Fjala e Kryeministrit Kurti në pritjen e organizuar në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës

Prishtinë, 11 qershor 2025

E nderuara znj. Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, deputetë, ministra të Qeverisë,
Të nderuar ambasadorë dhe ju përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm, 

Është nder dhe kënaqësi t’iu drejtohem sot, në prag të 26-vjetorit të Ditës së Çlirimit dhe fillimit të paqes. Çdo vit, duke e shënuar këtë ditë historike, e kemi rastin për t’i falënderuar të gjithë ata që kontribuan nga jashtë në luftën çlirimtare të popullit tonë. Dhe, më të rëndësishmet mes këtyre ishin 19 vendet e NATO-s, të cilat para 26 vjetësh u bashkuan për t’i dhënë fund gjenocidit të regjimit të Millosheviqit, të ashtuquajturit “kasap i Ballkanit”, ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

Çlirimi i popullit tonë, me 12 qershor 1999, erdhi pas 78 ditëve të bombardimeve mbi Serbinë dhe pozicionet e saj ushtarake në territorin e Kosovës. Me kalimin e dekadave, shënimi i kësaj dite, dhe përkujtimi i dëshmorëve dhe i viktimave, po bëhen më shumë, jo më pak, të rëndësishme. Kjo për arsye se, çdo vit e më tepër, po shtohen përpjekjet nga Serbia dhe Rusia për të rishkruar historinë: në njërën anë për të vënë në dyshim drejtësinë dhe justifikimin e intervenimit të NATO-s, dhe në anën tjetër për të keqpërdorur atë si precedent për agresionin e paprovokuar ndaj Ukrainës. 

Këto përpjekje për të deformuar historinë, duhet t’i luftojmë dhe kundërshtojmë me çdo kusht, me faktet e pamohueshme të asaj kohe. Për dallim të madh nga lufta ilegale e Rusisë, intervenimi ushtarak i NATO-s ishte edhe i drejtë, edhe i domosdoshëm.  

Në periudhën 1998–1999, diskriminimi dhe shtypja e dhunshme ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, të cilat kishin vazhduar sidomos gjatë gjithë viteve të 90-ta, u përkeqësuan dhe u shndërruan në gjenocid dhe në spastrim etnik. Qindra masakra janë kryer, 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, 20 mijë gra dhe burra janë përdhunuar, 860 mijë persona u dëbuan jashtë vendit dhe gjithsej 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.  

Intervenimi ushtarak ishte opsioni i fundit, jo i pari, për t’i dhënë fund kësaj fushate gjenocidale, pas një sërë përpjekjesh diplomatike për ta bindur Millosheviqin që të ndalojë agresionin e tij. Siç na kujton sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, pas autorizimit për sulmet ajrore, vetëm për të dytën herë në historinë e NATO-s, po citoj: “Duhet ta kemi parasysh historinë e Millosheviqit, mosgatishmërinë e tij të tejzgjatur për të negociuar seriozisht dhe barbarinë e akumuluar”. Bombardimet vazhduan më në fund vetëm pasi Millosheviqi dhe regjimi i tij refuzuan çdo zgjidhje paqësore.

Çlirimi i Kosovës shënoi përfundimin e një periudhe të errët në historinë e popullit tonë, por edhe hapjen e një kapitulli të ri, i cili kulmoi në Republikën e pavarur dhe sovrane që e kemi sot. Vetëm 26 vjet pas çlirimit dhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova, prej rrënojave të luftës dhe gjenocidit, ka arritur të bëhet vendi më demokratik i Ballkanit Perëndimor me arritje të lartë ekonomike. Suksesi i Kosovës gjatë dekadave pas përfundimit të luftës është edhe sukses i NATO-s. Sepse ishte për shkak të intervenimit të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës që u hap rruga për themelimin e shtetit tonë 9 vjet më vonë. 

Nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, te trupat mbrojtëse të Kosovës, dhe tash Forca e Sigurisë së Kosovës, këto janë tri faza të më shumë se çerekshekulli të së njëjtës kahje dhe drejtim, perëndimor e demokratik, të paqes dhe të sigurisë. 

Njëjtë sikurse NATO-ja ka dhënë kontribut të domosdoshëm në suksesin e Kosovës, edhe Kosova është e vendosur të kontribuojë, në vazhdimësi, në suksesin e NATO-s. Vitin e kaluar, me shumicën dërrmuese të votave të vendeve anëtare, Kuvendi i Republikës së Kosovës u bë anëtar i asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Dhe këtë muaj, me mbajtjen e ushtrimit fushor ndërkombëtar Defender Europe 25, ku kanë marrë pjesë gjithsej 29 shtete, Kosova ka qenë në mesin e 18 shteteve nikoqire. Mirëpo, jam i bindur se këto janë vetëm hapat e parë në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të plotë. Nga çlirimi deri në anëtarësimin eventual, pra, NATO-ja dhe Kosova, janë secila pjesë e pandashme e historisë dhe të së ardhmes së njëra-tjetrës. 

Për këtë, jemi, dhe do të mbetemi, përherë, mirënjohës.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors