Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në takim me kryetarët e komunave rreth procesit të ri-integrimit të personave të riatdhesuar

Prishtinë, 22 qershor 2011

I nderuar Sino,
I nderuar zëvendëskryeministër Petkoviq,
Të nderuar ministra,
Të nderuar kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës

Më lejoni të përsëris, se sa i përket integrimit evropian, Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar, sidomos sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

Siç kam theksuar edhe në takimin e fundit që patëm, rëndësi të posaqme tani po i kushtojmë progresit në fushën e riintegrimit dhe personave të riatdhesuar, sidomos në nivel lokal.

Sot jeni të ftuar për të diskutuar rreth këtij procesi kaq të rëndësishëm së bashku me ministrat, nga të cilët do të varet progresi në drejtim të hapjes së dialogut për procesin e liberalizimit të vizave.

Të nderuar të pranishëm,

Ashtu siç kemi nënvizuar herën e kaluar, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, presim nga ju që të angazhoheni që shërbimet tuaja relevante janë plotësisht të familjarizuara dhe të vetëdijshëm për prioritetin që ky proces meriton në të gjitha nivelet.

Unë besoj se një gjë e tillë do të mund të arrihet përmes angazhimit të shtuar për implementimin e rregullores për zyrat komunale për Komunitete dhe Kthim, gjë që do të siguronte funksionalizimin e plotë të tyre.

Kërkesë tjetër e Qeverisë është që të sigurohet që përmes institucioneverelevante që ju raportojnë juve dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tjera relevante, të ofrohen të gjitha shërbimet publike për qytetarët e riatdhesuar, përfshirë regjistrimin civil, për regjistrimin e fëmijëve në shkolla, regjistrimin e të kthyerve në qendrat komunale të punësimit dhe shërbimet sociale, në ato të shëndetësisë, si dhe t’u ndihmohet në qasje të papenguar në prona.

Rezultati që pritet nga ne është që të sigurohet qasje më e lehtësuar  të gjithë të riatdhesuarve në shërbimet që janë në disponim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ajo qfarë ne kërkojmë nga ju, është që do të vendosni kornizat për planifikimin e nevojave për riintegrim në komunat tuaja përkatëse, që do të mund të mbështeteshin si nga fondi për integrim, po ashtu edhe nga donatorët e ndryshëm ndryshëm por pse jo edhe nga buxhetet tuaja.

Përgjatë këtij procesi, Qeveria është përpjekur që t’ju mbështesë në të gjitha mënyrat e mundshme, përmes përgatitjes së kornizës ligjore, strategjike dhe institucionale, planifikimit financiar (të mos harrojmë që vetëm gjatë këtij viti janë ndarë rreth 3.5 milionë euro për këtë qëllim), por edhe përmes mundësimit të vetëdijësimit të shërbimeve tuaja me këtë kornizë përmes trajnimeve të ndryshme që po mbahen por edhe përmes vizitave të punës që po zhvillohen vazhdimisht.

Ajo që ka dalë si nevojë imediate është të siguroheni që së bashku me shërbimet tuaja të siguroheni që të rritet niveli i raportimit për nivelin qendror rreth progresit dhe sfidave që hasni në ofrimin e të gjitha shërbimeve relevante.

Besoj që pajtoheni që informimi i saktë dhe relevant për nivelin qendror, por edhe për partnerët tanë në Bashkimin Evropian, varet nga informatat që ne marrim nga ju rreth të gjitha aspekteve të këtij procesi.

Ministritë relevante kanë ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme për raportim sa më të saktë për përmbushjen e kërkesave që dalin nga ky proces përmes hartimit të një pyetësori që bazohet në të gjithë kornizën ligjore dhe strategjike për procesin e ri-integrimit.

Të nderuar,

Duke ju falenderuar për praninë tuaj sot këtu, ripërsëris kërkesën time që të merrni pjesë aktive në këtë proces sa më seriozisht që të jetë e mundur, të siguroheni që të jenë implementuar të gjitha konkluzionet që dalin nga ky takim si dhe të angazhoni personelin tuaj dhe zyrat tuaja përgjegjëse për këtë proces.

Siç ju kemi informuar edhe më heret, shumë shpejt pritet një mision vlerësues nga Komisioni Evropian dhe Shtetet Anëtare për vlerësimin e arritjeve tona në drejtim të procesit të ri-integrimit.

Për t’i paraprirë atij, Qeveria ka vendosur të hartojë një raport të hollësishëm për përmbushjen Planit të Veprimit për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar si dhe kërkesave tjera që dalin nga raportet e misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian.

Ju lus që të siguroni që shërbimet tuaja janë në dispozicion të plotë të ekipeve të Qeverisë për mbledhjen e sa më shumë informatave gjatë javëve në vijim.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors