Kaçanik, 1 gusht 2025
Të nderuar përfaqësues të kompanisë “JLG Construction”,
I nderuari pronar, Agron Zeneli,
I nderuari Kryetar i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi,
I nderuari zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka,
Të nderuar punëtorë dhe profesionistë të kësaj fabrike,
Të nderuar pjesëmarrës,
Mirë se ju gjej këtu në Begracë, në hapjen e fabrikës, që përveçse është dëshmi e zhvillimit tonë ekonomik, do të jetë një pikë reference për investime vendore dhe shembull se si ndërmarrësia e guximshme dhe vizioni afatgjatë ecin krahë për krahë.
Me një investim fillestar prej afër 3 milionë euro, dhe me plane konkrete për zgjerim dhe me 1.5 milionë euro të tjera në vitet në vijim, kjo fabrikë e “JLG Construction” është histori suksesi për vendin tonë dhe për të gjithë ata që e duan Kosovën dhe e duan potencialin të cilin e ka vendi ynë.
E projektuar sipas standardeve më të larta evropiane, fabrika specializohet në konstruksione metalike të rënda dhe struktura çeliku për ndërtime të mëdha. Ka teknologji moderne dhe kushte e mjedis të mirë pune. Fabrika punëson 20 profesionistë vendorë – inxhinierë, teknikë, operatorë dhe 95% e produktit shkon për eksport jashtë vendit, kryesisht në Francë dhe me synime të qarta për të depërtuar edhe në tregjet të tjera, sikurse në Gjermani e në Itali.
Të nderuar të pranishëm,
Qeveria jonë është përkushtuar nga dita e parë në mbështetjen e sektorit privat, veçanërisht ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese. Në këto katër vjet të mandatit tonë të plotë të parë, kemi ndërmarrë masa të shumta mbështetëse për të forcuar ekonominë e vendit. Në mesin e shumë prej tyre:
- Kemi ndarë mbi 100 milionë euro për mbështetje direkte të bizneseve – përmes subvencioneve, granteve dhe linjave të garantuara për investime kapitale; mandej,
- Kemi lehtësuar barrën fiskale për ndërmarrjet prodhuese, duke ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit dhe duke i reduktuar barrierat burokratike;
- Kemi investuar në teknologji dhe digjitalizim, duke mbështetur pajisjen e bizneseve me makineri moderne, siç është edhe kjo që sot që po e gjejmë në fabrikën tuaj;
- Kemi ndërtuar një qasje të re në promovimin e eksporteve dhe të certifikimeve ndërkombëtare, duke e bërë më të lehtë për prodhuesit tanë hyrjen në tregjet e Bashkimit Evropian;
- Dhe më e rëndësishmja: kemi ndërtuar besimin e qytetarëve dhe të ndërmarrësve në institucionet e tyre. Tashmë, gjithnjë e më shumë kompani vendosin të investojnë këtu, ta riinvestojnë këtu fitimin e tyre, në vendin tonë, me punëtorët tanë, e për të ardhmen tonë të përbashkët.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua të përgëzoj “JLG Construction” për këtë arritje. Ju sigurojmë se jemi dhe do të jemi partnerë të sektorit privat, sidomos atij prodhues, por edhe shërbyes, sepse janë këta dy sektorë, që mundësojnë zhvillim ekonomik, rritje të eksporteve dhe punësim të qëndrueshëm.
Le të jetë kjo fabrikë shembull për të tjerët dhe nxitje për shumë investitorë të ardhshëm, që të besojnë të ndërtojnë dhe zhvillojnë këtu në Republikën e Kosovës.
E ku ka më mirë, që porsa të dalin punëtorët, profesionistët e pronarët nga kjo godinë, pamja e parë është maja e Lubotenit, andaj edhe sukseset uroj t’i keni të mira.
Ju faleminderit e urime!