Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 24 prill 2013

Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit Thaçi:

Siç edhe e dini, marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është edhe formale në mes dy vendeve tona, pra, kjo marrëveshje e fqinjësisë së mirë dhe paqes.

Tani, të gjitha institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për implementim, natyrisht me garancinë dhe mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me akterët implementues institucionet e vendit, akterët e brendshëm, EULEX-in, NATO-n, OSBE-në për zgjedhjet e lira që do të mbahen në veri.

Nesër delegacioni i Kosovës do të jetë në Bruksel, që do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Kuçi, për procesin e implementimit. Kosova e ka përgatitur planin e implementimit, e ka gati. Nesër do t’ia prezantojmë kabinetit të baroneshës Ashton në Bruksel.

Plani është konkret, me akte ligjore, afate kohore dhe akterë të implementimit. Presim që të kemi planin implementues të dakorduar deri më 26 prill, siç është e përfshirë në marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që menjëherë të fillojë implementimi.

E kemi theksuar edhe më herët dhe e theksojmë edhe sot se sfidë do të jetë implementimi. Fati i marrëveshjes do të varet nga implementimi. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të gjitha institucionet në Kosovë e mbështesin këtë proces. Mund të them gjithë spektri politik kosovarë, me ndonjë parti të veçuar, Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Qeveria, autoritetet lokale, qytetarët e vendit.

Gjithashtu, janë inkurajuese deklaratat për thirrje për implementim në veri edhe nga Qeveria e Serbisë për qytetarët në veri. Ndërsa falënderoj qëndrimin unik të BE-së për të vazhduar procesi i implementimit, por edhe qëndrimin e vendosur të SHBA-ve, që të vazhdohet menjëherë me planin implementues dhe veprimin konkret implementues.

E theksoj edhe njëherë, ky plan nuk është i drejtuar kundër askujt, është në shërbim dhe interesin e të gjithëve.

Planit implementues nuk duhet t’i frikësohet askush, as qytetarët në veri, pavarësisht nga tonet dezorientuese që mund t’i prezantojnë disa njerëz që kanë mbajtur peng veriun tash e 14 vite.

Plani ynë është plan i paqes, është plan mirëkuptues, i tolerancës, një plan i jetës së përbashkët për të ardhmen, një plan zhvillimor, i punësimit, i rritjes së mirëqenies sociale, plan i jetës së re, plan i Kosovës demokratike dhe evropiane, është një plan i përbashkët i Kosovës dhe i gjithë botës demokratike.

Prandaj, e di se do të kemi sfida, por jam i bindur se do të kemi sukses.

Gjitha përkushtimet tona do të jenë paqësore, komunikuese dhe të drejtpërdrejta me qytetarët në veri, në mënyrë që të ketë liri të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, që të ketë rend dhe ligj, që të ketë demokraci, pluralizëm politik, organizim të zgjedhjeve të lira, lidership legjitim dhe pastaj reformimin e gjithë atyre mekanizmave që jemi pajtuar edhe me marrëveshje.

Por, ajo çka është jetike, është se do të respektohet  në plotni marrëveshja, që është në përputhshmëri edhe me rezolutën e Kuvendit e Republikës së Kosovës, Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj.

Në këtë drejtim nuk kemi asnjë dilemë dhe asnjë hezitim. Ne jemi të vendosur të punojmë me të gjithë akterët edhe ndërkombëtarë për të filluar sa më shpejt implementimi. Por, është një implementim që do të reflektojë në jetën e çdo qytetari në veri, të familjeve të tyre dhe do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë, si parakusht i domosdoshëm i dy vendeve dhe popujve tanë për të lëvizur drejt integrimeve edhe në NATO, BE, për Kosovën edhe me OSBE-në, edhe me OKB-në.

Plani implemenutes do të përmbyllet brenda dy ditëve të ardhshme, ashtu siç është i planifikuar edhe me marrëveshjen e nënshkruar mes dy kryeministrave dhe pastaj në javën e ardhshme, apo ditët e ardhshme, sepse ende nuk është përcaktuar dita, për tu ratifikuar pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje mes dy kryeministrave dhe natyrisht edhe baroneshës Ashton si garanc e kësaj marrëveshje, të ratifikohet edhe në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Shfrytëzoj rastin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’i falënderoj gjithë spektrin politik për mbështetjen që i ka dhënë këtij procesi që nga fillimi, por edhe me votimin dhe mbështetjen e fuqishme në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Falënderoj liderët politik të të gjitha partive politike, të LDK-së, z. Isa Mustafa, të AKR-së, presidentin Pacolli, të AAK-së, z.Haradinaj, falënderoj liderin e SLS-it, z.Petroviq, liderin e 6+, z.Yagxhilar, komunitetin boshnjak, falënderoj PDK-në për mbështetje unike dhe profesionale të kësaj marrëveshje. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë deputetët veç e veç për besimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë marrëveshjes me votimin e tyre.

Në anën tjetër, ne i kuptojmë edhe zërat ndryshe dhe i respektojmë, por duhet ët respektohet rendi demokratik, vullneti i shumicës, duhet ët respektohet shteti i Kosovës.

Në këtë drejtim, Kosova ka qenë shembull i mire, edhe në të kaluarën, është edhe sot, dhe do të jetë edhe në ardhmen. Është jashtëzakonisht me rëndësi që në momente vendimtare dhe historike, partitë politike në Kosovë ti lënë anash interesat e ngushta grupore, partiake apo elektorale, por të vihen mbi interesat partiake në shërbim të interesave shtetërore dhe kjo është një kulturë e lartë politike, një përgjegjësi kombëtare dhe duhet t’i jemi mirënjohës njëri-tjetrit, por edhe të vazhdohet kjo traditë siç ka qenë edhe në negociatat e Vjenës, kur kemi funksionuar si ekip i unitetit, edhe tash duke funksionuar bashkërisht në Parlament në këto momente të rënda edhe ne si Qeveri për t’i implmentuar.

Ka hapësirë mjaft demokratike, për ballafaqime politike më spektrin politik dhe kjo duhet të respektohet dhe ta avancohet edhe më tutje. Por, në të njëjtën kohë ne kemi dërguar mesazhin ëm të mirë si spektër politik për qytetarët e Kosovës që me vendimin tonë që e kemi marrë si shtet, e kemi mbajtur bashkë edhe popullin e Kosovës, por në të njëjtën kohë i kemi dërguar mesazh të qartë gjithë botës demokratike se Kosova është unike në vendime të rëndësishme shtetërore, është unike edhe në kuptimin e angazhimeve të përbashkëta gjithetnike, duke shikuar interesin e shtetit mbi të gjitha, për të instaluar një demokraci qytetare, një rend evropian.

Me këtë përkushtim që kemi treguar, ne kemi ofruar periudhën kohore të integrimit të Kosovës edhe në NATO, edhe në BE.

Prandaj edhe njëherë, më lejoni t’ju falënderoj juve zëvendëskryeministra, ministra, kabinet qeveritar për punën tuaj dhe përkushtimin që keni treguar.

Natyrisht se tash fillon kapitulli tjetër, ai për të cilin kemi nënshkruar edhe marrëveshje – implementimi i kësaj marrëveshje.

Pres që mund të ketë ndonjë pengesë, por me besimin e plotë se do të kemi sukses. Akterët e nënshkrimit të marrëveshjes dhe akterët implementues janë të vullnetit të mirë dhe janë në shërbim të paqes, stabilitetin, të bashkëpunimit rajonal, janë në shërbim të njerëzve në veri, janë në shërbim të evropianizimit të rajonit.

Faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors