Prishtinë, 13 qershor 2025
E nderuara znj.Hatixhe Zeka, Drejtore Ekzekutive e TOKA-s,
E nderuara znj, Jehona Gjurgjeala, themeluese dhe Kryetare e Bordit të TOKA-s,
Të dashur aktivistë e aktiviste,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Një dekadë, 120 muaj nga lindja, në përvjetor dyshifror. Dhjetë vite përkushtim, iniciativë dhe ndikim konkret në jetët e mijëra të rinjve anembanë Kosovës.
TOKA ka dëshmuar se është e mundur të zbatohen siç e pamë mbi 500 projekte vullnetare, ku përfitojnë 400,000 qytetarë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte, e ku përfshihen 50,000 të rinj nga e gjithë Kosova. Në ditëlindjen e organizatës TOKA, këto janë arritje që meritojnë jo vetëm urime, por edhe mirënjohje të thellë për përkushtimin, angazhimin dhe kontributin.
Për dhjetë vjet me radhë TOKA ka qenë më shumë se një organizatë. Ajo ka krijuar hapësira për të përmirësuar komunitetin dhe rrugëtimin e shumë të rinjve nga fshatrat dhe nga qytetet. Përmes angazhimeve të tilla kanë kontribuar në formësimin e brezave të rinj që janë vetë bartës të ndryshimit. Ky është thelbi i asaj që ne duam për Kosovën: një shoqëri ku të rinjtë janë bashkë-udhëtarë dhe vendimmarrës, e jo vetëm pjesëmarrës në rrugën tonë drejt zhvillimit demokratik dhe progresit ekonomik.
Kosova njëmend është shteti më i ri në Evropë dhe ka moshën mesatare më të ulët në kontinent. Popullsia e re në moshë është tregues se rinia është forca kryesore e vendit, shtytëse e zhvillimit dhe progresit. Medoemos që politikat tona qeverisëse duhet ta kenë orientimin strategjik kah rinia, për t’i ofruar atyre mundësi sa më të mira për artikulimin dhe zgjerimin e talenteve të tyre. Për të jetësuar kushte të përshtatshme që të jenë qytetarë aktivë, të angazhuar dhe të përgjegjshëm në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të qëndrueshme.
Sukseset e rinisë sonë në art, sport, biznes e në teknologji janë përtej të zakonshmes, ndërkaq roli i shtetit është ta përcjellë potencialin me mbështetje direkte. Për këtë brez të të rinjve, sfidat si në Kosovë, ashtu edhe botë, vazhdojnë të jenë të mëdha. Por vështirësitë nuk janë shkak për dëshpërim, përkundrazi, janë arsye për vullnet, për më shumë vullnet, për guxim, për më shumë guxim, dhe për angazhim, për më shumë angazhim.
Si qeveri jemi duke punuar që ta reformojmë sistemin arsimor, që shkollat dhe universitet tona të bëhen hapësira ku të rinjtë e të rejat por edhe fëmijët, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, punojnë, mësojnë dhe hulumtojnë. Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas, ku mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat që nga viti 2021. Mbi 14 milionë euro janë shpërndarë nga shtetit për mbështetje të studentëve përmes bursave.
Investimi në edukim duhet të përkthehet në jetën pas-universitare e post-diplomike edhe në punësim e aftësim të rinisë. Për ta bërë të mundur dhe arritur këtë, kemi filluar lidhjen e arsimit me tregun e punës ashtu që për çdo diplomë shkolle të ketë një vend pune. Po e jetësojmë arsimin dual, në 12 profile në 23 shkolla në 15 komuna, për mbi 1,600 nxënës.
Numri i të rinjve të punësuar gjatë katër viteve të shkuara jo vetëm që është rritur por më shumë se është dyfishuar. Në fillim të vitit 2021 kanë qenë më pak se 29,000 të punësuar të rinj ndërkaq në vitin 2023 pra për vetëm dy vjet e gjysmë arritëm në shifrën prej afër 61,000 të punësuar, ku gjysma e punësimeve të reja janë gra. Përmes platformës SuperPuna, për më pak se dy vite janë punësuar mbi 14,000 të rinj mes moshës 18-29 vjeç, prej tyre më shumë se gjysma gra, në 9,500 biznese të ndryshme vendore. E programi Kosovo Generation Unlimited, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, ka ofruar mundësi praktike për mbi 3,000 të rinj të të gjitha komuniteteve.
Inovacioni dhe teknologjia padyshim se janë sektorët më tërheqës për rininë por gjithashtu edhe sektori më i lartë eksportues i shërbimeve në Kosovë. Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, e kemi Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, që është mbështetur me tetë milionë euro, si dhe Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bërnicë në periferi të Prishtinës.
Gjersa vazhdojmë e rrisim mbështetjen për të rejat dhe të rinjtë nuk harrojmë që ata që janë lindur e rritur në mërgatë si dhe bashkëkombësit tanë në Luginën e Preshevës. Programi për Diplomaci Qytetare ka angazhuar tashmë tri gjenerata e dhjetëra të rinj dhe të reja të cilët po kontribuojnë profesionalisht në Kosovë.
Për të rinjtë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kemi siguruar ndërkohë tekste shkollore në gjuhën shqipe, financuar bursa studimi dhe lehtësuar procedurat administrative për ata studentë që studiojnë në Kosovë për shkak se kush i ka kushtet më të vështira ose pengesat më të mëdha duhet t’i ndihmojmë më së shumti dhe më së pari.
Bashkërendimi i përpjekjeve tona si qeveri dhe institucione me punën e organizatave serioze si TOKA, po sjell angazhim me përkushtim dhe energji, në të mirë të shoqërisë. Thelbi i fuqisë së veprimit unë besoj se qëndron te vullneti. Bashkë e bëjmë Kosovën vend të mundësive për të rinjtë, e shtet për të gjithë pa lënë asnjë mbrapa.
Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të mbështesë organizata si TOKA dhe të krijojë hapësira më të mëdha për pjesëmarrjen e të rinjve në çdo nivel të jetës publike. Do të vijojmë të hartojmë dhe zbatojmë politika që forcojnë edukimin cilësor, rritjen e mëtejme të punësimit të të rinjve dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse.
Të dashura të reja dhe të rinj,
Ju jeni më shumë sesa e tashmja –sepse jeni edhe e tashmja edhe e ardhmja me ide, vlera dhe guximin për të vepruar dhe kontribuar, me krejt dijen dhe potencialin tuaj. Ju jeni garancia që Kosova mund dhe do të bëhet edhe më mirë, shumë më mirë.
Faleminderit TOKA-s për këto 10 vjet përkushtimi! Urime përvjetori dhe suksese në shumë dekadat që do vijnë!