perimet e freskëta të smooth-it e shëndetshëm, Kamenica sot ofron ushqim të balancuar dhe me standarde evropiane për më të vegjlit tanë. Dhe duke qenë se shëndeti është thelbësor, çdo fëmijë që ndjek çerdhen në Kamenicë ka sigurim shëndetësor, që duhet theksuar, meqenëse kjo është një tjetër politikë e kujdesit dhe e përgjegjësitë sociale, përsëri duke iu falënderuar kryetarit Kadri Rahimaj, i cili e ka bërë realitet.

E tash Kuzhina Popullore është një projekt i veçantë, i ndërtuar në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës dhe Shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, me një qëllim dhe kauzë thellësisht humane për çfarë u jemi përjetë falënderues e mirënjohës. Në këtë kuzhinë do të përgatitet ushqimi i shëndetshëm e cilësor, i rekomanduar sipas shkencëtarëve të ushqimit apo nutricionistëve dhe i përshtatshëm për secilën moshë të nxënësve.

Në këtë mënyrë nxënësit do të jenë edhe të shëndetshëm, por edhe do të kenë mirëqenie me barazi. Kuzhina gjithashtu do të jetë një hallkë e rëndësishme në zbatimin e një tjetër politike të kryetarit Rahimaj, që është mësimi tërëditor, e që do të fillojë në mandatin e dytë. Mësimi tërëditor e ka të domosdoshme kuzhinën qendrore.

Projekte të këtilla tregojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Komunës së Kamenicës për arsimin dhe mirëqenien e nxënësve, që kanë qenë gjithmonë në qendër të punës së kryetarit. Por, ku ka më mirë kur kjo kombinohet edhe me një shoqatë sikurse “Jetimat e Ballkanit”, presidenti i së cilës Halil Kastrati na ka nderuar sot me pjesëmarrje dhe natyrisht që në emër edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse falënderimin do ta bëjë kryetari Kadri Rahimaj, shprehim gjithashtu vlerësimet më të larta për këtë bashkëpunim dhe për këtë kurorëzim të punës së përbashkët.

Sot me ne janë edhe nxënësit, të cilët janë të drejtimit të kulinarisë, janë nëntë nxënësit e parë të drejtimit të kulinarisë, një drejtim i ri jo vetëm për Kamenicën, por edhe për shumë komuna të tjera. Veçse unë jam mësuar tash, nuk është hera e parë që nëpër komuna tjera Kamenica është argument i progresit, i mundësisë së progresit. Ata janë pjesë e arsimimit dual, ku përveç mësimit teorik, vlerësohen dhe përfitojnë përvojë praktike nga bizneset e fushës së kulinarisë.

Të gjitha këto nisma janë dëshmi e vizionit dhe punës konkrete që po bëhet në Komunën e Kamenicës, në Dardanë këtu. Për t’i çuar edhe më shumë proceset përpara, na duhet mbështetja e vazhdueshme qytetare dhe këto projekte progresiste, ndryshime pozitive, besoj që na bëjnë të besojmë të gjithë neve që Kadri Rahimaj nuk është vetëm thjesht një opsion apo një zgjidhje, por është vetë zgjidhja e problemeve për çfarë edhe ka mbështetjen e madhe qytetare.

Urime për kuzhinën e re dhe uroj që shumë projekte të këtilla, nga të cilat përfitojnë qytetarët e Kamenicës të vijmë edhe në gurthemele, edhe në inaugurime, por, edhe atëherë kur do të shohim se si i gëzojnë të mirat ata që kanë më së shumti nevojë, e natyrisht e mbi të gjitha e para së gjithash fëmijët e nxënësit.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors