Fjala e Kryeministrit Kurti në shënimin e 25-vjetorit të Qendrës Trajnuese Diakonie, në Mitrovicë

Mitrovicë, 13 shtator 2025 

I nderuar drejtor i Diakonie Kosova, z. Bernd Baumgärtner,

I nderuar z. Rafael Nikodemus,

E nderuar znj. Silke Schaum

I nderuari kryetar i Komunës së Mitrovicës, z.Bedri Hamza,

I nderuari ministër në detyrë dhe deputet i Republikës, Faton Peci

I nderuar Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Jörn Rohde,

Të dashur partnerë, miq dhe mbështetës,

Të dashur mësimdhënës, nxënës, dhe punëtorë të Diakonie,

Zonja dhe zotërinj,

Sot kam nderin e veçantë që të flas këtu, në Mitrovicë, një qytet që nuk është vetëm një vend në hartë, por një simbol i qëndrueshmërisë.

Ashtu si Mitrovica, edhe Qendra e Diakonisë, ku jemi mbledhur sot për të festuar, qëndron si dëshmi mbi fuqinë e ndërtimit të urave mes njerëzve.

Diakonia këtu ndërton ura të mirëkuptimit mes njerëzve të të gjitha moshave dhe komuniteteve. Është vend që na mëson me përpjekje të zellshme, mund të krijojmë hapësira, të ndryshojmë jetën tonë përmes punës dhe përkushtimit ndaj komunitetit – që pasuria e vërtetë e një komuniteti shihet kur të gjithë kontribuojnë për të ndërtuar diçka të përbashkët. Qendra Trajnuese Diakonie është pikërisht një prej këtyre hapësirave.

Ju falënderojmë juve, i nderuar staf i Diakonie-së dhe i dashur Bernd, si dhe të gjithë atyre që deri tani janë angazhuar këtu. E di që një falënderim i veçantë i takon për punën e bërë për një kontribut të pamatshëm, z. Rafael Nikodemus dhe znj. Silke Schaum.

Jemi mirënjohës që, pas periudhës më të vështirë të vendit tonë, në vitin 2000 miq nga Rheinland-i i Gjermanisë dhe organizata “Kindernothilfe” nga Duisburgu kontribuan për themelimin e kësaj qendre. Ajo që atëherë nisi si projekt shprese, sot është institucion për shumë të rinj e të reja. Prej 25 vitesh, kjo qendër është vend që lidh të rinjtë me të ardhmen, me karrierën dhe dinjitetin e tyre.

Këtu në qendrën e Diakonisë mijëra të rinj dhe të reja janë trajnuar ndër vite. Ata kanë marrë njohuri profesionale praktike në instalime e sistemeve të ngrohjes, ujësjellës, energjisë elektrike, ndërtim të thatë, rrobaqepësi, frizeri e të tjera. 

Shumica prej tyre kanë gjetur punë, e kanë krijuar familje dhe sot janë shtylla të komuniteteve të tyre. Kam mësuar po ashtu se qendra juaj prodhon një ndër djathërat më të shijshme në gjithë Kosovën, një e arritur jo e vogël kur kemi parasysh konkurrencën në rritje. 

E falënderojmë Diakoninë që për këto 25 vitet e fundit, ka qëndruar pranë atyre që kanë më së shumti nevojë: fëmijët, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përballen me trauma si pasojë e luftës në Kosovë. 

Në një shoqëri që ndërtohet mbi barazi dhe dinjitet Diakonie dëgjon, hap dyer, krijon mundësi, pa kufi.

I dashur staf i Diakonisë, dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’ju përgëzuar për hapjen e shtëpisë së Diakonisë në Fushë Kosovë. Ky është një projekt me rëndësi të madhe sociale për komunitetin, sepse ofron një hapësirë të sigurt ku njerëzit gjejnë mbështetje, kujdes dhe mundësi të reja për jetën e tyre. Qendra të këtilla janë vend ku shërohen plagë, ku krijohet besim dhe ku lind shpresa për të ardhmen. Ato luajnë rol të pazëvendësueshëm në forcimin e kohezionit shoqëror dhe në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë.

Ju falënderoj për përkushtimin tuaj dhe për kontributin që jepni çdo ditë për të mirën e komunitetit.

Zonja dhe zotërinj, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, një nga synimet e mia më të mëdha ka qenë dhe mbetet integrimi i barazisë dhe drejtësisë sociale në ADN-në e shtetit tonë dhe shoqërisë tonë. Të jemi shoqëri dhe shtet më social dhe më i drejtë.

Andaj, në çdo fazë të qeverisjes sonë, gratë dhe fëmijët kanë qenë në qendër të politikave dhe përpjekjeve tona. Për shembull, mbi 16 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, (51% vajza e 49% djem), me afër 10,000 biznese përfituese.

Me iniciativën e Qeverisë sonë, janë hequr tarifat studentore në nivelet bachelor dhe master, në të gjitha universitetet publike të Kosovës. Kemi shpërndarë 7000 bursa për studentë në fushat STEM, shuma e bursës 1000 euro, shumica dërmuese prej tyre për vajza e gra. Dhe, kemi themeluar në Kosovë sistemin e arsimit dual, apo siç i thonë gjermanët “Ausbildung”, me 12 profile, në 23 shkolla profesionale dhe 15 komuna, me gjithsej 1635 nxënës, duke përfshirë fushat ku Diakonia është aktive.

Synimi ynë është që të rinjtë tanë të mos detyrohen të largohen nga vendi ynë për shkak të mungesës së perspektivës. Duam të tregojmë dhe dëshmojmë që Kosova është vend me mundësi dhe potencial të madh. Populli ynë është punëtor, i ndershëm, i aftë dhe plot vullnet për të ndërtuar një të ardhme të mirë.

Ajo që na duhet është një sistem ligjor i paanshëm, institucione funksionale dhe efikase dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

Rezultatet po i shohim: gjatë katër viteve të fundit, kemi parë se me rritjen e besimit në institucione, janë krijuar më shumë vende pune, janë sjellë më shumë investime dhe ekonomia e vendit është bërë më produktive. Dhe, Diakonie është pjesë e këtij zhvillimi të qëndrueshëm.

Andaj, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë partnerët por sidomos për:

•   Organizatën “Kindernothilfe”, për mbështetjen e pandërprerë deri më 2024,

•   “Bread for the World” dhe Kishën Protestante në Rheinland, që tashmë vazhdojnë këtë mision me përkushtim,

•   Organizatën Diakonie Saar për prezencën dhe profesionalizmin e tyre në Kosovë,

•   Ambasadën Gjermane në Prishtinë,

•   KFOR-in, dhe mbi të gjitha,

•   92 punonjësit dhe punonjëset e Diakonie, të cilët punojnë çdo ditë për të ndërtuar jetë më të mira për komunitetin.

Dhe përsëri, ju faleminderit  z. Rafael Nikodemus dhe znj. Silke Schaum, të cilët me përkushtimin e tyre personal kanë ndihmuar në ngritjen e kësaj qendre.

Të nderuar miq, sot festojmë një çerek shekulli solidaritet dhe shpresë. Një rrëfim suksesi se çka mund të arrihet përmes partneritetit të barabartë dhe një vizioni të përbashkët. Le ta vazhdojmë këtë rrugëtim, të ndërtojmë një Kosovë ku askush nuk mbetet prapa, një Kosovë ku të gjithë fëmijët gëzojnë mundësi të barabarta, një Kosovë që ndërton ura që na bashkojnë, jo mure që na ndajnë.

Gëzuar 25-vjetorin!

Ju faleminderit nga zemra.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors