I nderuari z. Ramiz Arifi, autor i librit që po promovohet sot “Përpjekja”,
Të nderuar ish të burgosur politikë, invalidë e veteranë të UÇK-së, veprimtarë të çështjes kombëtare,
I nderuari Don Lush Gjergji dhe klerikë të tjerë fetarë,
Të nderuar ish të burgosur të gjitha periudhave dhe gjeneratave,
Meqenëse siç e dimë 666 shekuj burg së paku janë mbajtur nga shqiptarët nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë e njëri prej të cilëve ka qenë edhe ky burgu famëkeq i Prishtinës.
E sa herë që rikthehem në këtë ndërtesë, si i vetmi burg ku njerëzit mund të hyjnë e ta vizitojnë lirshëm, më përforcohet përshtypja që nuk ka një vend të dytë në tërë Kosovën që mund të sjellë kaq shumë ndjenja kundërthënëse sa ky burg. Këtu ku dikur njerëzit burgoseshin dhe vuanin për bindjet dhe qëndrimet dhe veprimtarinë e tyre politike, sot ne mblidhemi në kushte lirie për të folur mes kujtimesh pikërisht për ato kohëra. Dikur i njohur si Qendra e Paraburgimit apo edhe si Burgu i Qarkut të Prishtinës, kurse tashmë i emëruar me emrin e tij prej muzeu, si “Burgu i Idealit”, kjo ndërtesë i ka ngujuar dhe i ka fshehur, e paradoksalisht edhe i ka ruajtur, mijëra histori dhe fate njerëzish.
Mes tyre, edhe historitë dhe fatet e shumë të burgosurve politikë që paraburgimet dhe vuajtjet e tyre të burgut, duke përfshirë edhe procedurat e hetuesisë dhe torturat i kaluan në këtë burg dhe në ndërtesat e sigurimit e të policisë që janë ngjitur me këtë. Pikërisht një histori e tillë, e shkruar në një libër autobiografik, na ka bërë sërish bashkë këtu në Burgun e Prishtinës. Libri “Përpjekja” i shkruar nga Ramiz Arifi, nga Breznica e Bujanocit, i cili gjatë dekadës së viteve ’80, i kaloi mbi shtatë vjet nëpër burgjet e Jugosllavisë, nga 11 vite burgim sa ishte dënuar në vitin 1983.
Në 260 faqet e këtij libri, Ramiz Arifi e ka rrëfyer pothuajse gjithë jetën e tij nga fëmijëria deri në ditët e para të çlirimit të Kosovës. Por megjithëse ky libër është një rrëfim në veten e parë, ai nuk është thjesht vetëm jeta e një personi apo e një autori, sepse në të, mund të lexohen edhe shumë ngjarje për figura të rëndësishme të historisë politike të Kosovës, ndodhi të autorit bashkë me Metush Krasniqin, me Besnik Krasniqin, Hydajet Hysenin, Hyrije Hanën, Rexhep Malajn, Bajrush Xhemajlin e shumë të tjerë nga organizatat e fshehta politike dhe deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Madje, në këtë libër, Ramizi tregon se si duke qenë pjesë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në shkurt të vitit 1998, i rastisi t’i takonte edhe Hamëz e Adem Jasharin në odën e tyre në Prekaz.
Qysh gjatë viteve ’90 dhe veçanërisht në vitet e pasluftës, ish të burgosurit politikë kanë botuar me qindra libra me poezi, letra, kujtime, dëshmi dhe rrëfime nga kohët e kaluara në burg dhe nga aktiviteti nëpër organizata të ndryshme politike, që në thelb kishin për synim çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimin e trevave të populluara e të banuara me shqiptarë me Shqipërinë. Këta libra kanë krijuar një kapitull të veçantë në historinë e letërsisë dhe të memoareve shqipe, të njohur tashmë si letërsia e burgut. Në këtë kapitull do të hyjë edhe libri i Ramiz Arifit “Përpjekja”, që bashkë edhe me qindra libra të tjerë të shkruar nga të burgosurit politikë, të të gjithë brezave e epokave do të vendosen në një kthinë më vete në muzeun “Burgu i Idealit” që tashmë është konceptuar në pjesën më të madhe të tij.
Uroj që projekti qeveritar që ky burg të kthehet në muze, i nisur dhe i drejtuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, të kësaj republike që aq shumë ia kanë shkruar emrin në trajtë parulle të burgosurit politikë, të përmbyllet sa më suksesshëm. Ashtu që kur të rikthehemi në promovime të tjera të librave këtu, në vend të ish burgut të Prishtinës, ta gjejmë muzeun “Burgu i Idealit”. Me këtë rast e falënderoj Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë të Kosovës, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës dhe ekspertët e fushave të ndryshme që kanë punuar dhe po angazhohen që “Burgu i Idealit” të jetë një muze profesional dhe dinjitoz për historinë e të gjithë të burgosurve politikë të Kosovës.
Duke qenë dhe vetë ish i burgosur politik dhe duke qenë edhe unë njëri nga ju, e di që kuptohemi shumë mirë për historinë dhe trashëgiminë e të burgosurve politikë.
Dhe për mua rikthimi këtu është në një mënyrë dyfishtë i veçantë. Unë kam qenë në ditët e fundit të muajit prill të vitit 1999, mirëpo aso kohe nuk e kam parë shëtitoren. Shëtitoren e kam parë në vitin 2005, 2006, para shpalljes së Pavarësisë, kur kam qenë prapë në burg këtu e qe besa edhe pas shpalljes së Pavarësisë, në vitet 2014-2015, që tregon se burgu famëkeq i Qarkut të Prishtinës, për një kohë shumë më të gjatë se që duhej është përdorur në kuadër të pushteteve të kohës në vend se të shndërrohet në kujtesë kolektive të një populli të shumëvuajtur por edhe qëndrestarë.
Mes nderimesh dhe mirënjohjesh për kontributin e të burgosurve politikë dhe të veprimtarëve të të gjitha periudhave të historisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar, e duke ju uruar më të mirat mes nesh, secilës e secilit prej juve, ju faleminderit shumë e urime autorit.