Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë Përkujtimore më rastin e 5 vjetorit të vdekjes së ish Presidentit Rugova


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 21 janar 2011
 

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë Përkujtimore më rastin e 5 vjetorit të vdekjes së ish Presidentit dr. Ibrahim Rugova
 

E nderuara familje e Presidentit Rugova,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
 

Pesë vjet më parë Kosova u nda nga njëra prej figurave më të rëndësishme të Kosovës, nga Presidenti i parë  i Kosovës, Ibrahim Rugova.
 

Vdekja e parakohshme e Presidentit Rugova fatkeqësisht ndodhi dy vjet para se të përmbyllej procesi i gjatë  dhe historik,  ëndrra, qëllimi, aspirata dhe  angazhimi madhor i shumë e shumë brezave – pavarësia e Kosovës, për të cilën dr. Ibrahim Rugova dha kontribut të gjatë dhe të rëndësishëm.
 

Deri te akti historik i pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 qëndron një histori e tërë.
 

Një shekull të tërë nuk kishin reshtur përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe ruajtjen e identitetit të saj, pavarësisht shtypjes dhe represioneve që bënte administrata serbe me projekte e elaborate që nga viti 1913 e deri në përfundim të shekullit njëzet.
 

Në realizimin e idealit për çlirimin e Kosovës gjithmonë pati fill të pakëputur të lëvizjeve kryengritëse dhe të personaliteteve që nuk u pajtuan asnjëherë me sundimin e Kosovës.
 

Hasan Prishtina, Azem Bejta, Shaban Polluzha, Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë disa nga emrat e historisë së Kosovës që lidhin atë fill të qëndresës si në rrafshin e ideve ashtu edhe në atë rezistencës së armatosur.
 

Asnjë formë e sundimit të Kosovës, sado e kamufluar dhe ideologjike, pseudoliberale e autonomiste nuk arriti ta mposht idealin e lirisë, – kërkesën për liri kombëtare e mëvetësi politike.
 

Ishte  brezi politik i ngjarjeve të viti 1968 që me zë të hapur kërkoi ngritjen e të drejtave dhe lirive politike të Kosovës, për t’u fuqizuar në pranverën e viti 1981, kur kërkesa për statusin e Kosovës Republikë u bë kërkesë gjithëpopullore.
 

Zonja dhe zotërinj
 

Përkundër dhunës dhe represionit politik e kulturor, fryma liridashëse në Kosovë nuk u shua asnjëherë. Lëvizjet politike në vendet e bllokut lindor, pas rënies së Murit të Berlinit, Kosovën e gjetën në një moment të shpërbërjes së ish Jugosllavisë.
 

Në rrethana formalisht të reja, kur u suprimua statusi politik dhe kushtetues i Kosovës, në krye të lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ishte një intelektual, kritik dhe albanolog me formim modernist, që punonte në një institucion prestigjioz, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, dr. Ibrahim Rugova.
 

Me veprën e tij kritike letrare  Ibrahim Rugova po linte gjurmë, si studiues i letërsisë dhe kulturës shqiptare, si njohës i trashëgimisë shpirtërore  kombëtare, në dritën e hapjes ndaj kulturës perëndimore, nën prizmin modernist.
 

Reagimi i tij prej intelektuali të angazhuar kundër qarqeve shoviniste serbe që sulmonin në mënyrë raciste kulturën dhe identitetin e shqiptarëve, do të mbahet mend në takimet e shkrimtarëve në Novi Sad më 1989.
 

Në kohën kur po transformoheshin dhe shpërbëheshin strukturat e organizimit komunist dhe socialist në Kosovë, ky intelektual i angazhuar do të vihet në krye të lëvizjes politike të Kosovës,  – në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
 

Zonja dhe zotërinj
 

Në kthesa të mëdha historike dhe në zhvillime epokale ka gjithmonë diversitet mendimesh dhe veprimesh, që si pikësynim kanë të njëjtin qëllim, por me mjete dhe rrugë të ndryshme.
 

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit që shkoi nuk mund të flitet për pluralizmin politik siç flitet tani, por është me rëndësi se qytetarët e Kosovës shprehën hapur frymën kundër politikës së Beogradit, duke u organizuar politikisht ashtu siç mundën. Pa dyshim organizimi më i madh me tipare të lëvizjes kombëtare ishte ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
 

Gjithnjë duke iu përmbajtur karakterit solemn të kësaj akademie më lejoni që t’i konfirmojë disa nga tipare dalluese të politikës së Presidentit Rugova:
 

Me urtësi dhe qartësi politike dr. Ibrahim Rugova  ishte i orientuar drejt nga vlerat Perëndimore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian (Edhe në orientimin kulturor ishte në kërkim të rrënjëve të antikitetit iliro – dardan)
 

Me politikën paqësore ai ishte kultivues i frymës ofruese, tolerante dhe pluraliste edhe brenda shoqërisë shqiptare.
 

Ishte konsistent  dhe persistent në orientimin afatgjatë me kërkesën për Kosovën e Pavarur.
 

Në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë ai luajti një rol bashkues në kuadër të Delegacionit të Kosovës.
 

Për mua ishte kënaqësi që nënshkruam bashkë me Presidentin Rugova Marrëveshjen e Rambujesë, e cila i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
 

Pas luftës së bashku krijuam institucionet e para në Kosovën e çliruar.
 

Organizuam zgjedhjet e para në frymë demokratike, tolerante dhe të standardit të lartë.
 

Me Presidentin Rugova ishim në përvjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit në SHBA.
 

Për mua ka qenë kënaqësi që me Presidentin Rugova arritëm ta krijojmë Ekipin e Unitetit për bisedimet e statusit final të Kosovës.
 

Pas themelimit të qeverisë së parë të Kosovës, pas zgjedhjeve të para parlamentare mirëpriti një qeveri të unitetit politik.
 

Roli dhe ndikimi i dr. Ibrahim Rugovës lidhet me të gjitha ngjarjet e Kosovës deri në vdekjen e tij të parakohshme.
 

Dr. Ibrahim Rugova është njëra nga figurat më të rëndësishme shqiptare të fundshekullit njëzet.
 

Zonja dhe zotërinj
 

Me veprimtarinë e tij intelektuale dhe politike ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ngritjen e institucioneve të Kosovë, në kulturën kombëtare dhe si personalitet me ndikim të gjerë popullor.
 

Konsideratën më të lartë për personalitetin e tij shteti i Kosovës e shpreh me Ligjin për familjen Rugova, si mbrojte institucionale dhe ligjore.
 

Shoqëria jonë  do ta ngris në nivel institucional  mbrojtjen dhe konsideratën për personalitete që  kanë dhënë shumë për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
 

Zonja dhe zotërinj,
 

Pesë vjet pas vdekjes së Presidentit Rugova Kosova ka shënuar të arritura të rëndësishme, duke u bërë anëtare e organizmave ndërkombëtarë, është njohur nga 74 shtete dhe ka vizion të qartë për  integrime euroatlantike.
 

Jam krenar për angazhimin tim personal, dhe që gjeti mbështetje edhe nga institucionet e Kosovës, pra,  për propozimin që autostrada e Kosovës që lidhet më rrugën e Kombit ta mbajë emrin e presidentit  “Ibrahim Rugova”.
 

Lavdi emrit dhe veprës së dr. Ibrahim Rugovës!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors