Prizren, 11 janar 2014
I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z Edi Rama,
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë,
dhe të gjithë ata qytetarë që janë duke shikuar këtë takim tonë të përbashkët, të parin në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë,
Më lejoni fillimisht i nderuari kryeministër Rama, t’ju falënderoj për gatishmërinë tuaj, idenë tuaj dhe angazhimin tuaj, që ky takim të ndodhë shpejt, të ndodhë në mënyrë efikase, prandaj sot jemi këtu në qytetin e bukur në qytetin e krenarisë sonë kombëtare, në qytetin e historisë në qytetin e së ardhmes, në qytetin e tolerancës dhe bashkëjetesës, në qytetin e Prizrenit.
Më lejoni t’i falënderoj edhe qytetarët e Prizrenit, për mikpritjen e tyre që i bënë të dy Qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Më lejoni të theksoj disa nga bazat kryesore mbi të cilat do të ndërtohet strategjia e bashkëpunimit tw dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.
Ne sapo përmbyllëm takimin e parë të dy qeverive tona, një takim shumë i suksesshëm.
Në fushën e politikës së Jashtme dhe Sigurisë, të dy qeveritë do të angazhohen në fuqizimin e bashkëpunimit dhe intensifikimit të dialogut ndërqeveritar për të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë. Këto çështje përfshijnë bashkërendimin, në angazhimin e Kosovës në proceset dhe në iniciativat rajonale. Koordinimin dhe mbështetjet për proceset integruese evropiane dhe euroatlantike. Thellimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, mbështetje për avancimin e dialogut, ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Ndër të tjera bashkëpunimi në këto fusha synon, koordinimin e përpjekjeve në drejtim të konsolidimit të pozitës dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmes shtimit të njohjeve, anëtarësimit në mekanizma tjerë rajonal dhe ndërkombëtarë me synim final anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, në BE dhe në NATO.
Në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme, synohet që përmes bashkëpunimit në mes të institucioneve të zbatimit të ligjit, gjyqësorit të vendosen bazat e shkëmbimit të përvojave në proceset e reformimit të shtetit të së drejtës, në përputhje me standardet evropiane, standardet ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë nëpërmjet projekteve të përbashkëta, objektivi kryesor i qeverive të dy vendeve do të bazohet në ofrimin që për qytetarët tanë te kemi standarde të larta të sigurisë, shkëmbim të intensifikuar të informacionit në luftën kundër trafikimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.
I nderuari kryeministër Rama,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar bashkëqytetar,
Strategjia e bashkëpunimit ekonomik, përkatësisht në fushën e ekonomisë, energjisë, transportit, turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit, do të përbëjë përkushtim kryesor të dy qeverive.
Përmes kësaj, synojmë të ofrojmë një klimë nxitëse për bizneset në një treg të integruar duke shfrytëzuar në mënyrë sa më efektive dhe racionale të potencialeve tona të përbashkëta.
Një theks të veçantë do t’i kushtohet energjetikës duke komplomentuar sistemet tona hidro dhe termo dhe duke vendosur një sistem të përbashkët energjetik.
Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet pjesëmarrjes së Kosovës në TAP, bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe telekomunikacionit. Arsimi dhe Sporti do të zënë vend kryesor në qasjen tonë të përbashkët. Krijimi i mekanizmave për politika të përbashkëta në kërkime dhe arsim, organizimi të kampionateve të përbashkëta sportive, të gjitha këto në frymën e bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
Duke marrë parasysh afërsinë kulturore dhe historike, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, me përkushtimin më të madh do të angazhohen në ruajtjen dhe promovimin e identitetit të përbashkët kulturor dhe kombëtar. Kjo do të arrihet përmes hartimit të planeve të përbashkëta dhe strategjive zhvillimore. Mbështetjen e projekteve të përbashkëta kërkimore, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të kulturës për krijimin e kalendarit të përbashkët vjetor.
Në këtë drejtim nuk do të lihen anash as bashkatdhetarët tanë, kudo që jetojnë në rajon, por edhe në diasporë, shqiptarët në Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi.
Në të gjitha fushat e bashkëpunimit qasja shqiptare do të jetë fokusi ynë, prandaj edhe kemi vendosur formimin e një fondi monetar të përbashkët për zhvillimin e Luginës së Preshevës.
Ky vendim shkon në vazhdën e vendimeve tjera që qeveritë e vendeve tona, që kanë ndërmarrë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë përfshirë edhe ata në Luginën e Preshevës.
Për arritjen e këtyre objektivave do të hartohet strategji dhe plane konkrete në fushat përkatëse. Ministritë përkatëse do të marrin përgjegjësitë për mbikqyrjen e zbatimit të vendimeve të marra në mbledhjen e dy qeverive tona. Po ashtu, do të krijojmë komisione të përbashkëta për fusha të ndryshme më theks të veçantë në komisionet e përbashkëta për ekonomi.
Dëshiroj t’i uroj të gjithë qytetarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo për mbështetjen dhe besimin e tyre. Uroj që ky fillim i ri, ky kapitull i ri, të arrijë synimet e dëshiruara dhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës kudo që janë t’i gëzojnë frytet e këtij bashkëpunimi, të munguar tash e një shekull.
Uroj që ky bashkëpunim të shërbejë në të mirë të zhvillimit të vendeve tona dhe të rajonit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të rajonit, për Kosovën evropiane, për Shqipërinë evropiane dhe rajonin evropian.