I nderuari Pastor, Artur Krasniqi, kryetar, drejtues i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, ju faleminderit nga zemra për këtë dhuratë kaq të çmueshme,
E nderuara znj. Conny Duarte, sekretare e përgjithshme e Aleancës Evropiane Ungjillore,
I nderuari Imzot Dodë Lush Gjergji, ipeshk i Ipeshkvisë së Kosovës,
I nderuari Pastor Von Golder, Kisha “Nxënësit e Jezusit” në Tiranë,
I nderuari Dr. David Hosaflook, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante,
Të nderuar udhëheqës fetar, e besimtarë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Kam kënaqësinë që sot të jem në mesin tuaj, për të shënuar një moment me rëndësi historike, 40-vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë së Kishës Protestante Ungjillore në Kosovë.
Ky përvjetor është dëshmi e një rrugëtimi shpirtëror, qytetar dhe njerëzor të bashkësisë së besimtarëve, të cilët me përkushtim e modesti i kanë shërbyer Zotit dhe komunitetit. Gjatë katër dekadave, Kisha ka qenë një vend besimi, një vatër shprese, një hapësirë solidariteti dhe qendër përfshirjeje në bashkëjetesën e shoqërisë sonë.
Viti 1985 shënon hapjen zyrtare të Kishës Protestante me emrin “Bashkësia e Popullit të Zotit”, ndonëse veprimtaria ka një historik në vendin tonë që zanafillën e ka në fillim të shekullit të kaluar. Prandaj, edhe lëvizja protestante është më e moshuar se kaq. Por, që nga themelimi e deri më sot, komuniteti protestant ka konsoliduar praninë e vet duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën shpirtërore, arsimore, shoqërore, kulturore dhe humanitare të shumë qytetarëve në Kosovë.
Gjatë këtyre viteve, Kisha Protestante ka qenë një zë i paqes shoqërore, i dinjitetit njerëzor dhe i shërbimit popullor për të mirën e përbashkët. Kjo përputhet me vizionin e shtetit tonë për një shoqëri demokratike, të zhvilluar e të barabartë, dhe gjithëpërfshirëse.
Sot, ndërsa reflektojmë mbi një të kaluar jo të lehtë, në këtë 40-vjetor të themelimit të Kishës Protestante, shënojmë njëkohësisht edhe përmbylljen e një periudhe të errët të historisë sonë, meqenëse e festojmë 26 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe fillimin e paqes – një kapitull i ri që mundësoi shpalljen e pavarësisë, si dhe sovranitetin shtetëror e progresin ekonomik që gëzojmë sot.
Në Republikën e Kosovës, diversiteti kulturor dhe fetar përbën një ndër pasuritë dhe shtyllat themelore të shtetit tonë gjithëpërfshirës dhe demokratik. Bashkëjetesa dhe respekti ndërfetar janë vlera që i ruajmë dhe i kultivojmë me krenari.
Ne e njohim dhe e vlerësojmë historinë, identitetin dhe pasurinë e shumëllojshme të vendit tonë, si dhe rolin e këtyre në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Angazhimi i komunitetit protestant në nxitjen e dialogut, edukimit, shërbimeve sociale dhe ndihmës për ata që kanë më shumë nevojë, është shembull që meriton vlerësim.
E në veçanti, këtu do të kisha theksuar rolin për arsimin, sepse të gjithë e dimë që Gjerasim Qiriazi, ka qenë mësimdhënës në shkollën shqipe në Korçë, në vitet 1887-të, dhe kjo traditë e kontributit për arsimin shqip është jetike për kombin tonë sepse shqiptarët para së
gjithash, e mbi të gjitha janë komb i gjuhës, e arsimi është institucionalizimi i kombit, si komb i gjuhës.
E në këtë përvjetor jubilar, të nderuar të pranishëm, dua të shpreh mirënjohjen time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për kontributin tuaj të çmuar për vendin tonë. Uroj që ky përvjetor të jetë një pikë reflektimi dhe besimi për të ecur përpara dhe së bashku.
Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen!
Shkrimi i kryeministrit Kurti në librin e shënimeve të përvjetorit:
Kisha Protestante në Kosovë dhe shqiptari është vend i shpresës me solidaritet, vatër e dashurisë me zemër, dhe qendër e dhembshurisë për ata që janë në nevojë. Gëzuar 40 vjetori!