Prizren, 10 qershor 2025
I nderuari z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, dhe zonja e parë Armanda Begaj,
I nderuari kryetar i komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj,
I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar kryetarë të komunave të Kosovës, por edhe të Luginës së Preshevës e të Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Këto ditë, teksa po bëhen 26 vite prej çlirimit të Kosovës, ky çerekshekulli i lirisë më të madhe dhe më cilësore ndonjëherë në Kosovë, është përshkruar edhe si periudha kur më së shumti e kemi kujtuar Lidhjen e Prizrenit edhe sa i përket rregullsisë edhe vazhdimësisë.
Vit pas viti, në çdo përvjetor, për çdo 10 Qershor, ky log ku jemi mbledhur sot bashkë, na ka bashkuar për t’a përkujtuar Lidhjen dhe për t’u rigjallëruar nëpërmjet trashëgimisë së saj.
Ne nuk e kemi ndryshuar kurrë thirrjen e kësaj ngjarje të përvitshme, e cila thërret: Lidhja është gjallë. Por, përse është kaq e rëndësishme të ruhet dhe të kultivohet kujtimi për Lidhjen e Prizrenit? Përse është kaq vendimtare në reflektimin tonë të themi se Lidhja është gjallë? Po ua ofroj disa arsye, jo si autor i tyre, por si mbështetës. Autorësinë e gjeni nëpër vite, në rezistencën shumëformëshe të popullit tonë dhe në arritjet e shtetimit nga gjysma e kombit të mbetur jashtë në fillim të shekullit të shkuar.
Organizata “Lidhja Shqiptare” me seli në Prizren, është pika më kulmore e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo është Rilindja Kombëtare në akt politik. Lidhja Shqiptare, e cila u themelua këtu në Prizren, në Xhaminë e Bajrakut me 10 Qershor 1878, paraqet një lloj nyje tek e cila përbashkohen të gjitha çështjet kyçe dhe temat qendrore të historisë moderne të shqiptarëve dhe kjo, si në kontekstin e brendshëm shqiptar, ashtu edhe në gjendjen e shoqërisë botërore të asaj kohe.
E themi këtë, nisur nga fakti që Lidhja Shqiptare u formua si organizatë politike, e cila do ta artikulonte vullnetin politik të të gjithë shqiptarëve karshi vendimeve të Kongresit, përkatësisht Traktatit të Berlinit. Lidhja do t’i jepte zë mendimit politik të Sami Frashërit dhe të Pashko Vasës, dy emra të mirënjohur edhe brenda vetë sferës publike osmane. Për herë të parë në një interval disa shekullor historik, Lidhja po themelonte një kahe të re, atë të idesë së bashkimit në ide e përfaqësim e përpjekje të shqiptarëve. Ajo po bashkonte rreth një projekti të vetëm politik kombëtar përtej dallimeve fetare, krahinore e fisnore, numrin maksimal të shqiptarëve në të katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare.
Qëllimi ishte një vilajet shqiptar i mëvetësishëm si njësi unike në hapësirën e Rumelisë, siç quheshin territoret evropiane të Perandorisë Osmane atëbotë.
Lidhja i dha pozicion të qartë politik shqiptarëve sa i takon premisës tashmë gjerësisht evropiane të rezultimit të çdo kombi të vërtetë me një shtet për vete.
Në kontekstin e jashtëm lidhja ishte ndërgjegjësimi i plotë mbi natyrën e projekteve politike shoviniste të vendeve fqinje, si dhe mbi epokën që po hapej në ndryshimin e përbërjes së Fuqive të Mëdha. Pra, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit e gjejmë edhe autenticitetin e mendimit politik konformues dhe shtetndërtues shqiptar, por edhe forumin e përballjes së krahëve politik pro-osmanist dhe atij autonomist.
Te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e gjejmë edhe shpirtin kryengritës mes peticionesh e protestash, por edhe vullnetarizmin luftarak e ushtarak për mbrojtjen e trevave shqiptare nga ushtritë fqinje.
Te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e gjejmë edhe aftësinë e kapacitetin e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur, e për të vetëvendosur, por edhe aftësinë e tyre politike për t’u pozicionuar ndaj zhvillimeve politike ndërkombëtare të kohës sikur luftërat ruso-osmane dhe përplasjet e interesave të Fuqive të Mëdha, të ndryshme nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania deri te Austro-Hungaria dhe Italia.
Më në fund me Lidhjen e Prizrenit, shqiptarët po shpreheshin në mënyrë unike mbi çfarë ishin ata vetë dhe çka ishte realiteti politik ndërkombëtar. Pavarësisht shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si organizatë, ajo ka mbetur e gjallë si shembull qëndrimi dhe misioni në historinë e përpjekjes së shqiptarëve për jetësimin e vullnetit të tyre legjitim politik, si një projekt afirmativ dhe për paqe.
Lidhja dhe mendimtarët e Rilindjes e thanë qartë si një Ballkan i qetë dhe me të ardhme premtuese është Ballkani ku shqiptarët respektohen në gjuhën, numrin dhe territorin e tyre. Ata kërkonin atë që u takonte, dhe mëvetësinë nuk e donin për të dominuar të tjerët, por për të qenë të barabartë me të tjerët.
Nëse Lidhja e Prizrenit duhej të ishte dëgjuar më mirë nga ideja politike e Fuqive dhe jo nga interesat afatshkurtër, sigurisht që Ballkani, ky rajon i yni nuk do të ishte në vijimësi metafora e Fuqisë së Barutit. Ja përse Lidhja është gjallë në mendjen e çdo shqiptari që respekton vehten si publikja më politike e kombit, por edhe te njerëzit e tjerë të cilët ndajnë të njëjtat vlera universale.
Le të mendojmë sa herë që përmendim Lidhjen, edhe Rilindjen, këtë lëvizje të madhe të mendimit dhe të gjuhës të përbërë nga njerëz të një dije të lartë e të shquar, të vendosur më shumë se kurrë përpara një të shkuare të pashtjelluar kombëtare dhe një horizonti të ndërlikuar ndërkombëtar.
Andaj, i shkon një nderim monumental të tërë atyre njerëzve që e ideuan Lidhjen dhe që e themeluan atë në qytetin e bukur të Prizrenit. Ju faleminderit, të gjithëve bashkë!